SPORTI

Arta Rexhepi – Berisha zgjidhet kryetare e KGJ “Halil Alidema”

Klubi i Gjimnastikës “Halil Alidema” ka mbledhur dhjeta gjimnaste të reja, të cilat nën përkujdesjen e kryetrajnerit Hazir Alidema tashti kanë bërë emër kudo në Kosovë dhe jashtë saj.

Ky sport i rrallë ndër ne, por tejet tërheqës, për çdo ditë po tërheq vajzat e reja, të cilat po fascinojnë publikun me paraqitjet e tyre, andaj ky klub meriton përkrahje nga institucionet tona, por edhe kompanitë dhe njerëzit vullnetmirë.

Së fundi, këtij klubi i është shtuar edhe një punëtore e vyer, e cila është vënë në krye të KGJ “Halil Alidema”. Është Arta Rexhepi – Berisha, që është zgjedhur kryetare e klubit.

Arta Rexhepi – Berisha, është mësimdhënëse e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, e cila ka një karrierë të pasur në arsimin fillor, të mesëm dhe atë universitar, duke edukuar gjenerata të reja. Ajo në dy mandate ishte këshilltare në Asamblenë Komunale të Gjilanit, pastaj anëtare e Komitetit për Kulturë, Rini e Sporte, punoi edhe në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun e poste të tjera me rëndësi, kurse është edhe trajnere dhe e pajisur me certifikata të ndryshme kryesisht në sferën e arsimit.

Tashti, siç thekson Arta Rexhepi – Berisha, angazhimin e saj do t’a vazhdojë në promovimin dhe masivizimin e sportit të gjimnastikës, andaj ka marrë këtë detyrë me përgjegjësi. Sipas saj, Gjilani, Anamorava e Kosova kanë talente të këtij sporti dhe pasi ka parë punën që po bënë profesori i Kulturës Fizike, Hazir Alidema, me plot vullnet është bashkëngjitur në këtë kolektiv të vyeshëm sportive.

You Might Also Like