Viti

Abide Osmani kandidate e VV-së për këshilltare në Viti

Abide Osmani, njëra ndër gazetaret e para në komunën e Vitisë, me përvojë 15 vjeçare, e cila, në këtë fushë, për herë të parë po synon të angazhohet zyrtarisht në politikë. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, ajo kandidon për këshilltare në asamblenë komunale në Lëvizjen Vetëvendosje. Znj. Osmani, me profesion gazetare, që nga viti 2014 e deri më tani ka punuar gazetare dhe moderatore në shumë emisioneve në portalin,,Vitia Live,, dhe në “Plus Televizion”, e cila çmohet për kontributin e saj krahas politikave në këtë medium regjional, në identifikimin dhe ngritjen e problemeve të qytetarëve dhe ballafaqimin e pa trembur me institucionet lokale, e cila, siç shton, asnjëherë nuk është zbrapsur nga presionet e ndryshme.

Karrierën e saj në fushën e gazetarisë, ajo e ka filluar që nga viti 2002 si korrespondente në Televizionin Regjional të Gjilanit,,TV,,Men,, e për disa vite me radhë ajo ka dhënë kontributin e saj në informimin e gjerë të qytetarëve në sfera të ndryshme, e sidomos me gjendjen e jashtëzakonshme, e cila ishte në komunën e Vitisë pas përfundimit të luftës si dhe mbi ardhjen dhe gjendjen e refugjatëve pas ardhjes së tyre në këtë komunë gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni. Gazetarja Abide Osmani, më pas karrierën e saj në lëminë e gazetarisë e ka vazhduar edhe në Radion ,,24,, në Kamenicë, e më pas deri në vitin 2013 edhe në Televizionin Regjional,, “Vali,, të Gjilanit, dhe paralel me të edhe në gazetën qendrore ,,Lajm”. Osmani në këtë lëmi, me përfundimin e luftës është angazhuar edhe në revistën,,Elita,, në Viti e revista të tjera mbi të drejtat e grave dhe angazhimin e tyre në fusha të ndryshme. Jo vetëm kaq.

Gazetarja e deritanishme Abide Osmani, nga viti 1995 ishte themeluese dhe aktiviste e devotshme e shoqatës së femrave,,Legjenda,, në Viti, e cila në kuadër të këtij institucioni, për 22 vite radhazi ka kontribuar në realizimin e aktiviteteve të shumta para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë (1999), varësisht rrethanave të kohës dhe nevojave të qytetarëve, pavarësisht moshës, gjinisë dhe kategorisë, refugjatëve dhe të zhvendosurve gjatë luftës në Kosovë, e sidomos në aktivitetet humanitare, regjistrimin e popullatës, identifikimin e pasojave të luftës etj.

Krahas strategjisë së shoqatës, ajo është angazhuar në realizimin e aktiviteteve në lëmi të ndryshme dhe kontributi i saj njihet për avansimin, këshillimin, edukimin, arsimimin, dhe pavarësimin ekonomik të grave. Në arritjen e barazisë gjinore, të drejtat e njeriut, të drejtën e pronës, angazhimin e grave në politike, punësimin, shkollimin e mesem të vajzave të reja, identifikimin e problemeve, avokim dhe lobim tek institucionet.

Realizimin e aktiviteteve të shumta psikosociale dhe emocionale për të zhvendosurit nga zonat e luftës në Kosovë, të cilat kanë gjetur strehim në komunën e Vitisë, për gratë e traumatizuara gjatë luftës, fëmijët e moshave të ndryshme dhe të refugjatëve nga Maqedonia gjatë konfliktit në IRMJ. Organizimin e grupeve të grave dhe trajnimin e tyre per funksionim, monitorimin e zgjedhjeve të organizuara pas luftës në Kosovë e shumë aktivitete të tjera.

Në vitin 1998, Osmani nga stafi i “Legjendës” zgjidhet kordinatore e qendres se aktiviteteve të shoqatës, e më pas edhe zv.drejtoreshë e shoqatës në fjalë. Osmani, me profesion gazetare, ka punuar edhe si kryetare në Nën Këshillin për mbrojtjen dhe të drejtat e njeriut në Viti, sekretare e qendrës rinore në Viti, koordinatore e forumit qytetar në Viti. Ajo ka punuar si bashkëpunëtore e Njësisë për Hetimet e Krimeve të luftës në Kosovë, anëtare e Këshillit emergjent komunal gjatë konfliktit ne IRMJ. Ka bërë monitorimin e organeve komunale, ëshët emëruar anëtare e shumë komisioneve komunale, anëtare e KKSB-së dhe anëtare e EVSB-së, anëtare e kryesisë së Kryqit të Kuq komunal në Viti, kryesuese e Grupit të Grave të Komunës së Vitisë, anëtare e Bordit Rajonal të Grupeve të Grave, anëtare e Klubit të Gazetarve, Kerim Lewton, etj./Tefik Selimi

You Might Also Like