KRONIKË E ZEZË

Dëmtimi i minares së xhamisë rast i izoluar

Është rast i izoluar, por nuk lejojmë që të përsëritet, në mënyrë që të mos lejojmë të prishet harmonia ndërfetare dhe ndëretnike në Gjilan, ka thënë Lutfi Haziri.

Nën organizimin e forumeve të sigurisë nga komunat e regjionit të Gjilanit në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, është mbajtur sot debati me temën “Trafikimi me qenie njërzore, përdorimi i drogave, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terorizëm”.

Në debat ka marrë pjesë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryetarë të komunave të regjionit, përfaqësues nga policia, FSK, nga Bashkësia Islame, Kisha Katolike si dhe anëtarët e KKSB-së, EVS dhe KLSP.

Në fjalën e tij, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar ministrin Hyseni për mbështetjen në aspektin e sigurisë në Gjilan, derisa ka thënë se është e domosdoshme që të vazhdohet të punohet në kuadër të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, duke e vlerësuar si mekanizëm shumë efikas.

Kryetari Haziri ka përmendur rastin e dëmtimit të minares së xhamisë së fshatit Velekincë ditë më parë nga një pjesëtar i komunitetit serb, duke thënë se ky është një rast i izoluar.

“Falë ndërhyrjes së policisë dhe në kuadër të bashkëpunimit të mirë me qytetarët dhe me Bashkësinë Islame, kemi arritur ta përballojmë këtë situatë. Me këtë rast, dua ta falënderoj kryetarin e Parteshit, Dragan Nikolic, i cili ka reaguar i pari, duke e dënuar aktin dhe duke na njoftuar për personin, i cili, ka prapa vetit backgraund kriminal. Është rast i izoluar, por nuk lejojmë që të përsëritet, në mënyrë që të mos lejojmë të prishet harmonia ndërfetare dhe ndëretnike në Gjilan”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, ministri i MPB-së, Skënder Hyseni, ka falënderuar kryetarin Haziri për punën e madhe në aspektin e sigurisë, duke e vlerësuar Gjilanin si shembullin më pozitiv në trajtimin e problemeve akute të shoqërisë

“Në Gjilan ka përparime në shumë fusha. Gjilani është qyteti i parë që është bërë anëtar i Strong City Network në programin që është lansuar në Neë York, gjatë samitit që e kryesonte presidenti Obama. Po ashtu, në Gjilan është themeluar edhe Mekanizmi Referues dhe kjo flet për shembullin më pozitiv të mundshëm që e shquan Komunën e Gjilanit se me sa seriozitet i është qasur këtyre problemeve akute të shoqërisë sonë”, ka thënë ministri Hyseni.

Hyseni ka theksuar se nuk ka asgjë më efikase në luftimin e trafikimit, përdorimit të drogave dhe parandalimin e ekstremizmit sesa shfrytëzimi i mekanizmave dhe forumeve të sigurisë në nivel komunal.

“Kjo duhet të bëhet që ta ngrisim vetëdijen kundër këtyre fenomeneve, të kemi ndikim parandalues dhe të kërkojmë nga qytetarët që të tregojnë një sens edhe më të fuqishëm bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, me organet e rendit dhe t’i denoncojnë tregtarët me njerëz, trafikantët, organizatorët e prostitucionit sepse kështu do të shpëtojmë shumë jetë e shumë familje dhe do ta parandalojmë fuqizimin e krimit edhe financiarisht edhe në pikëpamje tjera”, ka thënë ministri Hyseni.

Në debat ka kontribuar edhe komandanti i Policisë Regjionale në Gjilan, kolonel Elmina Mahmuti, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, kryetari i Komunës së Parteshit, Dragan Nikolic, Mensur Hoti, drejtor i Departamentit për Siguri Publike dhe anëtar të tjerë të forumeve të ndryshme të sigurisë.

 

You Might Also Like