Libri

DY GJYSMAT E JETËS

 

Mehmetali Rexhepi

NEXHAT REXHA: ”DALJA PREJ ANATEMËS”

Shtëpa botuese Beqir Musliu; Gjilan, 2021

 

SHPËRTHIMET E HERSHME DHE AKUMULIMI

 

Për aq sa dimë, poeti Nexhat Rexha paraqitjen e parë me vëllimin autorial e arriti, kryesisht pas Luftës Çlirimtare në Kosovë. Vëllimin e parë me poezi “Ndrydhja e pikës K”, e nxori në vitin 2003; atëherë autori ishte në moshë të pjekur, kishte dyzet e tetë vjet. Kjo e dhënë zgjon kureshtjen dhe kureshtja pyetjen për ta zbërthyer mëdyshjen për jetëshkrimin e poetit… Çka e kushtëzoi një këso ardhje të vonë e tharmit poetik tek ky poet? Padyshim rrethana mund të jetë e brendshme, por dhe e jashtme. Nga jetëshkrimet e yjve të poezisë e të prozës botërore, disave prej tyre, iu kishte zgjatur përmbyllja e jetës të gjallë, sa periudha e para publikimit të autorit tonë me libër të parë, madje edhe më pak: Charles Baudelaire (1821-1867) 46 vjet; Jack London (1876-1916) 40 vjet; Franz Kafka (1883-1924) 41 vjet; Vladimir Majakovskij (1893-1930) 37 vjet; Sergei Yesenin (1895-1925) 30 vjet; Albert Camys (1913-1960) 47 vjet…

Dukuria e shpërthimit të hershëm të luleve e ngjyrave të talentit, tek akëcilët poetë a shkrimtarë, ose e akumulimit për shpërthimin e më vonshëm, në peshoren e matjes së vlerave nuk e prish baraspeshën e tyre. Përkundër përkufizimeve, për arritje të pashmangshme të saktësisë për dijen e matematikës dhe të simotrave të saj; diskursi për sferën e ndjeshmërisë e të imagjinatës figurative-artistike është relativisht i qëndrueshëm, madje nëpër epoka mund të lëvizë lartë-poshtë… Në këtë pikëvështrim jam paksa në anën e atyre, që kanë vjelë përvojë krijuese, mandej ajo të ketë shpërthyer e vëzhguar nga sogjetari i letrave: edhe si ndjeshmëri, edhe si arsye. Natyrisht, duke i takuar kësaj sfere, kësaj prirjeje, ana subjektive e notës është e dukshme. Megjithatë, jo kurdoherë, vlerën e forcës artistike e përcakton kategoria e moshës, as sasia e vëllimeve poetike.

 

SODITJA E ZEZË E HISTORISË

 

Poeti Nexhat Rexha si dhe bashkëkohësit e tij, filluan t`i ndjenin përballjet me projektin nam-keq të Akademisë së Shkencave të Serbisë, që ishte vijimësia e mëvonshme e “Naçertanie-s” për zhbërjen e etnisë autoktone, me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme!Ishte e pashmangshme të mos reflektohej kanosja ekzistenciale tek çdo zemër shqiptare! Veçmas ndjeshmëria e tillë reflektoi në vetëdijen dhe ndërdymen e letrarit Nexhat Rexha. Me këtë trashëgimi ndjeshmërie, vargu poetik nuk mund të mos ngarkohej me peshën e parandjenjave e të konotacioneve apokaliptike. Djajtë e këtij apokalipsi ia kishin vënë flakën Dardanisë! Duhej ecur nëpër flakë, qoftë dhe i përcëlluar për t`i gëlltitur kafshatat e pelinit, të rrojtjes me shije pelini. Koha ishte në timonin e duarve vrastare, ndonëse bindja për dukjen e dritës në tunelin figurativ të varg-thurësit ende nuk ishte shuar:

“ E ti mate kohën

Se fundi do të vijë Skiron”

Poezia “ Kohë apokalipsi” shënon nismën, edhe pse kjo nuk është poezia e parë e këtij autori, nismën e një rrumbullakimi relativ të opusit krijues, përbrenda jubileut gjashtë dhjetë e pesë vjeçar të edukatorit e veprimtarit kulturor, veçmas opusin artistik të poetit Nexhat Rexha. Pikërisht më një shkurt të vitit dymijë e njëzet e një (1.02. 2021), përmbyllen periudhat e ciklit

veprues të zbraz-mbushjeve poetike të këtij autori, për të vijuar më tutje me pjekuri të shtuar në moshën e tretë.

