Sportet me dorë

Ëndrra evropiane e Memetali Sahitit afër të bëhet realitet

Asnjëherë më shumë se tashti Klubit të Hendbollit Drita nuk i është nevojitur një lojtar me përvojë, i cili di të bëjë kthesën në sulm e të jetë i pakalueshëm në mbrojtje. Klubi gjilanas gjithëherë ka pasur lojtarë të tillë në radhët e veta e një të tillë e ka edhe tashti. Memetali Sahiti, ka mbi një qerek shekulli që është pjesë e KH Drita nga Gjilani dhe asnjëherë nuk u dorëzua, as atëherë kur KH Drita i kishte punët ngushtë, por as tashti kur dalja në Evropë është në prag.

E nisi lojën që në moshë të re duke qenë prore pranë ekipit bardh e kaltër, kurse pos që e do ekipin e tij, Memetali Sahiti e do edhe vendin e tij, andaj nga dashuria për vendin, veshi uniformën e policit të Kosovës dhe tashti është edhe pjestarë i forcave speciale të policisë.

“Sa e sa vite kam luajtur për KH Drita dhe gjithmonë kam pasur një ëndërr, të përfaqësoj ekipin tonë në një nga kupat evropiane dhe tashti kjo ëndërr e imja dhe e shumë bashkëlojtarëve të mi është afër të bëhet realitet”, thotë Memetali Sahiti, i vetëdijëshëm se duhet punë, mund e sakrificë për të arritur një gjë të tillë, ngase nuk është vetëm KH Drita që ka një synim të tillë e aty janë edhe Prishtina, Kastrioti….

“Vitin të cilin sapo e lamë kemi bërë mrekulli duke u renditur në pjesën e epërme të tabelës, jemi mobilizuar si asnjëherë më parë për t’ia arrit qëllimin dhe shpresoj se viti 2017 do të jetë një vit ku do të rikthejmë namin që dikur kishte hendbolli Gjilanas, për këtë jemi të gatshëm të gjithë në klub të japim më të mirën për t’i gëzuar një armatë të tërë të tifozëve”, shprehet hendbollisti Sahiti.

Memetaliu, gjithmonë ka pasur dëshirë që përvojën e tij t’a ndajë me lojtarët e rinj, andaj ai shpesh ndalet në bisedë me ta, i udhëzon për të mirë. Ai ka edhe porosi për të rinjtë, që të shmangin rrugët që nuk qojnë askund, por t’ rreken sportit, me vullnet, punë e dëshirë, në mënyrë që të arrijnë rezultate sa më të mëdha në sport.
 

You Might Also Like