Gjilan

Ambasadori i Francës e vlerëson Gjilanin si shembull të zhvillimit ekonomik

Në kuadër të Javës së Europës në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, shkëlqesinë e tij Didier Chabert, të cilin e ka informuar për sfidat, problemet, zhvillimin ekonomik, e zbutjen e papunësisë.

Kryetari Haziri e ka falënderuar ambasadorin Chabert për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Gjilanin.

“Ambasadori Chabert sot është në vizitë në Gjilan, në kuadër të mbështetjes dhe bashkëpunimit tradicional që Ambasada ia jep Komunës sonë tash e 20 vite. Ne jemi shembulli i vetëm që populli francez në mënyrë institucionale, prej vitit 1996, e ka mbështetur Gjilanin në rrethana shumë të vështira në atë kohë. Gjithashtu, bashkëpunimi ynë vazhdon edhe me regjionin e Strasburgut e qytetin e Luterbach”, ka thënë pas takimit kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Me mbështetjen e Francës, shumë të rinjë të Gjilanit kanë kryer studimet atje dhe janë bërë mjekë e ekonomistë shumë të mirë sot. Po ashtu, shumë fëmijë me anomali të lindur janë trajtuar dhe shëruar në spitalet franceze dhe sot mbajnë familjet e tyre”, u shpreh Haziri.

Ndërkaq, ambasadori I Francës në Kosovës, Didier Chabert, pasi falënderoi kryetarin Haziri për pritjen, e ka vlerësuar Gjilanin si shembull të zhvillimit ekonomik dhe i zhvillimit agro-industrial.

“Gjilani është një shembull i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit agro-industrial të ndërmarrjeve të ndryshme të cilat kanë një impakt në zhvillimin e Kosovës, e po ashtu edhe në eksport e në zhvillimin e industrisë në përgjithësi. Është një komunë, e cila ka shkuar përpara edhe në zhvillimin e infrastrukturës, e gjithashtu është një komunë shembull i bashkëpunimit dhe integrimit të komuniteteve”, tha ambasadori Chabert, për të shtuar se Franca do të vazhdoj ta mbështesë Gjilanin në lëmin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

“Për më tepër, Gjilani është një komunë e cila ka një bashkëpunim të gjatë me Francën dhe këtë bashkëpunim ne do ta zgjerojmë dhe do ta mbështesim në vazhdim edhe në lëmin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore sepse Gjilani është qytet i artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Ky takim i sotëm, falë kryetarit të Komunës, ka qenë shumë i frytshëm. Kjo është vizita ime e parë në Gjilan, por nuk do të jetë e fundit në këtë qytet të bukur të Kosovës”, ka thënë ambasadori Didier Chabert.

Përndryshe, ambasadori Chabert pas takimit me kryetarin Haziri ka vizituar nxënësit e gjimnazit, duke marrë kështu përshtypjet e tij për edukimin që bëhet aty. ​

You Might Also Like