KRONIKË E ZEZË

Dënohet me 18 muaj burgim i akuzuari për aksidentin e shtatorit të këtij viti në Kamenicë, ku kishte humbur jetën një person

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka dënuar me 18 muaj burgim të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Mërgim Salihu.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sadri Krasniqi, i akuzuari po ashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, ndërkaq të akuzuarit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim raporton “Betimi për Drejtësi”.
Krahas kësaj, ndaj të akuzuarit iu shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i drejtimit të automjetit në afat prej dy vite pas përfundimit të dënimit.Sipas gjykatësit Krasniqi, palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor, ndërkaq e dëmtuara familja Hyseni, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 14 tetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Mërgim Salihut, me arsyetimin se ai më 21 shtator 2020, rreth orës 19:00, në rrugën “Adem Jashari” në Kamenicë, ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre.Sipas aktakuzës, i akuzuari duke drejtuar automjetin e markës “VW Golf V”, nga pakujdesia, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe kushteve të rrugës në mënyrë që ta ndali para çdo pengese të paraqitur në rrugë, ku një veprim i tillë është në kundërshtim me nenin 53 të Ligjit për Rregullat e Trafikut, ashtu që me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit të tij e godet këmbësorin S. H., i cili ishte duke trupuar rrugën nga ana e majtë për në anën e djathtë, nga drejtimi i lëvizjes së automjetit, me ç’rast si pasojë e kësaj goditje tani i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Me këtë, Mërgim Salihu akuzohet se kryer veprën penale, “rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)

You Might Also Like