Futboll

Dëshpëron Gjilani

Një kartë që kishte për të dalë në Evropë, SC Gjilani e ka djegur këtë të shtunë, pas humbjes që ka pësuar nga Drenica me rezultat 2:1. Më dëshpëruese se sa humbja është loja shumë e zbehtë e të përzgjedhurve të Gentijan Mezanit. Arsyetimin ekipi kuq e bardhë ndoshta do të mund t’a gjejë në të dhënën se luajti me një lojtarë më pak që nga minuta 61, kur nga loja u përjashtua Franc Veliu, që si lojtar I fundit nga prapa rrëzoi Përparim Osmanin, që sigurt po shkonte drejt golit. Pikërisht nga gjuajtja e dënimit, Genc Hamiti qëlloi traversën.

Dilema e fituesit ka mundur të mbyllet në minutën e fundit, kur pas një gjuajtje nga këndi, Ylber Kastrarti qëlloi topin me kokë e nga vija fatale atë e hoqi Përparim Osmani.

Në lojën shtesë, Gjilani me 10 lojtarë si duket u lodh. Në minutën 93, Qemajl Elshani dha një top në brendi për Hasan Hysenin e mbrojtja e Gjilanit u vonua, kurse edhe portieri Kenan Haxhihamza pa ndonjë perceptim të topit lëshoi portën dhe ndonëse sulmuesi I Drenicës ishte në të djathtë ai e gjeti portën e zbraztë.

Për Gjilanin u bë edhe më keq në minutën 110, kur mbrojtja e përgjumur nuk reagoi fare në pasimin e mesfushorëve të Drenicës dhe para Haxhihamzës u gjetën dy lojtarë të Drenicës dhe Genc Hamiti nuk e kishte të vështirë të shënojë.

Një minutë pa u mbyllur ndeshja, Gjilani shënoi nëpërmjet Fidan Hajdarit, por goli erdhi tepër vonë, ngase pak pasi që lojtarët e nisën lojën nga qendra, gjyqtari Genc Nuza dha shenjë se nuk ka më kohë dhe e mbylli ndeshjen Drenica – Gjilani 2:1.

kryelajmi.com

You Might Also Like