Autori u përcaktua kësisoj, duke pasur durimin e tumiren, për përzgjedhje të gjashtë dhjetë e pesë poezish nga vëllimet e tij të deritashme dhe të një dorëshkrimi… Në qoftë se kriteret e përzgjedhjes kanë pësuar rrëshqitje pjerrtësive të figurave në vëllimin “Dalja prej anatemës”, shkarjet i përkasin përzgjedhësit. Në këtë pikëvështrim poeti i ka duart e pastra.

Mes poezisë “Kohë apokalips” dhe asaj, që përmbyll këtë vëllim poetik jubilar,”Diçka troket për ditë”, është përafruar moria e motiveve, fragmente temash, trajta vlimesh të ndjeshmërisë njerëzore, sprova të unit poetik të shkrirë e njëzuar, të identifikuar me unin etnik. Gjithnjë, duke e shpërfaqur gamën e gjerë të asaj ndjeshmërie, që ia nxori dhimbja e Dardanisë, i vardiseshin pyetje pa përgjigje; ndaj ithtari i poezisë Nexhat Rexha ngulmoi për ngritjen dhe zgjerimin e konceptit për lirinë, si domosdo e dialektikës së jetës. Në tërësinë e saj poezia e këtij poeti nuk ngërthen vetëm tipare etnike, ajo mëton të zbërthejë pleksje tiparesh etike, heroike, tragjike, sadiste, hipokrite, skofiare, me një fjalë: universalen. Parimi themelor i të drejtës së popujve është liria… Mirëpo, etnia e poetit që e kërkon lirinë mbi tokën e vet, si një e drejtë themelore njerëzore, është vënë në zgripe asgjësimi:

“Në nëntëdhjetë e nëntë llahtari

Pa pushuar nëpër çdo stuhi

Kur sodiste e zeza histori” ( Do të vijë)

Vizioni i poetit lëvizte mes gënjeshtrës dhe zhgënjimit… Ishte revoltuese! Vargjet e këtij poeti konstatojnë përmasën e tmerrshme, njëkohësisht të madhërishme, që vetëm forca e “miliona dashurive” e shtyu vlimin e gjakut, ende të mpiksur, të rrjedhë deri te caku… Më tutje, vazhdimësisë së shtegtimit poetik, do ta shohim përdhosjen e pikë-cakut shekullor! Përgjumet vijimësia dhe mund t`i merret timoni për prapakthim?! Koncepti i lirisë nuk mbahej dot vetëm mbi shtylla të idealizmit. Ai kërkonte përmbushje të tjera, përderisa nuk mund t`ia tumirte përçudnimet klasës së re me klane të vjetra, as rrënimin e shtyllave të ngulitura në dheun prej gjaku, në emër të “meritave…” Poeti do t`ia veshë dhimbjes fare bindshëm metaforën e ngërthyer me ironinë e konotacionit euforik:

“Në emër të flamurit fishkëllejnë fishekzjarrët

Pa i peshuar orët e dhimbjes

Gjëmimin e rrugëve të vrara

Dhe kurrë s`e ditëm sa peshon dita me dritë” (Betejat e mia)

 

BRENGA DHE IRONIA E LIRISË

 

Drama e etnisë u thur që nga përkundja në djep e foshnjave tona… Luftërat humbëse humbnin bashkë me namin e vet. Në arenën e luftës së fundme, të Luftës Çlirimtare me bashkë-aleatët e Aleancës Veri-Atlantike, pos në këtë mësymje iu shtua nami pushkës tonë! Pushka jonë ishte në dorën çlirimtare, nuk ishte në duar të terroristëve. Lufta për ndërtimin dhe forcimin e paqes lyp armë tjetër, armën e mendje-penës.

