Futboll

Drita gati për ndeshjen e dytë, flasin trajneri Nuhiu dhe futbollisti Namani

FC DRITA ka mbajtur konferencën e rradhës para ndeshjes së dytë kampionale, FC DRITA – KF Llapi, ndeshje që zhvillohet nesër, ora 17:00 në stadiumin “Selami Osmani –Bezi” në Gjilan.
Në këtë konferencë u paraqitën, kryetrajneri Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Hamdi Namani.
Fillimisht, trajneri Nuhiu theksoi se xhiroja e parë u ka dhënë mesazh se bëhet fjalë për një kampionat mjaft të vështirë.
“Xhiroja e parë na tregoi se bëhet fjalë për një kampionat mjaft të vështirë, duke filluar nga përballja jonë e parë u pa se sa me vështirësi u fitua ndeshja ndaj KF Feronikelit. Djemtë krijuan shumë dhe treguam karakter, ishim kërkues dhe kthyem rezultatin. Por, edhe ndeshjet e tjera në javën e parë ishin të forta dhe kjo tregon se do shohim një kampionat mjaft të luftuar deri në fund”, theksoi kryetrajneri Nuhiu.
Kurse, futbollisi ynë, Hamdi Namani tha se kanë bërë përgatitjet e nevojshme për ndeshjen e rradhës.
“Siç e keni parë ndeshja kundër KF Feronikeli ishte e vështirë dhe për ndeshjen e dytë kemi punuar gjatë tërë javës që të mos na përsëriten gabimet tona”, ka thënë Namani.
Gazetarët e pranishëm kishin interesimet e tyre dhe njëri nga ta pyeti: “Nëse do të ketë ndryshime në përbërjen e Dritës, pasi në ndeshjen e parë munguan disa lojtarë?”
Në këtë rast, trajneri Nuhiu deklaroi se futbollistët e dëmtuar nga ndeshjet në Evropë këtë javë janë të gatshëm për lojë, përveç futbollistit Arbnor Muja.
“Ende nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë, por në ndërkohë do të rikuperohen dhe nesër do të vendosim para ndeshjes se me cilët futbollistë do të startojmë. Prurjet e reja nga dita në ditë po punojnë shumë, po njohin njëri-tjetrin, e di që nga ndeshja në ndeshje ekipi do rritet dhe do të marrim më të mirën nga secili futbollist. Por, nuk diskutohet gjersa kemi kontigjent të tillë në çdo ndeshje dhe varësisht nga ajo që dëshirojmë të luajmë do t’i zgjedhim edhe futbollistët”, deklaroi trajneri ynë, Nuhiu.
Në pyetjen se: “A është analizuar kundërshtari dhe cila do të jetë strategjia e Dritës për këtë ndeshje?”, trajneri potencoi se DRITA ka përgatitur lojën kundër KF Llapit, të cilën do ta implementojnë në fushë.
“Nesër do të kemi një përballje të vështirë, një kundërshtar siç është KF Llapi, i cili nga viti i kaluar e dijmë që fitoi Kupën e Kosovës. Ka ruajtur grupin dhe ka sjellë edhe futbollist cilësor dhe kemi ndjekur dy-tri takimet e fundit, nuk diskutohet kemi analizuar edhe detajet më të vogla për të mbyllur pikat e tyre të forta dhe normal do të mundohemi t’i shfrytëzojmë hapësirat që do i lë kundërshtari. Kemi përgatitur një kundër lojë kundër KF Llapi dhe të shohim nesër ta implementojmë në fushë”, përfundoi Nuhiu.
Kurse, futbollisti Hamdi Namani, i cili ishte pjesë e KF Llapi për gjashtë vite, poashtu kapiten i klubit, tregoi pikën e fortë të ish-skuadrës së tij.
“Kam qenë pjesë e Llapit për gjashtë vite, ndërsa tani u bënë tri vite që jam me Dritën, jemi takuar disa herë me KF Llapi dhe tashmë nuk është sfiduese ose ndjenjë e veçantë. Nga koha kur kam qenë unë, KF Llapi ka bërë shumë ndryshime, por mendoj që sulmi është pika më e fortë e tyre, e kanë sulmin mjaft të shpejtë”, theksoi Namani.
Ndeshja zhvillohet nesër, e shtune 28.08.2021, ora 17:00

You Might Also Like