Arti pamor

Demir Behluli – një galeri e gjallë e artit piktural tek ne

I madh e i vogël gjilanas, preshevar e mese të tjera të Kosovës, e njohin Demir Behlulin, piktorin e madh të artit pamor. Ai është artist i merituar i kësaj kohe. Artist me plotkuptimin e fjalës. Demir Behluli është njeri urtak, punëmadh, vizionar i botës artistike, por edhe shembull i jetës së gjithanshme. Ai edhe sot i bie fyellit e mandolinës. E ka hobi jetën në natyrë. Jeton me ngjyrat e natyrës: të maleve, fushave, luadheve, krojeve dhe shtigjeve të larta të nënës natyrë.

E ka një droe: i frikësohet thellësisë (ujit). Në jetë e adhuron lojën e boksit, bilardon e disa kuriozitete të tjera. Prandaj, ky artist do të duhej të jetë i pavdekshëm. Sepse, thonë, artistët e mëdhenj, nuk vdesin! Ata jetojnë. Vepra e tyre është e pavdekshme. Ajo jeton në të gjitha kohërat që do të vijnë pas… Pse jo? Ai punon për ta parë botën përtej asaj që do të duhej të shihej. Ai brushën e do dhe e ka pjesë të parë të jetës.

Ai krijon vepra artistike të përjetshme! Janë art që e pushtojnë botën. Arti i tij ka ngjyra, teknikë, përjetim, vizion, qartësi, përshkrim, rrugë jete, por ka edhe dhembje, nostalgji, lot, vaj, e herë herë ka edhe jehonë kënge e vrull jete. Ky është Demir Behluli, artist i kohërave. Ai vërtet është një galeri e gjallë e artistit! Pikturat e tij flasin e rrëfejnë jetën tonë. Këtu ka histori, ka ngjarje, kohë, por ka edhe argëtim, dhembje e trauma të një kohe.

Vepra e D. Behlulit është unikate. Ajo është e të gjithëve. Ajo, si art, i pushton dhe i “prek” të gjitha pikat e pikëpjekjes së popullit tonë. Aty ëshë koha – sot, por është edhe koha – dje. Kah ta studjosh artin e tij, është madhështor e shumë domethënës. Shih për këtë, sa herë kam dashur të shkruaj për Demir Behlulin si piktor e krijues, diçka më është ngulfatur në fyt. Nuk më dilnin fjalët. Zihesha me vetëvetën. Sikur dyshoja në vehtën time se më janë hargjuar fjalët, mendimet, frymëzimet etj. Ulesha dhe përpara kisha veprën “Demir Behluli – 50- vjet krijimtari”. Tash Demiri ka “tjetër” moshë e “tjetër” krijimtari.

Ai ka rrumbullakësuar dy (77-she). Ka hyrë në 78-vjet moshë. Kjo s’e ndryshon “gjendjen” e tij. Askush nuk ia jep se e ka këtë moshë. Ai punon e s’ndalet. Çdo ditë krijon vepra arti. Galeria e tij është vendi privat që po krijon art të bukur. Aty gumëzhon dora e tij e “fortë”. Dora e çeliktë me atë brushë të artë. Këtu zë fill jeta e tij si piktor. Aty, në galerinë, rrëfehet çdo gjë e jetës së përditshme. Rrëfehet natyra, lumi, lisi, portreti i dëshmorit, jetimit, por flet e përshkruhen ato ngjarje tronditëse të luftës të popullit tonë për liri.

Kështu, sa herë ia filloja të shkruaj pë Bacën Demir, më dilnin përpara pejsazhet e tij të Karadakut jetik të Idriz Seferit, por edhe pikturat murale të martiërve e Binçës e të Stubllës. Aty është një histori e tërë e popullit tonë të përvuajtur nëpër kohë e histori. Kjo është vepër e Demir Behlulit, e cila jeton dhe ka hijeshin e saj. Prandaj, ajo nuk e ka fatin që secili ta punojë. Sikur mezi ia dola të gjej pak frymëzim që ta përshkruaj këtë piktor madhështor. Më dilnin përpara ai “bagazh” i veprave të tij pikturale artistike. Këto më bënin spak “pengesë”, për faktin se, kur ngulmon të shkruash, atëherë “fuqia” krijuese është e vogël.

