OPINION

Agush Mehmeti, bashkëluftëtar i Hasan Alisë

Agush Mehmeti, bashkëluftëtar i Hasan Alisë

blerim

Shkruan: Ma.Blerim Haziri, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “ALI HADRI” në Gjilan.

Agush Mehmeti apo Haziri u lind në maj 1920 në fshatin Bresalc, në një familje me tradita patriotike. Meqë mungonin shkollat në gjuhën shqipe si pasojë e sunduesit të kohës, mësimet e para i zhvilloi në odën e burrave dhe aty u kalit në frymën kombëtare. Si shumë të tjerë, si i ri edhe ky do të ketë hise në mbrojtjen e tokave shqiptare, që vazhdimisht rrezikoheshin nga okupatorë të ndryshëm dhe shumë shpesh dilnin në Kikë me bashkëfshatarët e tij, për të ndalë turrin e komitave që tentonin të hynin në këto anë. Pastaj merret ushtar në Suboticë, i cili pas një kohe të shkurtër operohet nga zorra e verbër dhe udhëzohet nga spitali që të vazhdoj detyrën në njësi, mirëpo ai ndërron kahjen dhe largohet për në shtëpi. Një kohë të gjatë edhe pse u kërkua, vazhdoi të rri fshehurazi dhe nuk lajmrohej fare.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore bashkë me 3 vëllezër dhe 5 kusherinj dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë u rreshtuan me forcat demokratike. U angazhua si ushtar i rregullt i Ushtrisë Shqiptare, në Regjimentin e IV-të, në Prishtinë. Mori pjesë në rrethinën e aradhës partizane “Emin Duraku” në malet e Livoçit, nga të cilat luftime mbeti i vrarë Musa Zajmi. Po të njejtit më 2 dhjetor 1944 morën pjesë në sulmin për çlirimin e Ferizajit, ku nga forcat serbe në qendër të tij vritet Daut Rexhë Haziri. Më 23 dhe 24 dhjetor 1944 mori pjesë në formacionet e Molla Idriz Gjilanit në sulmin për çlirimin e Gjilanit nga forcat serbe. Pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore arrestohet dhe dërgohet në Srem të Vojvodinës, kinse për të mbrojtur kufinjtë e Jugosllavisë, ku qëndroi deri më 1947.

Pasi kthehet nga Serbia, si atdhetar me traditë familjare bie në kontakt me shokët e veprimtarisë patriotike, bashkë me Ramadan Bejtën dhe vëllain tij Ibush Haziri, formojnë grupin diversant të LNDSH-së të përbërë prej 30 anëtarësh, shumë nga ta nga bashkëfshatarë.

Agush Haziri me urdhër të Hasan Alisë së bashku me shokë, organizojnë prerjen e shtyllave të telefonit në fshatin Shillovë, me qëllim paralizimin e lidhjeve të organeve okupuese të Gjilanit me Serbinë. Me këtë rast ua bëjnë me dije pushtuesve se rezistenca shqiptare nuk ishte shkëputur dhe popullin do ta kurajonte. Në mesnaten e vitit 1949 priten shtyllat e lidhjeve telefonike në Shillovë të Gjilanit, gjithsej gjashtë shtylla dhe ndërpritet komunikimi Gjilan-Vranjë, komunikim që ishte mjaft i rrezikshëm dhe fatal për shqiptarët. Për këtë vepër u maltretuan mizorisht shillovasit deri sa u zbulua grupi dhe arrestohen. Prokurori i kohës Zekoviq, ngritë aktakuzën dhe organizon gjykim publik për “kontrarevolucionarë”, ndaj të cilëve turma serbe kërkonte dënim me vdekje.

Dy nga ta Agush Haziri dhe Ramadan Bejta dënohen me vdekje-pushkatim, mbi të cilët u ngarkohet edhe një vrasje, të cilët në bashkëveprim me Hasan Remnikun kishin vrarë Petar Markoviqin, sekretar i PKJ për rrethin e Shillovës dhe Malishevës.

Një ditë para pushkatimit, në prill të vitit 1950, Agush Haziri falë shkathtësive që posedonte arrin të thejë burgun e Gjilanit dhe me pranga niset drejt lumit Dobrusha, arrinë deri në fund të Korotishtës, ku me përdorimin e gurëve këput një hallkë të vargojve që kishte në këmbë dhe arrinë në Bresalc.

Në ditët në vijim burgoset Latif Haziri, i cili mbahet në burg për rreth tre muaj. Bresalci mbahej për 6 javë i kontrolluar. UDB-ja premtoi shuma të mëdha parash për ata që do të kapnin apo do të vrisnin Agushin. Pas shtatë dite gruaja dhe motra arrijnë që t’ia këpusin të gjitha prangat. Për një kohë ai u strehua në shtëpinë e Kadri Uruçit nga Bresalci, që ndau një dhomë të vogël, të cilën e përgatiti brenda natës që të mos hetohet. Mirëpo, në atë hapësirë nuk jetohet prandaj kërkoi nga ta, që ta nxjerrin në mal dhe ta takojnë me Hasan Alinë, të cilin takim e bëri të mundur Naman Qarrolli nga Bresalci në shtëpinë e vjetër të vëllezërve Haziri.

Agush Haziri hapur i thotë Hasan Alisë se qëllimi im është të dal në Shqipëri, meqë u plogështua nga shëndeti sepse u torturua nga forcat serbe në burgun që e mbajti. Ata duhet të prisnin edhe një kohë, sa për tu shtrënguar, pastaj për ta pritur edhe mësuesin Mustaf Kokaj.

Mësuesi Mustafë Kokaj një kohë sillej vetëm, në pamundësi që të vërë lidhje me Hasan Alinë, i cili në atë kohë gjendej në anën e Bresalcit dhe Livoçit të Epërm, i shoqëruar me personin që  UDB-ja dhe bashkëpunëtorët e saj vazhdimisht kërkonin Agush Hazirin. Pas më shumë se tetë muajsh qëndrimi në male, më 9/10 tetor 1951 bien në kurth diku në luginën e lumit Bistrica dhe vriten Agush Haziri, gruaja e tij Qibrije Alidemi Haziri, Hasan Alia, mësuesi Mustafë Kokaj me bashkëshorten Rabijen. Pasi vriten ekspozohen në Qendrën e Tregut në Prizren, pastaj në Tregun e Vitisë dhe në fund transferohen në qendër të Gjilanit, trupat e të cilëve ekspozohen për tri ditë rreshtë para sheshit te “Lama e Miellit” (Shtëpia e Mallrave) në Gjilan, me qëllim që të shërbejnë si shembuj për t’i frikësuar qytetarët e kësaj treve shqiptare, trupat e të cilëve ua humbin gjurmët. Gazeta “Rilindja” e dates 14 tetor 1951, botonte shënimin e diktuar nga kryepolici i Kosovës, Shaban Kajtazi, ku thuhej se Agushi është përgjegjës për 26 vrasje, kurse për Mustafën thoshte se ka vrarë dy oficerë të UDB-së.

Fati i trupave të tyre nuk dihet as sot se ku ndodhen. Sipas disa burimeve supozohet se janë varrosur në oborrin e kazermës së asaj kohe të ushtrisë Jugosllave “Zenel Hajdini” në Gjilan.

 

 

 

You Might Also Like