Libri

AVNI RUDAKU PËR 20 DITË VETIZOLIM BOTON LIBRIN MBI 400 FAQE

 

Avni Rudaku, me profesion sociolog e psikolog, i njohur edhe si poet, publicist, vjen me librin e tij më të ri mbi pandeminë COVID-19, i shkruar në veten e parë, duke paraqitur studime rastesh dhe referenca shkencore. Kryelajmi sot ka zhvilluar një intervistë me të.

 

Kryelajmi: Z. Rudaku, fillimisht ju falënderojmë të jeni pjesë e intervistës sonë. Ju jeni autor i dy libra të mëhershëm dhe këto ditë botuat librin e tretë “Ka virus, s’ka kapar”… Pse vendosët ta jetësonit këtë libër?

Rudaku: Sapo mora vesh që isha i dyshuar nga kontakt rasti me COVID-19, u vetizolova për të ruajtur të tjerët. E mendova: çfarë do të bëja 20 ditë në vetizolim? Vetëm të lexoja, vetëm të mendoja si do të iknin ato ditë dhe vendosa më në fund ta bëja një libër, ta ndaja përvojën time në vetizolim me të tjerët, përvojën e të tjerëve që janë prekur me COVID-19 dhe të ndaja citime e referenca shkencore mbi koronavirusin e ri.

 

Kryelajmi: Libri përfshin edhe përvojën tënde me COVID-19. Kah ishte kjo energji dhe ta përfundonit mbi 400 faqe për vetëm 20 ditë në vetizolim?

Rudaku: Njerëzit duhet të gjejnë gjithmonë diçka që u jep kuptim jetës së tyre të përditshme. Duke vënë qëllime, synime, objektiva, ëndrra e projeksione, disi, edhe kalohet dita e jeta më shpejt, dhe kur diçka kalon shpejt, ne shpesh themi se jemi në kënaqësi, ndërsa kur diçka shkon ngadalshëm, themi se është ditë e jetë monotone, e mërzitshme. Energjia ishte vullneti që po e bëja një projekt të veçantë, në vetizolim dhe përveç Paracetamolit, e kisha vetëm një armë tjetër kundër COVID-19: të shkruarit e librit dhe leximin e librave të të tjerëve. Edhe kur kishim dhembje të muskujve, shkruanim pa u ndalur.

 

Kryelajmi: “Ka virus, s’ka kapar”, nga erdhi kjo ide?

Rudaku: Duke e parë që shumë komentues dhe opinionistë e interpretonin në mënyrë bukvale, deklarimin e këngëtarit Labinot Tahirit, “S’ka virus”, vendosëm që të jepnim një mesazh se edhe mohuesit e virusit, besuakan në ekzistencën e tij, por nga goditja e ekonomisë prej pandemisë, filloi gjithnjë e më shumë të mohohej virusi SARS-CoV-2 dhe pandemia në përgjithësi. Duke e mohuar virusin, e mohonin pandeminë dhe masat antipandemi. Duke e mohuar virusin dhe masat antipandemi, ishin kundër masave kufizuese që pengonin të hyrat financiare. Prandaj, nuk besoj se këngëtari dhe ish-deputeti Tahiri, e mohonte virusin sikur edhe shumë të tjerë, por nuk ishte i kënaqur me masat antipandemi, që ndalonin për sivjet, organizimin e dasmave dhe ahengjeve familjare. Ai deklaronte bashkë me kolegët e profesionit të njëjtë, se nuk kishte mundësi t’ua kthente klientëve kaparin e dasmës, prandaj unë deklarimin e tyre “S’ka virus”, e bëra sinonim me “S’ka kapar”, “S’ka këste”, “S’ka ekonomi”.

 

Kryelajmi: Për ata dhe ato që e lexojnë këtë libër, mendon se do të jetë një motiv që këtë sfidë dhe sfidat e tjera t’i kalojnë më me lehtësi?

Rudaku: Po, ky ka qenë edhe një nga mesazhet e librit tim, dhe këtë e deklaron edhe vetë recensenti, Uk Lushi, publicisti nga SHBA, i cili vlerëson se libri im është triumf edhe mbi vetë sëmundjen. Njerëzit duhet të forcojnë jo vetëm imunitetin e tyre fizik, por edhe atë psikologjik, duke mos u “thyer” në shumë sfida jetësore. Brezi ynë po rritet me një imunitet të dobët psikologjik edhe ndaj sfidave jashtëzakonisht të lehta, ndërsa gjeneratat e mëhershme, ishin më të kalitura dhe nuk dorëzoheshin aq lehtë me tërë ato vështirësi, e jo sikurse brezi i sotëm i TikTok-ut.