Lajtmotivi i fronit dhe udha “shterpë” e tij, është etika dhe estetika, të cilën nuk mund ta kapërcente koncepti i lirisë. Këtu merr trajtë intonimi i tekstit ironik:

“Jam zhytur në botën time

Plot salltanet për ty atdhe”

Ironia e përfitimit prej atdheut për luksin vetjak ose klanor ndodh tash, kur ende kullojnë plagët dhe gjaku mbeti i njomë, luhen lojërat “akrobatike të antikohës.” Në konceptin e zbrazët të lirisë ka hyrë djallëzia. Poeti në vargun me pyetje retorike:

“Ku je ti heshtje e fshehur rebele”, mëton të ngre përgjigje të atillë, të cilën nuk e jep vet, por topin e qet tek një antitezë e padukshme, tek antiteza e fshehur, e strukur diku në aktin e heshtur të mburracakëve. Kështu, poeti ngre një veçori ideore, stilistike dhe estetike karakteristike për poezinë moderne; fshehje për gjetje të rebusit ideor në antitezën e nënkuptuar. Me qasje të këtillë autori arrin, që t`i japë tipare të tilla stilistike thurjes së shkrimit, ose mbetjes pezull të përfytyrimeve të thënies pas leximit sipërfaqësor… Fati i përhershëm i përndjekjes, i pushtimit të hapësirave bukanike dhe shpirtërore, i dha të drejtë formësimit përkufizues përmes vargut “Përballë krismave identitet.” Çfarë sugjeron ky varg i poezisë “Tejdukshmëri”? Identiteti afishohej në krisma, përderisa humbja e tij zhbëhej pa krisma. Si e shihte paradoksin e etnisë poeti Din Mehmeti? Ai e apostrofonte moton e identitetit të vet epik: “Krismë është emri im!” Në poezinë shqipe Ali Podrimja identifikohet me togfjalëshin tipizues të shenjëzës “dhimb e bukur.” Stilistika poetike e Nexhat Rexhës, në frymëmarrjet e saj, gjithsesi e bartë dhimbjen si koncept poetik dhe jetësor. Si e tillë, dhimbja e këtij poeti, nuk është dhimbje e përmasës estetike të Ali Podrimjes. Dhimbja e Rexhës hyn në përmasa viktimash, azilesh, mallëngjime pelegrinësh, në mënyra jetësh të dyfishta, me trupin në diasporë e shpirtin në vendlindje… Si të thuash: jetë e dy gjysmave, ose dy gjysmat e jetës pa e arritur tërësinë!…

Pothuajse të gjitha motivet, që sjellin vargjet e poezisë së Nexhat Rexhës, prekin plagët e dhimbjes… Plagë të një dhimbjeje që kundërmon atmosferën e trishtimit e të pushtimit, viktimizimi i tërësishëm i një etnie… Përse ndodh kështu? Ndodh kështu sepse ndodhemi në udhëkryqin e përplasjes së qytetërimeve…

Poeti e kapi bindshëm metaforën e përfytyrimit të llahtarisë; rrjedhën e konotacioneve të trishtuara të stinës, e Kullës me Kafka Muresh, kokat e të parëve mostra kullash të murosura, arkitekturë shëmbëllese e barbarisë! E shurdhër dhe memece goja e historisë… Rrjedha e variacioneve për bërjen e konceptit të lirisë për atdheun, nga brezi në brez nuk rrumbullakohej dot! A do të kapitullonte pritja në geton kolektive?! Për poetin, koncepti i rrumbullakimit të atdheut, është përmasa (j)etike, identifikuese, filozofike dhe estetike.

“Dhe si t`i ngi sytë në vetmi

Me faqet tua atdhe” (Vetmia)

Kujt ia drejtonte pyetjen poeti për urinë e tij të pangopur? Natyrisht pyetja u drejtohet të gjithë atyre, që u identifikuan, u sakrifikuan dhe gjakuan përmasën e plotë për atdheun. Përmasa e atdheut në thelb ka shenjtërinë e vet… Shenjtërinë e pararendësve, me gjasa të parashikuara edhe të pas-rendësve. Fati tragjik dhe shtyrja përpjetës së pjerrtë e Gurit mitologjik të Sizifit për konceptin atdhe i lirë, ose liri për atdheun, të shumtën e herëve mbyllej brenda një kodi të fshehur, brenda sirtarësh të kancelarive… Ndërsa atdheut kurrë-njëherë nuk iu prenë teshat tamam, ngase edhe fetë ia ndërronin fytyrën:

