Muzikë

Ansamblet e Gjilanit, Kumanovës e Preshevës, performuan për nder të 12-vjetorit të pavarësisë

Gjilan, 16 shkurt 2020 – Në vazhdën e aktiviteteve në shënim të 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Gjilan është mbajtur Festivali i këngëve dhe valleve “Gjilani Fest 2020”, aktivitet ky i organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Para publikut gjilanas, të dielën kanë performuar, Ansambli Gjilani, Ansambli Bajram Shabani nga Kumanova dhe Ansambli Presheva, nga ky qytet i Kosovës Lindore.

Deniza Limani, drejtoreshë e Kutlturës në Gjilan, në emër të Lutfi Hazirit, e ka shpall të hapur këtë Festival, duke thënë se kjo komunë ka qenë gjithmonë qendër e kulturës, por që ky epitet është vulosur në vitet e fundit.

“Faleminderit Anasambleve për vlerat kulturore që po na japin në vigjilje të 12-vjetorit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, datë kjo, ndër më të rëndësishmet historikisht për shqiptarët. Në këtë ditë i kujtojmë dhe kurrë nuk i harrojmë ata që me gjakun e tyre e njomën lirinë e pavarësinë e Kosovës, dëshmorët, heronjtë e martirët e kombit, të cilëve u takon lavdia”, ka thënë Limani.

Ndëkohë, nesër, në 12-vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, kryetari Haziri me bashkëpunëtorët bëjnë homazhe tek varrezat e qytetit (11:00), ndërsa në ora 17:00, mbahet Akademi për nder të ditës së mëvetësisë së Kosovës, ku edhe do të ndahen çmimet, Nderi i Qytetit dhe Heroinat e Qytetit, në sallën e teatrit.

You Might Also Like