KULTURA, LAJME

Aty ku ruhet e kaluara e Anamoravës

Mbi 133 fonde dhe koleksione arkivore, përkatësisht rreth 600 metra gjatësi lëndë arkivore,  e cila kryesisht i përket periudhës së pas vitit 1945 ruhet në Arkivin Ndërkomunal të Gjilanit, thotë Nazmi Muja, drejtor.

Në të ruhet jo vetëm e kaluara e Gjilanit, por e tërë Anamoravës. Mbi 133 fonde dhe koleksione arkivore, përkatësisht rreth 600 metra gjatësi lëndë arkivore,  e cila kryesisht i përket periudhës së pas vitit 1945 ruhet në Arkivin Ndërkomunal të Gjilanit, ndërkohë që lënda e periudhës së mëhershme të kësaj treve është marrë dhe ruhet në Arkivin e Kosovës. Në regjistratura deri më tani gjatë vizitave të arkivit janë evidentuar rreth 5000 metra gjatësi lëndë arkivore, ku për shkak të mungesës së lokaleve nëpër fondkrijuesit shpesh është e rrezikuar për dëmtim dhe humbje.

Nazmi Muja, drejtor i Arkivit Ndërkomunal të Gjilanit, thotë se ky arkiv vepron që nga viti 1971 dhe është i karakterit rajonal dhe si detyrë parësore ka që të evidencojë, grumbullojë, ruaj, rregullojë, përpunojë dhe publikojë lëndën arkivore. Ai kishte nisur punën si Arkivi Historik në Gjilan e tashti  vepron në kuadër të Agjencisë së Arkivave të Kosovës si Arkivi Ndërkomunal në Gjilan.

Muja, kujton kohërat kur përpos kuadrit profesional, kishte edhe mungesë të lokalit, por me kohë paralelisht me shtimin e sasisë së lëndës arkivore, përkatësisht të fondeve dhe koleksioneve arkivore në arkiv, është shtuar numri i kuadrit profesional. Aliriza Selmani, magjistër i historisë, ishte drejtori i parë shqiptar i këtij institucioni të rëndësishëm dhe ai, deri në daljen në pension gjithsesi se ka dhënë një kontribut të çmueshëm në mbrojtjen, evidencimin, pranimin, rregullimin, përpunimin, ruajtjen, prezantimin, publikimin e lëndës arkivore dhe dhënia e saj për shfrytëzim. Ishte pikërisht kjo kohë, kur Arkivi Ndërajonal i Gjilanit ishte përzgjedhur më i miri në Kosovë, epitet të cilin e mban edhe tashti.

Nazmi Muja, drejtor, thotë se ky arkiv ka katër shërbime, atë për mbrojtjen dhe pranimin e lëndës arkivore, shërbimi i depos, shërbimi për rregullimin dhe përpunimin e lëndës arkivore dhe shërbimin për punë të përgjithshme. Sipas tij, që nga fillimi i punës së Arkivit, pengesë ka paraqitur mungesa e lokalit adekuat. Nga viti 1979, e deri në fund të vitit 2008, Arkivi ka qenë i vendosur në qendër të qytetit, ku me adaptimin e lokaleve dhe me pajisje teknike, janë krijuar kushte për punë.  Nga janari 2009, Arkivi është vendosur në lokalet e konviktit të shkollave të adaptuar për nevojat e arkivit. Si zgjidhje e vetme afatgjate është ndërtimi i objektit të ri të arkivit, i cili do t’i plotësonte nevojat e standardeve bashkëkohore të arkivistikës. Me miratimin e planit rregullativ të qytetit, përkatësisht lagjes “Fidanishta” është përcaktuar vendi për ndërtimin e arkivit, në kompleksin e organeve të rendit: policisë, prokurorive dhe gjykatave, në bashkëpunim me zyrën për projekte të Kuvendit Komunal në Gjilan është përgatitur projekti ideor për objektin e arkivit dhe pritet gjetja e donatorëve për realizimin e tij.

Gani Maliqi, zyrtar për mbrojtjen e materialit arkivor, thotë se shërbimi për mbrojtje qysh në fillim ka marrë mbi veti krijimin e evidencës komplete të regjistraturave ekzistuese dhe të suprimuara, deponimin e lëndës arkivore të rrezikuar sipas prioriteteve si dhe marrjen e masave për mbrojtjen e lëndës arkivore jashtë arkivit. Nga ajo lëndë një pjesë e mirë ka arritur që sipas ligjit që të dorëzohet në arkiv. Ai thotë se obligim i këtij shërbimi, ishte evidentimi i lëndës arkivore të zhdukur nga pasojat e luftës, të bartur nga ana e okupatorit serb, si dhe marrjen e lëndës arkivore nga regjistratura e ish- Kuvendit të Komunës së Gjilanit për shkak të rrënimit të objektit dhe nga regjistraturat e shuara, nga disa organizata të shuara ekonomike etj.

Meqenëse Arkivi është i tipit të përgjithshëm, lënda e cila ruhet në Arkiv përfshin dokumente nga e kaluara historike, ekonomike, sociale, politike, arsimore, kulturore e tjera  të popullsisë që jeton  në Gjilan e rrethinë e më gjerë në Anamoravë.

Sipas Nazmi Mujajt, drejtor, përveç detyrave e punëve të tjera profesionale në arkiv, detyrë e punëtorëve të arkivit është edhe publikimi i lëndës arkivore. Pas luftës, nëpërmjet mjeteve elektronike, shtypit të vendit, Vjetarit të Arkivit dhe mënyrave të tjera, janë publikuar të dhëna nga lënda e grumbulluar e arkivit dhe veprimtaria arkivore është publikuar “Udhërrëfyesi i arkivit”, libri “Shpërngulja e Shqiptarëve nga Gjilani e Rrethina në Turqi” (sipas dokumenteve arkivore) si dhe punime profesionale në revista dhe shtypin qendror të vendit bazuar në të dhëna nga lënda e arkivit, janë organizuar tri ekspozita me dokumente dhe fotgrafi: një në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe tri nga Arkivi Ndërkomunal në Gjilan, me pasurin arkivore të arkivit tonë me temë “Anamorava gjatë Historisë sipas Dokumenteve dhe Fotografive” , dhe në vitin 2011 në bashkëpunim me Drejtorin Komunale për Arsim në Gjilan, për nder të 7 Marsit Ditës së mësuesit është organizuar ekspozita “Arsimi i Anamoravës në Dokumente dhe Fotografi” , kurse në vitin 2012 me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është hapur ekspozita “Gjilani në foto të Vjetra”.

Ky arkiv ka bashkëpunim me të gjithë Arkivat e Kosovës, institucionet kulturore, arsimore, etj. të Komunave të Regjionit,  si dhe zhvillon aktivitet bashkëpunimi me vendet tjera dhe në rend të parë me Arkivat Shtetërore të Shqipërisë, dhe me arkivat tjera të rajonit, kurse shfrytëzues më të shumtë janë qytetarët, hulumtuesit shkencor, gazetarët, institucionet e pushtetit lokal në regjion, kërkojnë dëshmi për realizimin e të drejtave të tyre, si dhe nxënës, studentë e hulumtues shkencorë.

 

 

You Might Also Like