Sportet me dorë

Drita një hap drejt titullit

Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani ka bërë një hap drejt titullit të kampionit e tash i mbeten edhe dy hapa të tjerë, ngase seria finale do të luhet në tri fitore. Edhe këtë vit, dy ekipet më të mira në Kosovë, Drita dhe Skenderaj janë gjetur në finale, kurse loja e parë në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” ka zgjuar kërshërinë e shikuesve.

Që në setin e parë është zhvilluar një dramë e vërtetë, ngase ai ka përfunduar te rezultati 27:25. Seti i dytë ka qenë më i lehtë për ekipin gjilanas, ngase fund e krye vashat e Lorik Ilazit dhe Valon Zymberit kanë qenë në epërsi dhe në fund të setit kanë ngadhënjyer me rezultat 25:17. Krejt ndryshe ka qenë seti i tretë, në të cilin vashat nga Skenderaj kanë qenë në epërsi dhe në fund kanë ngadhënjyer me rezultat 25:20.

Në setin e katërt që doli të jetë më vendimtari, volejbollistet nga Gjilani, Ilazi, Kadriu, Leka, Jaha, Musliu e Mehmeti, të ndihmuar dhe nga lojtaret nga Bullgaria e Maqedonia, kanë luftuar për çdo top dhe në fund kanë ngadhënjyer me rezultat 25:21, për të fituar krejt ndeshjen në sete 3:1.

Ndeshja e dytë e serisë finale do të zhvillohet në Skenderaj.

You Might Also Like