Sportet me dorë

Drita bënë rikthimin e madh, humbjen në prag e shndërron në fitore

 

 

Dukej se KV Drita do të shembej në palestër të vet në gjysmëfinalen e Kupës së Federatës së Volejbollit të Kosovës. Gjilanaset kishin përballë ekipin nga kryeqyteti i cili para më pak se një jave i kishte mposhtur në Kupën e Pavarësisë dhe të ngazëllyera nga ajo fitore e kishin nisur furishëm edhe gjysmëfinalen e Kupës së FVK-së.

Të përforcuara me lojtare kubaneze, prishtinaset e kanë nisur furishëm këtë ballafaqim, duke i kufizuar gjilanaset në 21 pikë. Në setin e dytë thuajse Drita u dorëzua tërësisht, ngase nuk arritën më shumë se 14 pikë e rënia totale pritej në setin vijues. Mirëpo, mentaliteti fitues i kryetrajnerit Lorik Ilazi, i cili di se si të veprohet në momente të tilla, bëri që vashat e tija dalëngadalë të rikthehen dhe në setin e tretë arritën të ngadhënjejnë me rezultat 27:25. Motivi te vashat e Dritës u shtua, por as prishtinaset kurrsesi nuk dorëzoheshin dhe edhe seti i katërt shkoi në vazhdime dhe falë përqendrimit më të mirë, gjilanaset edhe këtë set e fituan me rezultat 27:25, andaj u desh që të luhej seti vendimtar, i pesti.

Motivi te Drita u rrit e te prishtinaset ra dhe ndeshja kishte një rrjedhë logjike, deri te rezultati 8:5, kur u desh që të ndërrohen anët dhe çuditërisht në lojën e Dritës sikur u ndal gjithçka dhe M-Technologie jo vetëm që barazoi, por edhe po shkonte drejt fitores deri në pikën e 13 për to, kur trajneri Lorik Ilazi kishte ruajtur adutin e tij të fundit – time out-in, në të cilën vashave të tij ua shpjegoi se si fitohet në raste të tilla dhe se si duhet luajtur e ato e kuptuan shumë mirë kërkesën dhe me urti e përvojë së pari barazuan e në fund fituan setin dhe tërë ndeshjen me rezultat 3:2.

Tashti, këtë të diele, Dritën i pret edhe një sfidë tjetër, me ekipin Fer Volley nga Ferizaj e disa lojtare të këtij ekipi deri dje ishin pjesë e Dritës. Duke qenë se të dy ekipet e njohin njëra-tjetrën, në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” me fillim në ora 18 pritet një finale e zjarrtë, ku do të përcaktohet fituesi i Kupës së FVK-së për vitin 2021.

 

KV DRITA – KV M-Technologie 3-2

(21:25, 14:25, 27:25, 27:25, 15:13)

 

E diele finalja e madhe

KV DRITA – KV. Fer Volley – Ferizaj

Ora: 18:00

Datë 05 dhjetor 2021

Vendi: Palestra e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti” – Gjilan

Kryelajmi.com

You Might Also Like