OPINION

14 vjet pa njeriun e Besëlidhjeve të mëdha

“Qytetarët e Gjilanit janë njerëz të vyeshëm e punëtorë, të angazhuar për një prosperitet dhe të ardhme ku do të jetojnë me dinjitet në qytetin e tyre, në Kosovën e lirë  tashmë. Në një vend të bukur siç e ka krijuar Zoti e të cilin duhet ta ruajmë dhe ta shndërrojmë në vend të krenarisë e jetës së dinjitetshme”.

Shkruan: Arbër R. Ismajli

Flaka e Janarit u nis në ditët e rezistencës sonë kombëtare, në ditët e vështira që po përjetonte kombi ynë, në ditët e vrasjes së pishtarëve të lirisë dhe vazhdoi në ditët e ikjes në amshim të arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, në ditët e acarit të shoqërisë kosovare.

Ishte kohë e vështirë e acar i vazhdueshëm për kombin tonë. Por, prore aty ishte edhe rezistenca jonë shekullore që ndezi flakën përmes punës, sakrificës dhe së fundi përmes plumbave drejtuar armikut shekullor.

Kombi ynë ishte dhe do të mbetet flakë që ndritë, që ngroh ëndrrat për liri dhe që djeg secilin që tenton t’i mohojë mohoj këto.

Duhet të kaloj një kohë e gjatë e ndoshta brezat e ardhshëm do çlirohen nga ankthi shekullor të cilin e përjetoi populli ynë. Rrugë e mundimshme dhe e ujitur me gjak drejtë lirisë dhe pavarësisë së vendit!

Flaka e janarit tashmë ështe bërë pjesë e historisë së re të Kosovës.

Ky muaj, veç kujtimeve, evokon edhe historinë e Kosovës. Historinë e vuajtjes e të sakrificës, të organizimit dhe mobilizimit, të krijimit të identitetit tonë politik dhe shtetëror, të pavarur dhe të vendosur për liri e pavarësi!

Pavarësi me të cilën identifikohet arkitekti i Republikës, Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ai të cilin e kujtojmë dhe e nderojmë si njeri të paqes dhe qëndresës kombëtare. E kujtojmë si njeriun e urtë të dashur, njeri të vendosur dhe këmbëngulës për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, aspiratat tona kombëtare mbesin të pandryshuara: e drejta për bashkimin kombëtar!

Njeriu i Besëlidhjeve të mëdha

Natyrisht, nuk mundem pa përmendur se Presidenti i ynë, tashmë është shkollë politike e njė ideologji politike që

buron, jo vetëm në bardhësinë e Alpeve shqiptare, por edhe në humanizëm të thellë, që kap majat e filozofisë në traditë dhe etikë nacionale. Tharmi i një studiuesi të zellshëm i kritikës dhe estetikës, mbase nga më të mirët që pati vendi, lideri më i mirë, duke u vlerësuar gjithandej se Presidenti Ibrahim Rugova, ishte nga intelektualėt më të mėdhenj të kombit, andej dhe këndej Drinit.

Ky burrë i Besëlidhjeve të mëdha, do të ngris sërish një lidhje të madhe shqiptare në Kosovë në fund shekullin XX. LDK-në, si besë e shpresë, me testament miqësie e me dyert më të mëdha të diplomacisë botërore, të cilat s’do mend se ishin të mbyllur për më shumë se dy shekuj.

Presidenti Rugova ishte fjalëpak por i mençur e parimor. Andaj, të gjithë ne që pretendojmë të jemi Brezi i Republikës, duhet ta ndjekim shembullin e tij. Me pak fjalë, por me shumë punë e me nder, në mënyrë që të zhvillojmë pavarësinë e brezave para nesh, të cilët dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e vendit, të prirë nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova. Pishtari pa të cilin historia jonë e tanishme do të ishte krejt ndryshe.

Rugova kishte vlerësim të jashtëzakonshëm për gjilanasit

Unë si i ri, kam patur nderin dhe kënaqësinë e veçantë ta takoj në zyrën e tij të punës në Velani. Po ashtu, edhe të rinjtë e Forumit të Rinisë dhe qytatarët e Gjilanit kishin kënaqësinë ta presin në tubime dhe aktivitete politike në qytetin e Gjilanit. Këtu ku ai ndjehej mirë dhe i relaksuar. Këtu ku shihej vullneti dhe gatishmëria qytetare, ku shihej dashuria dhe mikpritja, ku fjalët e tij të pakta, priteshin me respekt dhe përkushtim, me besim dhe gjithnjë me shpresë për një të ardhme edhe më të mirë.

“Qytetarët e Gjilanit janë njerëz të vyeshëm e punëtorë, të angazhuar për një prosperitet dhe të ardhme ku do të jetojnë me dinjitet në qytetin e tyre, në Kosovën e lirë  tashmë. Në një vend të bukur siç e ka krijuar Zoti e të cilin duhet ta ruajmë dhe ta shndërrojmë në vend të krenarisë e jetës së dinjitetshme”.

Kështu thoshte presidenti Rugova për gjilanasit.

Amaneti i Rugovës

Kjo porosi e Presidentit Rugova, vlen sot edhe më shumë se atëherë. Vizioni i tij për një Kosovë demokratike të zhvilluar, sigurisht se vije si një amanet edhe në ditët e janarit. Është amaneti i heronjve dhe Liderit tonë nacional.

Ky amanet jetësohet vetëm përmes punës e përkushtimit të veçantë, duke i konsoliduar sa më parë institucionet e vendit dhe duke u angazhuar maksimalisht për një të ardhme më të mirë.

Kjo është dhe mbetet mënyra më e mirë se si do t’i nderojmë heronjtë e Kosovës dhe Presidentin Rugova!

Lavdi e përjetshme dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit.

Lavdi punës kolosale të Presidentit Rugova, për lirinë dhe afirmimin e Kosovës në botë!

 

(Autori është nënkryetar i Komunës së Gjilanit)

You Might Also Like