OPINION

Çka nënkupton Kosova e çka nënkupton Serbia dhe çka nënkuptojnë ndërkombëtarët me nocionin “Marrëveshje finale” ose “Normalizim” i marrëdhënieve Kosovë – Serbi?

Vetëm njohja e pavarësisë i normalizon marrëdhëniet Kosovë – Serbi
Pavarësisht kush çka mendon dhe si e kupton nocionin “normalizimin” ose “Marrëveshjen finale”, nuk do të ketë as “normalizim” dhe as “marrëveshje finale” derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe jo vetëm kaq.
Që nga viti 2006, përfaqësuesit e Kosovës, zhvillojnë negociata me Serbinë, herë në Vjen, herë në Bruksel, herë në Berlin, herë në Paris, e herë në Uashington, me qëllim të arritjes së marrëveshjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Në anën tjetër Serbia ka proklamuar se po merrë pjesë në negociata me Prishtinën me qëllim të sigurimit të drejtave të minoritetit serb në Kosovë dhe normalizimit të marrëdhënieve “me institucionet e përkohshme të Kosovës”. Faktet që Institucionet e Shtetit të Kosovës, Serbia i quan institucione të përkohshme, refuzon që nga Kushtetuta e saj ta heq klauzolën e cila Kosovën e quan pjesë të Serbisë, dhe qeveria e re e Serbisë betohet në Kuvend, para deputetëve, se do ta mbaj Kosovës brenda Serbisë, dëshmojnë për mungesën e vullnetit të Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës. Serbia, në të vërtet, me të gjitha mjetet, hapur, po angazhohet që ta zhbëj shtetin e Kosovës.
Serbia me “normalizim” ose “marrëveshje finale”, nënkupton ndarjen e Kosovës ose krijimin e asociacionit/”zajednicës” me kompetenca ekzekutive, ndarjen e resurseve natyrore të Kosovës, ndërhyrje sa më të mëdha të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës pra defunkcionalizimin e plot të shtetit të Kosovës.
Ndërmjetësuesit e BE-së rregullisht deklarohen se janë të përkushtuar të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje kompromisi, edhe pas shumë kompromiseve të dhimbshme tani më kanë ndodhur nga pala kosovare.
Për ndërkombëtarët “normalizim” do të thotë pajtim i palëve me një zgjidhje që nuk është domosdoshmërish e drejtë, por që siguron një lloj qetësie, madje qoftë ajo edhe e përkohshme.
Pala kosovare përherë është deklaruar (s’paku në Kosovë), se me Serbinë po negocion për njohjen reciproke në mes të dy vendeve; edhe pse në Bruksel ka negociuar për çështje të brendshme të Kosovës.
Prandaj qytetarët e Kosovës nuk janë të sigurtë në konsistencën e përfaqësuesve të tyre, të cilët përherë deklarohen se nuk ka marrëveshje finale pa njohje të pavarësisë, por shpesh ka ndodhur që kanë nënshkruar dhe votuar marrëveshje të dëmshme për vendin.
Një gjë është e sigurtë, për qytetarët e Kosovës “normalizim” i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, ose “Marrëveshje finale” do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Përkundër faktit se qëndrimi zyrtar i Kosovës është se nuk ka marrëveshje finale pa njohjen e pavarësisë; qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të gatshëm për reagim, në rast të ndryshimit të qëndrimit të zyrtarëve; veprimet e të cilëve shpesh nuk janë përputhur me deklaratat e tyre.
Vetëm njohja e pavarësisë i normalizon marrëdhëniet Kosovë – Serbi
Pavarësisht kush çka mendon dhe si e kupton “normalizimin” ose “marrëveshje finale”, nuk do të ketë as “normalizim” dhe as “marrëveshje finale” derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe jo vetëm kaq.
Të pagjeturit, dëmet e luftës dhe dëmet e shkaktuara në “paqe”, kthimi i fondeve dhe dokumentacionit të grabitur, dhënia fund e ndërhyrjeve në punët e brendshme të Kosovës, pranimi i parimit të reciprocitetit, respektimi i të drejtave të shqiptarëve autokton në Luginën e Preshevës, me një fjalë riparimi i të gjitha dëmeve që mund të riparohen dhe krijimi i klimës për bashkëpunim mbi bazën e interesave reciproke, janë faktor të patejkalueshëm për normalizim të marrëdhënieve ose për marrëveshje finale në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ismajl Kurteshi, 31. 10. 2020.

You Might Also Like