“Arbëria mbeti enigmë në udhëkryq”

 

NERVI I TRISHTIMIT

 

Imponohet pyetja: pse në ligjërimin poetik të vëllimeve me poezi, autori sikur është i prirë t`i rrekej kryesisht anës tragjike të jetës? Tragjikja si kategori estetike është aq e ngjizur me identitetin tonë etnik dhe etik, sa nuk ka të krahasuar me shëmbëllesa të tjera etnish. Është nënvizuar në fillesën e këtij shkrimi, që poeti kishte mbyllur në heshtjen akumuluese

adoleshencën e belbëzimeve poetike, përcëllimat e drithërimat e dashurisë… Duket qartë, se termometri i poezisë tij nuk është i përqendruar për matjen e amplitudave të temperaturës vetjake. Kundrimet, konstatimet, obsesionet, mynxyrat, kontrastet e forta shpirtërore, gjithandej ëndrrave për zhgjëndrrën madhore të jetës, shndërroheshin në makthe të rrojtjes, të një rrojtjeje gjysmake. Estetika e realitetit i lypte këtij poeti forcimin e impulseve të vargjeve, ngërthesa urtësie përballë trishtimit të jashtëm; qëndresën dhe nuhatjen e hollë të hedhjes, përkatësisht të mos hedhjes së hapit në dërrasën e kalbur të intrigës! Torturat e ankthit ia shkund gjumit e esëllta e jetës… Paradoksi e sjell dritën në terr… Janë buzët paradoksale, ato që i japin impulse e doza optimizmit; është ura e dashurisë për vajtje-ardhje të jetëve; dashuria kjo përmasë e konceptit jetë-dhënës… Vinte ora për këndellje plagësh, e shërimit të syve të shigjetuar, për ta parë konceptin e mohuar, jo më si një ëndërr e sëmurë, por si diçka të prekshme për t`u shijuar me duar, mendje e vargje… Këtij ideali iu rreshtuan vargjet si ”çlirimtarë” të devotshëm…

Megjithatë, brengosja dhe mëdyshja e nervit poetik, në këtë trajtë vargimi nuk është shuar. Trishtimi kishte depërtuar thellë, madje vegjeton në mëdyshjen poetike për t`u rikthyer:

“Dhe gjerdanin për t`ia vënë në qafë trishtimit”

Në nervin poetik të Nexhat Rexhës motivet e së njëjtës kategori zëvendësojnë njeri-tjetrin, si hallka të pakëputura ciklesh të jetës. Në subjektin e kësaj poezie ka hyrë sindroma e përhershme e ndjekjes, qoftë si përfytyrime hijesh, si gjarpër i mbështjellë qafës, si djallëzi e nuhatjes në këngë, si smag i frymëmarrjes, si goditje në atë fijen më të fundit… Monologu i imponuar për dialog gjeti truall dhe hyri në kujtesë dhe, kujtesës i bën roje vargu. Përse? Për të mos e humbur arkeologjinë, për të mos e poshtëruar urtësinë, për të mos ia dorëzuar djallit epikën heroike, për të kallëzuar se lulëkuqet e morën të kuqen prej pikave të gjakut tonë dhe, si rrjedhojë vargu i mirëfilltë nuk bie në gjumë të mirëfilltë.

Në vëllimin gjithëpërfshirës “Dalja prej anatemës” vilen edhe shenja motivesh, që marrin trajta motivuese me tipare etnografike, me simbolikën e plisit të bardhë, simbol bardhësie, ngrohtësie, lartësie majë-bore, e pastërtie etnike, por dhe shënjestër për gjithfarë goditjesh nga gjuajtës kujdestarë të Singidunum-it e të Naissus-it.

 

VARGU SOGJETARË

 

Aty ku flet diskursi përjashtohet poetika. Ka raste të tilla këtu, ndonëse poeti është kujdesur të mos ia jepte fjalën diskursit.

