Gjilan

Braathu: Haziri ka vendosur një standard të mbështetjes së komuniteteve, që duhet të ndiqet nga komunat tjera

Gjilan, 25 korrik 2019 –  Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ku është njoftuar për zhvillimet investive në këtë komunë, sikurse edhe për dialogun ndërfetar.

Kryetari Haziri ka falënderuar ambasadorin Braathu për vizitën,  mbështetjen dhe vlerësimin e lartë për Gjilanin.

“Projektet investive, dialogu ndërpolitik, dialogu ndërfetar dhe bashkëpunimi ndërkomunal, janë disa nga çështjet që i kemi diskutuar sot, e  të cilat Gjilanin e dallojnë nga komunat tjera. Na gëzon vlerësimi dhe vizita e ambasadorit Braathu”, ka thënë Haziri.

Më pas, Haziri e Braathu kanë mbjellë dy drunj, njëri që u emërtua me emrin e ambasadorit, ndërkaq tjetri në kujtim të humanistit të Gjilanit, Qerim Çoçaj.

”Mbjellja e dy dunjve do të jetë një kujtim dhe falënderim për punën e madhe të ambasadorit Braathu. Druri i mbjellur sot do të quhet Jan Braathu, ndërsa trupi i dytë po mbillet në kujtim të Qerim Çoçaj, i cili e ka humbur jetën në aksidentin e rëndë të Gjilanit. Kjo është pjesë e aksionit për Gjilanin e Gjelbër, do të bëjmë rivitalizimin e plotë të drunjve dhe mbjelljes së drunjve të ri. Unë e ftoj çdo qytetar dhe çdo familje që ta mbjellin drurin e tyre dhe të ‘heroit’ të tyre”, ka thënë Haziri.

Shefi i misionit të OSBE në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, theksoi se patën një seri takimesh të jashtëzakonshme, fillimisht me kryetarin Haziri, pastaj edhe me Komunitetin për Komunitete.

“Nuk do t’i përsëris ato që i tha kryetari, por me Komunitetin për Komunitete diskutuam se si qëndrojnë punët me komunitetet këtu, çka po funksionon e çka jo, dhe mund t’ju them se e mora një informatë shumë të mirë prej tyre, se gjërat po ecin mbarë dhe kanë ndihmesën e jashtëzakonshme edhe të kryetarit Haziri dhe institucioneve përkatëse”, tha Braathu.

“Një tregues i mirë për punën e kryetarit dhe kolegëve të tij është fakti se komuniteti turk i cili nuk përbënë 10 për qind të popullatës në komunë, do ta ketë institucionin e nënkryetarit të Komunës, që  tregon një vullnet jashtëzakonisht të mirë të z. Haziri, për të bërë më shumë për komunitetet.  Kjo që vlen për turqit, vlen edhe për komunitetet tjera, të cilët ndan me ne të gjitha këto vlera, pasi kryetari

Haziri po përpiqet t’i mbështesë për të ecur përpara, e që është një tregues dhe mund të them që Komuna e Gjilanit ka vendosur një standard që duhet të ndiqet edhe nga komunat tjera”, është shprehur ambasadori Braathu.

Ambasadori Braathu, e ka falënderuar kryetarin Haziri që e emërtoi drurin e sapombjellë me emrin e tij, në shenjë nderimi për mbështetjen ndaj Gjilanit.

“Me të drejtë shumë drunj duhet të mbillen në Kosovë dhe më vie mirë që kryetari e ka marrë këtë hap këtu në Gjilan, e shpresoj që do të vazhdohet edhe në Kosovë”, është shprehur në fund, shefi i misionit të OSBE’së në Kosovë, Jan Braathu.

You Might Also Like