OPINION

Arsimi shqip në Rrethin e Gjilanit në vitet e fundit të sundimit osman

aliriza  Shkruan: Aliriza Selmani

Për ta kuptuar më mirë rolin e shkollës dhe arsimit në gjuhën shqipe do të shërbehemi me një thënie të gjeniut tonë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare – Sami Frashërit, i cili deklaron: “S’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkronja shqipe e pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja”. Prandaj, gjatë tërë kohës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përpjekjet dhe lufta për arsimin kombëtar ka qenë pjesë e pandarë e luftës që e zhvillonte populli shqiptar për çlirimin kombëtar. Mirëpo,  shqiptarëve asnjëherë gjatë sundimit osman nuk iu njoht e drejta e shkollimit në gjuhën amtare.

Përkundër kësaj, në trojet shqiptare, hapeshin dhe punonin shkollat shqipe. Kështu edhe në Kazanë e Gjilanit, që nga gjysma e shekullit XIX, punonte një shkollë shqipe pranë kishës katolike në fshatin Stublla e Epërme. Shkolla është legalizuar në vitin 1905 dhe është financuar nga qeveria austro-hungareze. Mësues në këtë shkollë, që nga viti 1896, ishte prifti i famullisë së Stubllës, Don Mikel Tarabulluzi nga Prizreni. Kjo shkollë katërvjeçare për djem e vajza, me ndërprerje të kohëpaskohshme, ka punuar gjer më 1921 dhe gjatë kësaj kohe atë e kanë përfunduar tri gjenerata nxënësish. Furnizimin e saj me libra e bënin shoqëritë patriotike shqiptare, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit. Shkolla në Stubëll ishte bërë vatër e rëndësishme arsimore dhe qendër e përhapjes së ideve të Lëvizjes Kombëtare. Për shkak të aktivitetit në rrafshin e ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe intelektuale, mësuesi i saj Don Mikel Tarabulluzi, ishte burgosur, torturuar dhe ekzekutuar mizorisht.

Pas ngadhënjimit të Revolucionit Xhonturk dhe shpalljes së Hyrijetit (Lirisë), më 23 korrik 1908, Lëvizja Kombëtare Shqiptare shtroi si detyrë që të gjithë shqiptarët të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën amtare, ngase shpallja e Kushtetutës dhe lëshimet që iu bënë fillimisht kombësive joturke mundësuan që lëvizja për arsimin shqip të avancohej më shumë. Duke u nisur nga kjo, si në të gjitha viset shqiptare, edhe në qarqet patriotike shqiptare të Kazasë së Gjilanit u nxitua të shfrytëzohen liritë e kufizuara në këtë plan dhe filluan të përhapen format e arsimit shqip, si në planin individual ashtu edhe atë kolektiv. Në kuadër të klubit shqiptar si organizatë e gjerë demokratike, ishte përqendruar veprimtaria politike dhe kulturore e patriotëve të kësaj ane. Në këtë klub kishte përfaqësues nga të gjitha shtresat shoqërore. Klubi zhvillonte aktivitet të dukshëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe ngritjen e Lëvizjes në nivel më të lartë. Me iniciativën e klubit dhe të disa patriotëve, të prirë nga Hasan Prishtina, Nexhip Draga etj., u hapën shkollat e para private shqipe në Gjilan e rrethinë. Pos mësimit të zakonshëm në to vepronin edhe kurset për të rritur dhe forma të tjera për përhapjen e shkrim – leximit shqip në popull. Përmes klubeve bëhej furnizimi i shkollave me tekste mësimore, siguroheshin mësuesit etj. Lidhur me hovin e shkollave shqipe në ditët e para pas Revolucionit, dëshmon shtypi serb i kohës. Kështu, gazeta zyrtare qeveritare “Politika”, më 26 gusht 1908, në një artikull të titulluar “Shqiptarët po hapin shkolla”, pos tjerash shkruan: “Shqiptarët kanë vendosur të hapin shkolla në gjuhën shqipe kudo që ka shqiptarë.”

