OPINION

Duhet të punojmë çdo ditë që Kosova të bëhet ëndërr e jetësuar e dëshmorëve tanë


Shpresa Kurteshi-Emini
5 Marsi shënon 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe është një ditë për t`i nderuar ata dhe të gjithë të rënët tjerë për liri.
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, padyshim se përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, që e kishte nisur luftën qysh herët, që nga vitet e `80-ta e deri në vitin 1999, e që bashkë me organizatat tjera politike e apolitike pati mision çlirimin e Kosovës nga mbajtja e padrejtë nën sundimin e pamëshirshëm jugosllav.
Kësaj nisme dhe krejt këtij aktiviteti, iu desh shumë për të dhënë, iu desh kryengritja e madhe që bënë heronjtë dhe veprimtarët e çështjes kombëtare, përpjekja e vazhdueshme e luftëtarëve për liri, u desh të derdhet gjak i shumë dëshmorëve, sakrifica e të cilëve i bëri të pavdekshëm dhe po i bën të lavdishëm çdo ditë e më shumë.
Arsyeja e krejt këtyre të bëmave, është pikërisht liria të cilën po e gëzojmë sot, është shteti i Kosovës në të cilin po jetojmë sot të lirë e të pavarur, të përkushtuar për ta forcuar ditë e më shumë atë.
Obligimi ynë sot është që ta promovojmë paqen kudo dhe të vazhdojmë përpjekjen për të ndërtuar vendin e për ta bërë të sigurt për të gjithë.
Uroj që Kosova të bëhet ëndërr e jetësuar e dëshmorëve tanë. Për këtë duhet të punojmë çdo ditë.
…………………………….
(Autorja është kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan)

You Might Also Like