Libri

ÇMIMI LETRAR “BEQIR MUSLIU”

11 qershor 2018

SHPALLJA E FITUESIT

Juria profesionale për përzgjedhjen e fituesit të Çmimit letrar “BEQIR MUSLIU” për vitin 2018, në përbërje: prof. dr. Labinot Berisha, studiues i letërsisë, Emin Azemi, poet, kritik letrar e botues si dhe Sabit Rrustemi, shkrimtar e drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu” me seli në Gjilan, pas disa konsultave dhe dy takimeve vlerësuese të propozimeve të arritura, në fund, njëzërit VENDOSI që fitues i Çmimit letrar “Beqir Musliu” për vitin 2018, të jetë tregimtari, romansieri, autori i dramave, publicisti dhe veprimtari i shquar i mërgatës shqiptare që jeton e vepron prej më se gjysmë shekulli në Suedi, shkrimtari preshevar nga Kosova Lindore, Ramadan REXHEPI.

ARSYETIMI I VENDIMIT TË JURISË

Shkrimtari Ramadan Rexhepi (1940) nga viti 1963 e deri më sot botoi disa vepra letrare e publicistike që dëshmojnë për një krijimtari të vijueshme dhe cilësore.

Më 1963 botoi në Prishtinë veprën me tregime dhe novela “Kumbonaret”, që jo vetëm ishte njëra nga përmbledhjet më cilësore në letërsinë tonë në kohën kur u botua, po si e tillë mbetet edhe sot e gjithë ditën.

Po atë vit, duke e ndjerë thellë shtypjen dhe dhunën e shtuar ndaj shqiptarëve, që ushtrohej përmes aparatit të shtetit në periudhën famëkeqe të Rankoviqit, Ramadan Rexhepi u detyrua ta braktisë punën si gazetar i “Rilindjes” dhe ta lëshojë vendlindjen e tij e Kosovën, të emigronte në shtetet e Perëndimit, duke gjetur strehim në Suedi, ku jeton e krijon edhe sot.

Në Suedi, ai për një kohë të gjatë ishte kryeredaktor i revistës ”Qëndresa” dhe për shumë vite kryetar i Bashkimit të shoqatave shqiptare në Suedi.

Gjatë periudhës 1985 – 1990 me forca të veta e udhëhoqi emisionin ”Radio Zëri i Kosovës” në Suedi.

Dhuntia e lindur për të shkruar, e përcolli vijimisht dhe pena e tij nuk pushoi as në Suedi, përkundër mungesës së kontakteve aktive me miqtë krijues që kishin mbetur në Kosovë si dhe letërsia që shkruhej e botohej për më se tri dekada.

Vetëm pas viteve ’90-ta të shekullit të kaluar, Ramadan Rexhepi do të rivendosë lidhje me vendlindjen e tij, Preshevën, po dhe me Kosovën, ku edhe i kishte shpërfaqur vlerat e para letrare përmes tregimeve të botuara fillimisht në revistën JETA E RE, e më pas edhe si libër me titullin KUMBONARET, ku bashkë me Anton Pashkun, vunë themelet e një letërsie moderne shqipe që po krijohej në Kosovë.

Në vitin 1991 Ramadan Rexhepi botoi në Suedi romanin satirik – tragjik, “Dilemat e Emrush Dokos” dhe më 2010 në Prishtinë romanin “Stina e emrave të bukur”, të cilin kishte nisur ta shkruante qysh në vitin e largët 1967 me titull UDHËKRYQI, roman që e dëshmon thellësisht atë si prozator të vlerave të ngritura e të qenësishme poetike.

Këto dy romane, si dhe tregimet dhe novelat të botuara qysh më 1963, mbetën në margjina, qoftë nga mungesa e gjatë e autorit në jetën letrare në Kosovë, nga mungesa e gatishmërisë së studiuesve të letërsisë për t’iu qasur dhe vlerësuar veprat e tij, qoftë dhe nga xhelozia ndaj vlerave të mëdha letrare që përligjnin veprat e tij.

Mbështetur në vlerat e mirëfillta letrare të përftuara dhe të botuara nga shkrimtari Ramadan Rexhepi, që dëshmohen, si u tha, me përmbledhjen e tregimeve dhe novelave dhe me dy romanet e përmendura, juria ia jep Çmimin letrar “Beqir Musliu” për vitin 2018 për gjithë punën e madhe krijuese poetike, sidomos me veprat në fushën e prozës, me të cilate pasuroi dhe e lartësoi letërsinë shqipe.

Gjilan, 11 qershor 2018

Juria profesionale

Prof. Dr. Labinot Berisha, kryetar

Emin Azemi, anëtar

Sabit Rrustemi, anëtar

You Might Also Like