Teatër

“G” e Teatrit të Shkupit, shfaqja më e mirë e Festivalit “Talia e Flakës”

Gjilan, 26 janar 2018 – Shfaqja “Në dorë të fatit…”, nga Teatri “Petro Marko” nga Vlora, me autor Ledian Gjeçi e regji të Arben Kumbaro, ishte shfaqje përmbyllëse e Festivalit me karakter garues të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, e cila mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”,  e cilau u organizua nën patronatin  e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri,  ndërsa juria vlerësuese në përbërje nga Ligoraq Riza, Emine Toska dhe Arian Krasniqi,  ndau edhe çmimet e parapara për këtë edicion të këtij Festivali.

Kjo juri e posaçme për këtë Festival, ka përcjellë të gjitha shfaqjet, dhe ka  bërë të ditur për vendimet.

Kështu,”Teksti origjinal më i mirë i Festivalit”, që u vlerësua, si çmimi kryesor i Festivalit, sipas vlerësimit të jurisë i takoi dramaturgut Naser Shatrolli , teksti i shfaqjes “Kosovatrans” të Teatrit “Avdush Hasani”, nga Podujeva, çmim ky që iu dorëzua Shatrollit nga kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Çmimin “Shfaqja më e mirë e Festivalit”  iu nda shfaqjes “G”, të Teatrit Shqiptar të Shkupit,  me autor Gjergj Fishta, e punuar me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit. Këtë çmim e dha kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi – Emini.

Po ashtu edhe “Regjia më e mirë e Festivalit” iu nda regjisorit Sulejman Rushiti për shfaqjen teatrale “G”.

Çmimin “Aktorja më e mirë e Festivalit”, i takoi aktores Aurita Agushit për rolin e saj në monodramën “Portret i pakryer”, i Teatrit Dodona, ndërsa, çmimin “Aktori më i mirë i Festivalit”, i takoi Ismet Azemit, për rolin e tij në shfaqjen “Kosovatrans”.

 

Aktorja Vjollca Bekteshi  u vlerësua për “Rolin më të mirë dytësor” –  shfaqja “G” dhe aktori Avni Shkodra u vlerësua për “Rolin më të mirë dytësor” – shfaqja “Një natë në Hotel” – teatri i Gjilanit.

Dhe çmimin për “Skenografinë më të mirë” e mori Zeni Ballazhi  nga shfaqja “Kosovatrans”.

Përndryshe, Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutif Haziri ka vlerësuar prurjet në këtë Festival duke i falënderuar të gjitha teatrot pjesëmarrëse  që sollën vlera dhe ka vlerësuar po ashtu të gjithë ata që për 27 vite u angazhuan që të mbajnë të gjallë Flakën e Janarit.

Ai tha se çdo herë ky Manifestim po fiton në peshë e cilësi  dhe ka premtuar se  për “Flakën…” e ardhshme, do të punohet qysh tani, 11 muaj  me radhë që të kemi pastaj një muaj aktivitet të mirëfilltë.

Haziri ka spikatur edhe njëherë interesimin e madh të publikut, dashamirësve të teatrit për të përcjellë këtë Festival,  duke rikujtuar se në Gjilan edhe janë thyer dyert e teatrit vetëm për t’u futur brenda për të parë shfaqje.

Haziri shtoi se sallat tona janë fizikisht të vogla për t’i pranuar të gjithë të interesuarit, andaj ka premtuar se Manifestimin në fjalë do ta nxjerrin jashtë sallave për t’ju mundësuar të gjithëve të jenë pjesë e saj dhe po ashtu premtoi se do të ketë edhe pjesë të tjera për ta ndërkombëtarizuar “Flakën e Janarit”.

Përndryshe, Manifestimi “Flaka e Janarit 2018” vazhdon me aktivitete të tjera.  Kështu më 27 janar mbahet festivali i filmit të Shkurtër “Film Flaka”, i cili nis në ora 19:00,  pastaj me 28 janar  Festivali i muzikës për fëmijë “Xixat e Flakës”,  për të kulmuar me 31 janar kur kemi Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”,  dhe shpalljen e rezultateve të konkursit letrar  për poezi e tregim, derisa “Fest Flaka”, Festivali i Muzikës Popullore do ta përmbyll manifestimin e këtij viti të “Flakës së Janarit 2018”.​

You Might Also Like