Ky njeri kurrë s’më ka obliguar të shkruaj. Ai më ka rrëfyer e më ka treguar pikturat e tij. Por, duke i parë këto piktura, që janë një galeri e gjallë e veprës së tij madhore, sikur më erdhi fuqia për ta bër këtë shënim. Dhe, jo vetëm kaq. Ai është i madh. I madh me dije, por i madh edhe me veprimari arti. Vepra e tij ngërthen një bagazh të madh të dijes. Nuk ka gazetë, revistë, broshurë, bajë publike shëruese, shkollë, zyre të komunave, bilioteka, ente shkollore e parashkollore, por nuk as libra të ilustruar apo ndonjë “dizajn” tjetër që nuk ka “prekur” ky piktor i kësaj kohe. Është artist që e ka pushtuar botën. Ai akoma ka “energji” për punë artistike. Piktura e tij “flet” shumë…

Edhe Margarita Xhepa, një artiste e madhe shqiptare, duke folur për artin e këngës së Vaçe Zelës, pati thënë: “Kur e madhja këngëtare, Vaçe Zela këndonte dhe ngritte dorën lart, ishte produkt i mendësisë dhe pasionit të saj. Atë kohë, edhe melodia ishte joshëse”. Edhe Demir Behluli ka një “takt” të tillë, tek i cili nuk flasin vetëm gjyrat, vijat, teknikat, por tek ky artist flasin kohërat, momentet, motoja e paraqitjes së artit etj. Pra, piktuar e tij flet qartë dhe bindshëm. Aty gjen dhimbjen, tramumat, luftën, dëbimin, vrasjen, por gjen edhe heroizmin dhe lirinë e popullit shqiptar. Kjo përkon me poezinë Naimit, “Gjuha jonë”, kur shprehet: “…është e ëmbël, gjuhë perëndie”! Pra, këtu është bukuria e Gjuhës shqipe. Ky është arti i bukurisë.

Ai (Demiri) lindet, më 1938. Tash e 78 vjet më parë. Është nga fshati Ranatoci Preshevës. Ai është një “histori” apo galeri e gjallë e artit. Tërë jetën e ka shkrirë duke punuar me brushë në dorë. Në artin e tij “lexon” histori kombëtare, por “lexon” edhe martirët, dëshmorë dhe figurat madhore të kombit shqiptar. Këtu ka edhe artistë, njerëz të rëndomtë e skamnorë, por ka edhe portrete të krijuesve letrarë e të tjerë. Krejt vepra e tij artistike është në të mirën e kulturës sonë kombëtare.

Ai, krahas artit pamor, që është pjesa kryesore e jetës së tij, shkroi edhe vepra letrare. Shkroi në prozë e proezi këto vepra letrare: “Më këto duer” (1968), “Dielli – zog qielli” (1969, “Jehonë maji” (1981), “Udhëtimi” (1984), “Punëtori” – monografi (1995), “Arabeska origjinale në xhamitë e Kosovës Lindore” (1995), “Mbreti i shtëpisë” (1996), “Mos harroni” (1997), “Trenat e bukës” (1997), “Ese, kritika, ekspozita” (1997), “Portrete shkrimtarësh”(2002), “Shtëpia prej zalli” (2004), “Syri vigjilent” (2005), “Kur njeri flet vetmevete”(20005) dhe “Befasi e këndshme” (2005) etj.

Pikturat e Demir Behlulit, sot gjenden anë e kënd botës. Ato gjenden tek individët dhe institucionet e ndryshme në mbarë botën, si në Shqipëri, Amerikë, Holandë, Gjermani, Austri, Australi, Turqi, Zvicër. Demiri qe edhe bashkëpunëtor i revistabe e gazetave tona: “Jeta e re”, “Jehona” , “Stërmljenja”, “Rilindja”, “Pionieri”, “Gep”, “Shkëndija”, “Fjala”, “Zëri i rinisë”, “Gëzimi”, “Fatosi “,“Arti”, “Flaka e vëllazërimit “Fjala jonë”, “Bota e re” “Bota sot” Pavarësia” “Agmia”, “Bashkimi paqësor”, “Bujku”, “Drita”, “Panorama” etj. Po ashtu, ai është marrë edhe me studime për rrymat e artit figurativ. Ka shkruar për romantizmin, renesansën, stilin e Barokut, klasicizmin etj.

Dhe, në fund të shtojmë se, Demir Behluli, nga viti 1955 e gjer më 2004 e më vonë, pati mbi 30 ekspozita personale e kolektive në këto vende: Preshevë, Shkup, Manastir, Bujanoc, Surdulicë, Beograd, Valevë, Gjilan, Viti, Dardanë, Ferizaj, Prishtinë, Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Therandë, Pllandishte, Mlladenovc, Luksemburg, Durrës, Fier, Caravajkë të Malësisë së Karadakut. Pra, Demir Behluli është një galeri e gjallë e artit pamor dhe letrar tek ne. /Tefik Selimi/

You Might Also Like