Sportet me dorë

Drita humb dramën në pesë sete, M-Technologie fituese e Kupës së Kosovës në Volejboll

M-Technologie dhe KV Drita kanë luajtur një finale të madhe në Kupën e Kosovës në Volejboll, ndeshje kjo që ishte mjaft interesante, ku u përballen dy ekipet e para në tabelë.

M-Technologie që në radhët e saja kishte dy kubaneze, u përball me Dritën e dëmtuar, pa lojtaret Ergysa Blloku, të lënduar, Prengan që ende nuk ka arritur në ekip e me mungesa të tjera. Drita e ka humbur setin e parë, kurse as në setin e dytë nuk u gjet mirë dhe dukej se do të ishte një set i humbur lehtë, por gjilanaset me disa pikë radhazi arritën që të rikthehen, bile edhe të kalojnë në epërsi me rezultat 23:22 dhe në fund dështuan duke e humbur edhe setin e dytë me rezultat 25:23.

Loja e Dritës ishte në ngritje dhe kjo vazhdoi edhe në setin e tretë, kur gjilanaset gjatë tërë kohës ishin në epërsi, kryesisht me 4 deri në 5 pikë, duke shkuar edhe tek rezultati 21 :14. Mirëpo, Drita pati një krizë të vogël, ngase prishtinaset arritën të ngushtojnë rezultatin në 21:17, gjë që e detyroi kryetrajnerin Lorik Ilazi, që të kërkojë një minutë pushim. Drita ishte në epërsi prej 24:19 dhe cuditrisht loja e saj ra shumë dhe vendaset barazuan në 24:24 dhe kështu nisi një dramë e vërtetë, e cila përfundoi me fitoren e Dritës 30:28 dhe rezultati u ngushtua në 2: 1 në sete për M-Technologie.

Në setin e katërt M-Technologie krijoi një epërsi prej 7:4, por me dy veprime të menqura të Adelajda Prenga Ilazit rezultati u afrua në një pikë e më pas edhe u barazua në 7:7.  Këtu duhet cekur edhe shërbimet shumë të mira të Mehmetit. Sërish vije një periudhë e mirë e M-Technologie, që shënon dy pikë të shpejta 9:7 dhe 13:8, kur Lorik Ilazi ishte i detyruar të kërkojë një time-out. Drita ia ka dalë që me një lojë të mirë të barazojë në 16:16, kjo edhe falë gabimeve të pashpjegueshme të lojtareve të M-Technologie. Në fund Drita arriti të fitojë edhe këtë set me rezultat 25:18 për ta quar ndeshjen në setin e pestë.

Në setin e pestë Drita krijoi një epërsi prej 7:2 dhe trajneri i M-Technologie, Naser Krasniqi ishte i detyruar të kërkoj një minutë pushim, gjë e cila i është shpërblyer, duke fituar tri pikë radhazi, andaj Lorik Ilazi qe i detyruar që të pushojë vashat e tij për një minutë dhe t’u jap instruksione të reja. Ndërrimi i anëve është bërë pranë rezultatit 8:6 për Dritën. Më pas M-Technologie doli në epërsi prej 11:10, falë disa gabimeve të lojtareve të Dritës.  Në fund M-Technologie ishte më e përqendruar dhe e fitoi setin me rezultat 15:12 dhe tërë ndeshjen me rezultat 3:2, me cka fitoi edhe Kupën e Kosovës në Volejboll. Kryelaujmi.com

You Might Also Like