Një shkollë e tillë shqipe, me iniciativën e patriotit Islam Pira, ishte hapur edhe në Pozharan, në fshatin më të madh të Kazasë së Gjilanit. Ndërtimin e objektit të së cilës e kishte bërë vetë Islam Piira. Sipas të dhënave memoriale si mësues i parë i kësaj shkolle ishte mulla Syla i Terpezës, i cili dispononte me një tekst në gjuhën shqipe. Pas të cilit, me iniciativën e veprimtarëve shqiptarë, mësues i kësaj shkolle është caktuar Nejzir Baki Efendiu., i cili filloi punën në tetor të vitit 1909. Konsulli serb në Prishtinë, M. Rakiqi, shënon se ai kishte punuar në këtë shkollë deri në mbylljen e saj, në gjysmën e dytë të vitit 1910, kur u mbyllën të gjitha shkollat shqipe me alfabetin latin. Konsulli serb shton edhe se “kjo është shkolla e parë fshatare në këtë anë”, ndërsa për mësuesin i cili “do ta zhvillojë mësimin në gjuhën shqipe me alfabet latin”, shkruan: “Ai është i ri dhe inteligjent, i lindur në Vilajetin e Janinës. Disa shkolla i ka mësuar në Bullgari, kështu që e zotëron shumë mirë bullgarishten.” Në një korrespondencë nga Shkupi, për gazetën e Bostonit “Dielli”, në nëntor të vitit 1909, lidhur me këtë shkollë shkruhej: “Kjo mësonjëtore ka me pasë një vleftë të madhe për ato vise e për krejt Kosovën”.

Përveç shkollës në Pozharan, në vjeshtën e vitit 1909, në Kazanë e Gjilanit ishin hapur edhe dy shkolla shqipe. Kështu gazeta e Manastirit “Bashkimi i Kombit” shënon: “Pemët e para të udhëtimit të Hasan Prishtinës në Kosovë janë këto: Një shkollë shqipe u hap në Moravë më mësonjës Rexhep Rapën, një tjetër shkollë në Gjilan me mësonjës Adem Efendiun dhe një tjetër në Pozharan me mësonjës Nejzir Baki Efendinë”. Ndërkaq gazeta “Liria” e Selanikut më 20 shkurt 1910, në fgaqen e parë, në artikullin me titull “Zoti Veli Tepelena mësonjës i shkollës shqipe në Gjilan”, ndër të tjera shkruan: “Patëm gaz të piqemi me zotin Veli Efendi dhe kemi shpresë që shkolla dhe mësimi shqip do të vejë shumë përpara me përpjekjet dhe sjelljet e mira të tij”.

Duhet cekur se ardhja e mësuesve dhe veprimtarëve të tjerë për të punuar në shkollat shqipe në Kosovë ishte bërë pas apelit të Hasan Prishtinës në gazetën osmane “Sabah”, përmes të cilës ai i drejtohet opinionit shqiptar se nevoiteshin 10 mësues “për mësonjëtoret shqipe të Kosovës”. Mbi shkollën shqipe në Gjilan bën fjalë edhe konsulli serb në Shkup, i cili në një shkresë të 17 janarit 1910 e njoftonte ministrinë e jashtme se “Shqiptarët e Gjilanit kohëve të fundit e kanë hapur një shkollë shqipe private në të cilën po mësohet me alfabetin latin.” Në këto shkolla, pos shkrim leximit, mësohej edhe histori, gjeografi etj.

Në bazë të të dhënave të sipërshënuara është evidente se atëbotë në trevën e Gjilanit, pos shkollës në Stubëll të Epërme, punonin edhe tri shkolla shqipe me alfabetin latin. Hapjen dhe mirëvajtjen e këtyre shkollave e kishin ndihmuar edhe ca përfaqëues shqiptarë të pushtetit osman të kazasë. Me këtë rast duhet përmendur kajmekamin e Gjilanit Xhelal Beun, shqiptar nga fshati Tërnoc, përkrahës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe basshkëpuntor i Idriz Seferit, për të cilin kemi bërë fjalë në shkrimet tjera, ky me disa përfaqësues të pushtetit lokal kishte shkuar në fshatin Përlepnicë, për të shikuar mundësitë lidhur me hapjen e një shkolle shqipe, por kishte hasur në kundërshtim dhe pengesa nga ana e disa agallarëve.

