Sportet me dorë

Drita në finale të “Play-off”

 

 

Volejbollstet e Dritës nga Gjilani kanë prekur finalen e garave të “Play-off”, ngase edhe në takimin e dytë, që sonte është zhvilluar në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj e kanë mposhtur ekipin e Kastriotit me rezultat të pastër 3:0, shkruan kryekajmi.com

Gjilanaset në çdo aspekt ishin më të mira se sa ferizajasit. Seti i parë i ka takuar ekipit mysafir me rezultat 23:25. Te Drita ka funksionuar gjithçka mirë e vashat bardh e kaltër edhe më mirë kanë luajtur në setin e dytë, kur kanë ngadhënjyer me rezultat 16:25.

Ferizajaset në pjesën më të madhe të setit të tretë kanë qenë në epërsi, por pranë rezultatit 20:16 për ferizajase nisi loja e mirë e Dritës, sidomos e Prengës, e cila mori disa pikë vendimtare, ndërkohë që shumë të mira ishin edhe përforcimet amerikane, sikurse edhe vashat tjera nga Gjilani që mbuluan secilin cep të fushës.

Në fund erdhi në pyetje përvoja e Dritës dhe përgatitja më e mirë fizike dhe psikike e lojtareve të Dritës, të cilat falë udhëheqjes së trajnerit Lorik Ilazi ditën t’a menaxhojnë lojën dhe në fund ngadhënjyen me rezultat 23:25, apo 0:3 në sete.

Drita në finale do të përballet me ekipin M-Technologie nga Prishtina, që ka mposhtur në dy lojë KV Skenderajn.

Me këtë fitore, Drita kthen edhe përparësinë e terrenit vendas, ngase gjilanaset në kampionat kishin qenë të dytat, kurse M-Technologie në pozitën e katërt.

You Might Also Like