“ I preke në sedër ke bërë bela

Gjuhën shpatë kanunin në ballë”

Strukturime të këtilla ironike të tekstit poetik, të drejtpërdrejta ose të tërthorta e përshkojnë këtë tip poezie. Poeti vendosë në çdo kënd-shikim pasqyra për secilin karakter, në funksion të pamjes së veseve, larjes së njollave të fytyrës të zhytur në mëkate… Ndonjë herë tejdukshëm, herën tjetër nëpërmjet finokërisë së fjalësit, apostrofohet egoizmi, shëmtia e akëcilës figurë anonime e mjedisit përfitues:

“ Se nisja është bërë për gushë

Jeta ka çelës dhe fushë”

Kapjet e vargut poetik gjithnjë dalin si rrjedha të sprovave në jetë; kryesisht si kushtëzime shkak-pasojash dhe, më pak si projektime imagjinare. Pra, te poezia e Nexhat Rexhës vargu ngrihet mbi të ndodhurën dhe, fare sipërfaqësisht mbi trillin e të ndodhurës. Në jetë mund të ngërthejmë qëllime aty ku nuk spikaten ato, ku nuk duken si përfaqësime vetjake, por të

kamufluara si ideale madhore… Mirëpo, intuita e hollë nuhat kundërmimin e qëllimit, duke ia zbërthyer kodin e fshehtë të pasinqertës.

Poezia mund të mos jetë e thelluar, porse i jep trajtë dhe përcaktim natyrës së vet të vërtetë; përherë me mjetet dhe modalitetin e shprehjes, e cila i përshtatet asaj. Ajo nuk shndërrohet në instrument të fushave tjera; nuk shmangë, as tjetërson unin të cilit i përket; ajo plekset me urtinë meritore vetëm për aq sa ruan mëvetësinë e qenies figurë.

Liria prore është e uritur kur i merren burimet ekzistenciale. Madje poeti shtroi pyetjen e një mëdyshjeje thellësisht shqetësuese për brezat:

“ Ku shkoi liria

Pas atij dimri idhnak

Me net pagjumësie” (Liria në gjumë)

Vargjet sogjetarë ngrehin shpatën drejt syve lakmitarë, makutëve, bashkë-lojtarëve të djallit në lojën humbëse të idealeve:

“ Kurse loja mbaron

Andej kah vijnë medaljet” (Koha ime e arnuar)

Aty ku akrepat e ecjes së orës ndalojnë, zgjerohet amullia, rikthehen makthet, parabolat e zeza, të cilat mëtuam se i thyen dhëmbët në periudhën e zezonave të qenësisë tonë…

 

SHKËPUTJE METAFORASH TË STILIT FIGURATIV

 

“ Gjethet e ëndrrës për fronin (Era);

 

“ Zgjidh vdekjen apo lojën e djallit

Se krismat e krushqve të lirisë

Po sjellin zjarrin e Prometheut” (Krisma mbi ombrellë);

 

“ Liri edhe sa lule të duhen Ty” (Liria han lule);

 

“ Atdheu im i nxënë

Atdheu im në roletë” (Pikë lartësie);

 

“ Ata që pinë qumështin e zanave

Trashëguan Lugun e Thanave” (Lugu i Thanave);

 

“ Gjithfarë krismash godasin

Në cepat e rrudhur

Kurse loja nuk mbaron

Andej kah vijnë medaljet” (Koha ime e arnuar);

 

“ Kjo koha jonë verbëri miopësh ushqen” (Kohë me fytyrë censori);

 

“ Fate të skalitura

Në lapidarin e heroit të helmuar” (Hallkë kujtimi)…

 

 

 

NË AKTIN PËRMBYLLËS

 

Për rrumbullakimin e këtij jubileu krijues: edukatorit dhe veprimtarit kulturor, poetit Nexhat Rexha, si dhe familjes tij të dashur, i urojmë shëndet të plotë, paqe dhe qetësi shpirtërore, dhe, gjithsesi vlera tjera krijuese për përmbushjen e shpirtit dhe të dinjitetit të popullit tij!

Gjilan, dhjetor 2020

Mehmetali Rexhepi

You Might Also Like