Krahas përpjekjeve për hapjen e shkollave shqipe, ishin bërë përpjekje që edhe në shkollat shtetërore të mësohej në gjuhën shqipe. Kështu, nxënësit e Ruzhdijes (Progjimnazit) të Gjilanit kishin kërkuar nga pushteti osman të mësojnë në gjuhën shqipe, por kërkesa e tyre ishte hedhur poshtë.

Krahas luftës për shkollat shqipe me alfabet latin, gjithandej në viset shqiptare punohej edhe në forma të tjera për ngritjen arsimore të popullit në gjuhën amtare. Njëra ndër format më të rëndësishme ishte organizimi i kurseve për mësimin e shkrim leximit, si në fshatra ashtu edhe në qytet, që drejtoheshin nga mësuesit vullnetarë dhe hoxhallarët. Një kurs i tillë për të rritur ishte organizuar edhe në Gjilan. Kursin e ndiqnin 63 individë, prej të cilëve 21 ishin hoxhallarë. Ata e kishin për detyrë ta mësonin shqipen e pastaj t’ua mësonin atë fëmijëve shqiptarë në shkollat ku do të punonin. Mësimi i shkrim-leximit shqip bëhej edhe në grupe të vogla, edhe në shtëpi nga njëri tjetri, edhe në punë. Këtë e dëshmon kërkesa e shtuar për libra shqipe dhe tekste shkollore, drejtuar klubeve kombëtare dhe shoqërive patriotike në mërgim. Klubi “Bashkimi” i Manastirit në këtë kohë ishte baza më e rëndësishme nga furnizoheshin qytetet e Vilajetit të Kosovës me tekste shkollore dhe literaturë të nevojshme në gjuhën shqipe. Dokumentet e kohës dëshmojnë se “Shqiptarët që shkonin në Manastir gjatë kësaj kohe, ktheheshin në viset e tyre të ngarkuar më libra, broshura dhe abetare”. i tërë ky aktivitet bëri që brenda një kohe të shkurtër shumë shqiptarë kishin mësuar të shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën amtare.

Pas shumë përpjekjesh të deputetëve patriot në Parlamentin osman, të Hasan Prishtinës, Nerxhip Dragës etj., si dhe me kërkesën e nxënësve shqiptarë, në janar të vitit 1910 u arrit që në Idadijen (Gjimnazin) e Shkupit të futet mësimi në gjuhën shqipe me alfabet kombëtar si lëndë fakultative, ku u regjistruan rreth 50 nxënës prej të cilëve numri më i madh ishte nga Prizreni, Gjakova, Peja, Prishtina, Gjilani etj. Si mësues i gjuhës shqipe ishte caktuar Bedri Pejani, i cili njëherit ishte edhe drejtor i kësaj shkolle.

Kur arsimi kombëtar kishte marrë hov, në të gjitha viset e banuara me shqiptarë, ndihej mungesa e mësuesve të gjuhës shqipe. Prandaj para patriotëve u shtrua si detyrë e ngutshme përgatitja e kuadrove për shkollat shqipe. Me shumë përpjekje dhe pas shumë kërkesash, në dhjetor të vitit 1909, u arrit që të fillojë nga puna Shkolla Normale në Elbasan. Në këtë shkollë u regjistruan nxënës nga katër Vilajetet shqiptare: Kosova, Shkodra, Manastiri dhe Janina. Nga Kosova në vitin e parë u regjistruan 50 nxënës, që ishte rreth 1/3 e numrit të përgjithshëm të nxënësve të Normales. Për dërgimin e këtyre nxënësve, pos klubeve dhe veprimtarëve të ndryshëm kosovarë, kontribut të posaçëm kishte dhënë Hasan Prishtina, i cili me shpenzimet e tij kishte dërguar 21 të rinj, duke u zotuar se do të dërgonte “edhe shumë të tjerë”. Në mesin e atyre që i financonte vetë Hasan Prishtina gjendeshin edhe 5 të rinj nga Rrethi i Gjilanit. Sipas gazetës “Liria” të Selanikut, këta gjilanas të rinj ishin: Shyqri Malushi, Qamil Zejneli, Nevzad Sherifi, Sait Ademi dhe Beqir Sadiku. Ata së bashku me shkollarët tjerë kosovarë, të ndarë në dy grupe, gjatë janarit dhe shkurtit të viti 1910, udhëtuan përmes Shkupit dhe Manastirit, për në Elbasan. Gjatë qershorit dhe korrikut të këtij viti Hasan Prishtina në shkollën normale të Elbasanit e kishte nisur edhe një grup tjetër prej më se 30 nxënësish nga Shkupi, Gjakova, Peja, Gjilani, Vushtrria etj.