 

Kryelajmi: Dashamirët e librit, ku mund ta gjejnë librin e juaj për ta blerë?

Rudaku: Libri mund të gjindet në libraritë “Buzuku” dhe “Dukagjini”, në sheshin e Prishtinës, por së shpejti do ta bëjmë një adresë librarie edhe në Gjilan. Sidoqoftë, për personat që duan ta lexojnë librin, pa e blerë, mund ta huazojnë nga Biblioteka e Qytetit në Gjilan, por edhe Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Kryelajmi: Kush ishte pjesë e ekipit të juaj?

Rudaku: Uk Lushi nga SHBA dhe Naser Dushica nga Franca ishin recensentë, ndërsa redaktor e lektor, ishte Fatos Duraku, duke mos harruar shtëpinë botuese “Kurora”, përgatitjen teknike nga shkrimtari Hysen Këqiku dhe dizajnin e kopertinave nga i riu plot kreativitet, Migjen Fazliu. Me të gjithë punuam në mënyrë elektronike për shkak të masave antipandemi dhe më vjen keq që ideja e librit tim ishte të përfundonte për 20 ditë vetizolim dhe u dhashë shumë kohë të shkurtër e libri ishte shumë voluminoz, diçka që nuk e kam bërë asnjëherë më parë për të kërkuar aq shpejt të më kthenin vlerësimet, por ja që ishin aq shumë të përkushtuar dhe do të jem gjithmonë mirënjohës për punën e tyre të jashtëzakonshme dhe dinamike, në një afat rekord të sugjerimeve shumë të rëndësishme.

Kryelajmi: Kush të ka mbështetur për financimin e librit?

Rudaku: Libri është përkrahur nga një nismë e mikut tim, Refikut, që bashkë me familjen, ka në pronësi Led Com-in dhe Omi Kitchen. Duke biseduar me të, shprehu dëshirën që të pyeste disa kolegë të tij biznesmenë për financimin e librit. I pari që me gjithë zemër shprehu gatishmërinë, ishte Albani, nga Fabrika e Biçikletave, Pilot Bike. Duke qenë i pasionuar në biçikletë, më gëzonte fakti që do ta vendosja emrin e kësaj fabrike Pilot Bike në brendi të librit tim. Po ashtu, njëfarë miku i Refikut, Halimi, vetëm posa e ka dëgjuar nismën e tij, ka shprehur vullnetin e mirë që të kontribuonte në botimin e librit, pa e njohur fare ne. Më pas, për 20 copë libra, miku im Asdreni dhe pronari i Toska Electronics, dha kontribut të çmuar, sapo mori vesh iniciativën spontante të Refikut. Për dy ditë, u mblodhën të gjitha mjetet financiare për 100 copë tirazh dhe menjëherë pas vetizolimit, u botua libri. Në Kosovë duhet të ndryshojë menjëherë Ligji për Sponzorizime në Fushën e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, pasi që është ligj mjaft burokratik dhe me mbingarkesë administrative. Po të mos ishte vullneti shumë i mirë i mbështetësve, sa për 20 për qind tatim në fitim, askush nuk do të merrej me të. Ligji është aktualisht gati pa efekte deri më tash, prandaj gjithmonë mirënjohës për ato biznese që janë dashamirës të librit, arteve dhe kulturës. Shembullin e këtyre mbështetësve financiarë, duhen ta ndjekin edhe bizneset e tjera, pasi që kudo në botë sot flitet për përgjegjësinë sociale të korporatave, por edhe të krijohet partneritet i vazhdueshëm në mes të biznesmenëve, artistëve dhe studiuesve, në mënyrë që të kemi jetë sa më të pasur kulturore dhe zhvillim të shkencës, dhe nëse kemi zhvillim të arteve dhe shkencës, po ashtu kemi edhe zhvillim të bizneseve. Duhet të tejkalohet situata kur të vjen turp të kërkosh sponzorizim për kulturë, art e shkencë, se ato nuk po i bëni për veten “only me”, por për “friends” dhe “public”, por me këtë ligjin aktual, ndjenja se po kërkoni lëmoshë, vazhdon të ekzistojë, prandaj sa për mua, edhe ky libër do të mbetej sikur 8 libra të tjerë dorëshkrime dhe pa u botuar fare. Prandaj, edhe më shumë mirënjohës për këta vullnetmirë, pa harruar asnjëherë mbështetjen në këtë organizim të miqve biznesmenë, edhe të profesorit Selim Dakut.

Kryelajmi: Faleminderit shumë z. Rudaku!

Rudaku: Faleminderit nga ju që i dhatë hapësirë përurimit të librit tim, edhe përmes kësaj intervisteje.

 

 

 

 

 

 

 

 

You Might Also Like