Futboll

Art Duraku, futbollist që po shkëlqen

Ai është shpresë e madhe e futbollit gjilanas dhe atij kosovar. Djaloshi që po shkëlqen në fanellën e SC Gjilani tashti ka nisur rrugëtimin drejt majave të futbollit, kurse njohësit e futbollit për të thonë se ka një të ardhme të ndritur.

Bëhet fjalë për futbollistin e ri dhe tejet perspektiv, Art Duraku, i cili është pjesë e SC Gjilani, kategoria U-15.

Sivjet nga 18 lojërat e mundshme, në ekipin e SC Gjilanit u paraqit në 17 ndeshje, duke munguar vetëm në njërën prej tyre, shkaku i lëndimit. Ky mesfushor, me tipare defanzive, qendrore dhe ofanzive dha kontributin që ekipi i tij të jetë kampion në grupmoshat U-15 e për këtë lojtarë tejet të vyeshëm fjalë miradije ka thënë edhe trajneri Sadullah Ajeti.

 

 

Arti luan me të dy këmbët, por e preferuara e tij është e djathta, kurse kur ai shqelmon topin, portierët gjithnjë janë në vështirësi të mëdha. Edhe në këtë kampionat 2018/2019, kur SC Gjilani u shpall kampion, Art Duraku ka kontribuar edhe me dy gola, të cilët i ka shënuar nga largësia e madhe dhe ishin shumë të bukur.

Duke qenë një lojtar tejet i vyeshëm, Art Duraku u ka rënë në sy edhe trajnerëve, të cilët e ftuan që të jetë pjesë e përfaqësueses së Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, në të cilën u paraqit në katër ndeshje, duke iu besuar edhe shiriti i kapitenit.

“E dua shumë lojën e futbollit dhe dua që me zell, punë e përkushtim të arrijë sa më larg në këtë sport”, thotë pesëmbëdhjetëvjeçari Art Duraku, i cili në synimet e tija ka gjetur përkrahjen e trajnerëve të tij, por edhe të babit Arbenit, mësimdhënës i fizikës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”.

E ardhmja e futbollistit Art Duraku është e ndritur, kurse Gjilani që gjithnjë ka qenë fidanishte e futbollistëve të rinj nuk duhet të druaj e duhet të investojë në futbollistë që dalin nga gjiri i tij, të cilët në vitet që vijnë pritet të bartin barrën kryesore në ekipin kuq e bardhë.

You Might Also Like