Sukseset e arritura nga zhvillimi legal i arsimit kombëtar dhe hapja e shkollave shqipe, si fole të kultivimit dhe forcimit të ndjenjave kombëtare, e shqetësuan pushtetin e ri. Për këtë arsye ata në fillim vunë në veprim elementin fanatik fetar dhe çifligar turkoman dhe përmes tyre zhvillonin propagandë të dendur me anë të mitingjeve e fjalime të ndryshme kundër mësimit shqip dhe shkollave me alfabetin latin. Të gjithë patriotët që punonin për gjuhën dhe shkollën shqipe, paraqiteshin si “njerëz të shitur”, që punonin për interesat e shteteve të huaja, ndërsa insistohej në alfabetin arab si alfabet i të gjithë myslimanëve, duke anatemuar shkrimin latin si element që ishte në kundërshtim me besimin islam.

Aktiviteti propagandues kundër shkollës shqipe dhe masat ligjore të pushtetit e arritën efektin. Këtë e provojnë edhe raportet konsullore, në të cilët flitet për telegramet që i dërgoheshin Ministrit të Arsimit nga ana e disa mësimdhënësve të shkollave osmane dhe disa çifligarëve të shquar, përndryshe ithtarë të alfabetit arab, ku ata prononcohen kundër shkollave shqipe dhe alfabetit latin. Në raporte hasen edhe këta emra nga Gjilani: Hajrullah Mustafa dhe Mehmed Ymeri, të cilët kërkojnë mëshirë nga Ministri i Arsimit dhe deklarohen se janë fuqimisht kundër shkollës shqipe.

Në janar të vitit 1910, Xhonturqit, në bashkëveprim me disa çifligarë e të tjerë fanatikë gjilanas, duke protestuar kundër shkollës shqipe, provokuan dhe zbatuan thyerjen e shkollës shqipe me alfabet latin në Gjilan. Me rastin e këtij akti vandal, u nxorën jashtë dhe u shkatërruan të gjitha orenditë e shkollës, ndërkaq të gjitha librat shqipe u dogjën në grumbull. Pas pak u dëbuan edhe dy mësuesit shqiptarë që ishin duke mbajtur mësimin në gjuhën shqipe me alfabetin latin. Ndërkaq, më 6 shkurt 1910, (1325 h), Ministria e Arsimit i kishte dërguar një urdhëresë telegrafike me nr. 61068, valiut të Kosovës në Shkup, ku pos të tjerash shkruante: “Edhe populli i Vilajetit të Kosovës është deklaruar kundër përdorimit të alfabetit latin. Prandaj ju komunikojmë se në të gjitha shkollat brenda vilajetit duhet të mësohet vetëm me alfabetin arab”. Bazuar në këtë Urdhëresë të ministrit të arsimit, Valiu i Kosovës, Mashar Beu, menjëherë lëshoi Urdhëresën për mbylljen e të gjitha shkollave shqipe të vilajetit dhe për heqjen e gjuhës shqipe nga shkollat osmane. Kjo shkaktoi që të mbyllen edhe shkollat shqipe në Anamoravë, ndërsa në Idadinë e Shkupit u ndalua zhvillimi i mësimit në gjuhën shqipe. Sipas arsyetimeve të pushtetit, kjo bëhej nga se çështja e gjuhës shqipe kishte marrë karakter politik. Kundër mbylljes së shkollave shqipe e në veçanti kundër vandalizmit ndaj shkollës shqipe në Gjilan, reagoi ashpër shtypi shqiptar i kohës. Kështu, gazeta “Liria”, në një artikull drejtuar pushtetit xhonturk, i akuzonte ata për arbitrarizëm dhe shkelje të drejtave elementare të shqiptarëve. Ndërkaq gazeta “Shqypeja e Shqypenisë” e Sofjes, më 1 mars 1910, shkruante: “Valiu i Kosovës është armik i shqiptarëve, sepse bën përpjekje për ta ndaluar mësimin në gjuhën shqipe. Ai nuk don ta dëgjojë fare gjuhën shqipe. E ka larguar Drejtorin e Idadisëe s Shkupit (Bedri Pejanin A.S.), i cili filloi ti mësojë nxënësit shqip. Valiu ka konfisku gazetatr shqipe” Më poshtë gazeta e njofton opininonin shqiptar për reagimin e ashpër të Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës, të cilët nga qeveria në Stamboll kërkonin largimin e menjëhershëm të këtij “njeriu të dëmshëm” nga Kosova, duke paralajmëruar “që të mos kthehen ngjarjet ndryshe.”

