Libri

Evzi Ramadani del me një libër të rëndësishëm për historiografinë shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare

Një vepër me vlera të mëdha për historinë tonë kombëtare, i tillë është cilësuar libri i promovuar këtë të premte “Qëndrimi i Serbisë ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1878-1912”, i autorit Evzi Ramadani.

Libra të tillë janë të mangët në historiografinë tonë, kurse Evzi Ramadani, i ka hyrë një problemi tejet kompleks, të patrajtuar sa duhet deri më tashti dhe pas një pune disavjeçare, ky libër ka parë dritën.

Tahir Arifi, në cilësinë e moderatorit, ka thënë se kjo vepër ka një materie interesante për një ta kaluar tonën, sa të rëndë, po aq edhe të rëndësishme. “Vepra e Evzi Ramadanit na flet për kohën e qëndresës së popullit shqiptar, i cili popull qe në zgrip të zhdukjes nga faqja e dheut Serbia, Greqia e Mali i Zi”, tha Arifi.

Me një vështrim më të gjatë në lidhje me libër është paraqitur redaktori, prof. Dr. Fehari Ramadani, që tha se ky libër është rezultat i punës së tij hulumtuese-kërkimore, disavjeçare për përgatitjen e tezës së magjistraturës, të cilën e mbrojti me sukses në Universitetin e Tetovës. Në këtë vepër, autori trajton qëndrimin e shtetit serb ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në periudhën nga Kriza Lindore e viteve ’70-ta të shek. XIX e deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Po ashtu, autori në veprën e tij trajton politikën çnjerëzore që Serbia e zhvilloi mbi popullsinë civile shqiptare, që me aneksimine pjesës verilindore të Vilajetit të Kosovës (Nish, Kurshumli, Toplicë, Pirot, Leskoc dhe Vrajë), nga ku u dëbuan mbi 200.000 vetë dhe u shkretuan 740 vendbanime. Prandaj, shtoi ai- “ky studim monografik, me strukturë të logjikshme e të qëndrueshme, është rezultat i një pune të gjatë kërkimore e shkencore të autorit. Autori ka shfrytëzuar dokumente arkivore të arkivave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe burimet e botuara që janë shfrytëzuar nga autori, e bëjnë këtë vepër të rezistueshme ndaj çdo kritike shkencore. Të shtoj edhe këtë se, kjo vepër e autorit duhet të jetë një literaturë e nevojshme për të gjithë ata që do të merren me historinë shqiptare të periudhës së përmendur”.

Prof. Dr. Qerim Dalipi, recensent i librit tha se monografia “Qëndrimi i Serbisë ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1878-1912 e magjistër Hevzi Ramadanit, përbën një kontribut të rëndësishëm për historiografinë shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Ai tha se gjatë viteve 1878-1912, qeveria serbe, me qëllim që të bindte opinionin e brendshëm dhe qendrat e vendosjes evropiane për zgjerimin e shtetit serb në dëm të trojeve të tjera shqiptare, e përshkallëzoi edhe më tej politikën propagandistike kundër Lëvizjes Shqiptare. Po kështu, në shërbim të diplomacisë serbe u vunë edhe studiues serbë, të cilët në studimet e tyre, ku më shumë kishin prirje shoviniste sesa realitet shkencor, i paraqitën shqiptarët pa traditë shtetërore. Në vepër, autori më tej vë theksin mbi qëndrimin negativ të diplomacisë serbe ndaj Lidhjes se Pejës, si dhe hedhë dritë për projektet e personaliteteve të dalluara serbë kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rrjedhimisht, monografia është ndërtuar mbi ballafaqimin e argumenteve të sjella dhe mbajtjes së qëndrimit kritik ndaj problemeve të caktuara. Veç kësaj, monografia është shkruar përmes një stili të lehtë që e bënë atë të qartë dhe të kuptueshme, si për opinionin shkencor, ashtu dhe për opinionin e gjerë publik”.

Hysen Këqiku, nga Shtëpia Botuese “Kurora”,  tha se ky kontribut i përbashkët me autorin e veprës është një rezultat që e pa dritën e botimit në saje të angazhimit të Shtëpisë Botuese “Kurora” në Gjilan, e cila është tejet e nderuar, sepse ka marrë si obligim botimin e një vepre të sajuar në bazë të hulumtimeve e të dhënave të shumta nga periudhat më të rëndësishme të historisë se popullit shqiptar, që nga betejat e mëdha që nga koha e Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Siç është e ditur, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, nga kjo periudhë historike, 1878-1912, dolën me përfitime të mëdha territoriale nga tokat shqiptare. Greqia fitoi 68% territor dhe 3% popullsi më shumë. Mali i Zi fitoi 62% territor dhe 100% e popullsi më shumë dhe, Serbia fitoi 82% territor popullsi më shumë. Pra, vepra në fjalë ngërthen në vete një materie mjaft interesante me shumë prurje të reja të kësaj periudhe. Ia vlen të lexohet dhe të vlerësohet. Autorit shëndet dhe suksese të tjera!”

Autori i librit, Evzi Ramadanit, autor, tha se atë që e kishte planifikuar për ta shkruar si vepër, e ka thënë dhe ato fjalë, shënime e mendime i ka mbarështuar në vepër. “Sot po e ndjej vetën të privilegjuar. Këto emocione, të cilat i posedoj, dua t’i ndaj me ju. Ju sot më nderuat, por nuk dua ta anashkaloj të gjithë ata që në një formë a tjetër janë të lidhur me këtë libër që nga redaktori, recensentët, kolegët, miqtë e kryetarin e komunës që e përkrahu financiarisht botimin e librit, sikurse edhe dr. Ismet Dërmakun, që e ka furnizuar me dokumente e literaturë.

 

Ky është libri i parë i Evzi Ramadanit.

 

You Might Also Like