Gjilan

Gentrit Murseli zgjidhet kryetar i Forumit të Rinisë së LDK në Gjilan

 

Në një Kuvend madhështor të organizuar nga Dega e LDK’së në Gjilan, Gentrit Murseli është zgjedhur në mënyrë unanime kryetar i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, i cili e pason Rina Ahmetin, e cila për një dekadë e ka udhëhequr këtë forum partiak në mënyrë të suksesshme.

 

Nënkryetari i parë i LDK’së, njëherësh kryetar i Degës në Gjilan, Lutfi Haziri, tha se shkollimi, rritja dhe angazhimi i të rinjve në partinë e frymës rugoviane, do t’i bëj ata më të durueshëm, që të bëjnë kompromise, të mësojnë e debatojnë.

 

“E uroj kryetarin e zgjedhur të Forumit të Rinisë së LDK’së në Gjilan, Gentrit Murseli dhe kryesisë së re, ndërsa e falënderoj shumë Rina Ahmetin për udhëheqjen dhe kontributin e madh për një dekadë. Shkollimi, rritja dhe angazhimi i të rinjve e të rejave në partinë e frymës rugoviane, do t’ju bëjë më të durueshëm, që të bëni kompromise, të mësoni e debatoni dhe ta duroni mendimin ndryshe. Sot ju po i jepni një shembull të mirë edhe rinisë në nivel të Republikës sepse po konsolidohen në një proces të jashtëzakonshëm pune. Asnjëherë nuk guxoni të dëshpëroheni në ecje sepse vetëm këmbëngulësia në bindje për ta shtyrë përpara atë që beson, që mendon dhe që e kërkon, ju bën fitues. Ju uroj punë të mbarë e suksese”, ka thënë Haziri.

 

Kryetarja e deritashme e FR të LDK-së, Rina Ahmeti, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e vazhdueshme për një dekadë udhëheqje.

 

“Përgjatë këtyre viteve si kryetare e FR të LDK, u angazhuam shumë. Punuam me të rinjtë e të rejat gjilanase, për rekrutimin e tyre në familjen më me shpresë politike për ta. Arritëm të konsolidohemi bashkë, duke bërë plane konkrete, projekte e ide të përbashkëta, duke kontribuar në fitore plebishitare të LDK’së në Gjilan, mandat pas mandati”, ka Ahmeti.

 

Kryetari i sapo zgjedhur i Forumit të Rinisë në Gjilan, Gentrit Murseli, tha se do ta ndjekin rrugën e të gjithë atyre që sakrifikuar gjithçka dhe nuk kursyen asgjë për të mirën dhe të ardhmen e LDK-së.

 

“Nga sot në emër të të gjithë të rinjve të LDK’së ju garantoj që nuk do t’i ndahemi asnjëherë qëllimit të kryesor, që LDK të jetë kala e fuqishme dhe e pamposhtur”, ka thënë Murseli.

 

Në fund, është zgjedhur edhe kryesia e re e Forumit të Rinisë së LDK-së në Gjilan, e cila u votua unanimisht nga delegatët.

 

Ndryshe, Kuvendit të sotëm zgjedhor i kanë paraprirë 24 Kuvende të nëndegëve, të cilat janë mbajtur me sukses, dhe kanë nxjerrë struktura të reja.

 

You Might Also Like