Do theksuar se tërë aktiviteti xhonturk kundër shkollës shqipe dhe arsimit shqip me alfabet latin e kishte përkrahjen e qarqeve antishqiptare ballkanike, posaçërisht atyre serbe, të cilët solidarizoheshin me “Xhemijetin” dhe aprovonin politikën shoveniste kundër shkollës dhe arsimit shqip.

Ndërhyrja e pushtetit xhonturk kundër shkollës dhe alfabetit shqip ishte ndër shkaqet kryesore të keqësimit të mëtejshëm në situatën e marrëdhënieve shqiptaro-osmane dhe të shpërthimit të kryengritjes së armatosur në vitin 1910.

Acarimi i marëdhënjeve  shqiptaro-osmane rretrh shkollave dhe gjuhës shqipe arriti kulmin, atdhetarët shqipatrë thirrën Kongresin e Dytë të Manastirit, i cili i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910. Në kongres morën pjesë delegatët e mbi 30 klubeve, shoqërive dhe qyteteve të katër vilajeteve shqiptare. Në emër të klubit shqiptar të Gjilanit mori pjesë Bejtullah Beu (i biri i Hysen Pashës), i cili ishte ndër delegatët më të dalluar të Kongresit. Si pikë e parë dhe qendrore e rendit të ditës ishte aktiviteti i mëtejshëm për shkollën shqipe dhe angazhimi për mospërzierjen e pushtetit në çështjen e alfabetit, respektivisht që shteti të mos i pengojë shqiptarët në zhvillimin e tyre kulturo-arsimor në gjuhën amtare. Të gjithë delegatët ishin unanimë se duhet mbrojtur “shkronjat tona kombëtare me mish e me shpirt”, siç u shpreh delegati dhe patrioti i shquar Dervish Hima.

Nga tërë ajo që u tha shihet se pushteti osman bënte çmos për të pamundësuar hapjen e shkollave shqipe dhe arsimit në këtë gjuhë, si faktor me rëndësi për ngritjen e vetëdijes dhe idesë së bashkimit kombëtar. Për ta arritur këtë, pos masave të tjera ligjore, ajo përdori edhe elementin fetar islam, duke i denoncuar ithtarët e shkollës shqipe dhe alfabetit latin si njerëz që punonin për interesat e huaja. Megjithatë, tanimë vetëdija kombëtare kishte depërtuar kudo dhe interesimi për shkollën shqipe i kishte përfshirë masat e gjera popullore, kështu që, pa marrë parasysh rrezikun, njerëzit i lexonin gazetat dhe librat shqipe dhe në këtë mënyrë zgjohej vetëdija dhe dashuria për gjuhën, atdheun dhe kombin.

 

 

You Might Also Like