Gjilan

Donatori Banush Neziri dhe shoqata “Dobrosini” në Zvicërr bëjnë me shtëpi familjen katëranëtarëshe

Gjilan, 4 korrik 2020 – Falë solidaritetit të treguar nga Banush Neziri dhe shoqata “Dobrosini” në Zvicërr, sot është bërë me shtëpi Ylfete Ademi me tre fëmijët e saj, të cilët përballen edhe me probleme shëndetësore, e cila në kohë të pandemisë ka mbetur edhe pa burrin Ajet Ademi, i cili ka ndërruar jetë për shkak të problemeve të shumta shëndetësore.

Në fjalën e tij pas dorëzimit të çelësave, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli, ka thënë se falë donatorëve edhe një familjeje sot i është bërë zgjidhja që të jetoj në kushte më të mira, përkundër që edhe në vitin 2004 Komuna e Gjilanit ia kishte ndërtuar shtëpinë në fshatin Lipovicë.

“Kjo familje e cila jetonte e izoluar në fshatin Lipovicë në kushte të vështira sot është bërë me shtëpi të re. Në këtë familje përpos varfërisë përballja ishte e vazhdueshme edhe shkaku i problemeve shëndetësore që dy fëmijët kishin vazhdimisht dhe tash së fundmi është rënduar gjenja edhe më shumë pasi që nga jeta është ndarë kryefamiljari Ajet Ademi. Për shkak të rrethanave të krijuara dhe izolimit kjo ishte zgjidhja më e mirë që e bënë donatorët. Përkujdesja e Komunës së Gjilanit ka qenë e vazhdueshme për këtë familje dhe të gjitha ato familje që janë duke jetuar në kushte të vështira”, ka thënë drejtori Xhemajli.

Banush Neziri, donatori kryesor dhe pronar i kompanisë “Biti Com”, ka falënderuar të gjithë kontributdhënësit, duke u ndjerë mirë që kanë arritur ta bëjnë me shtëpi një nënë e cila rrit tre jetim dhe dy prej tyre edhe me probleme shëndetësore.

“Të gjithë ata që kanë dhënë donacion mund ta shohin kontributin e tyre këtu tek kjo shtëpi e cila tash i ka të gjitha kushtet për të strehuar këtë familje në kushte moderne. Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut që sot ta përurojmë këtë shtëpi e ta strehojmë këtë familje. Sot kemi arsye të gëzohemi të gjithë edhe familja por edhe ne që kemi bërë që ta strehojmë atë”, ka thënë mes tjerash Neziri.

Qenan Shabani, në emër të shoqatës “Dobrosini”, dhe të mërgimtarëve ka thënë se ky ka qenë një aksion i përbashkët i mërgatës që kjo familje të bëhet sa më parë me shtëpi.

“Janë mjetet e bashkatdhetarëve të shumtë që kanë kontribuar nga Zvicrra, Gjermania, Austria dhe më gjerë, që sot ta bëjmë me shtëpi këtë familje e cila pos tjerash është duke rritur fëmijët jetim dhe në Lipovicë, pothuajse ishte e izoluar tërësisht”, ka thënë mes tjerash Shabani.

Ndërsa Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale, ka konfirmuar se kjo familje do të jetë në vazhdimësi e mbështetur nga Komuna e Gjilanit në forma të ndryshme, sepse gjendja dhe rasti i saj është i vecantë edhe në aspektin social, shëndetësor por edhe në atë ekonomik.

You Might Also Like