Libri

GJAKIMI I LIRISË NË POEZINË E MIRKO GASHIT

Nexhat Rexha

GJAKIMI I LIRISË NË POEZINË E MIRKO GASHIT

(Mirko Gashi, “Blegërimë resh”. Poezi. Parathënien Anton Nikë Berisha, “Beqir Musliu”, Gjilan 2020)

Stigmatizim i vlimeve shoqërore

Trajtat e mbisundimit të mendimit poetik në poezitë e Mirko Gashit kanë fuqinë e dëshmisë artistike; ato krijojnë pasionin e brendshëm përmes të cilit skaliten idetë në jetëdhënie të synimeve shpirtërore. Traumatizimet shoqërore në poezitë e këtij vëllimi, janë trajtuar me optikën e përjetimit, ato të japin tejpamjen e thellësive të dhembjeve shpirtërore për të kundërvënë mungesën e lirisë. Trysnitë, trazimet e detyrueshme për të mundur të keqen dhe vizioni për të komunikuar me dhembjet e plagosjet shpirtërore vijnë si vargëzim poetik në kapjen e çështjeve të ndjeshme që themelojnë vend të qëndrueshëm në diktatin e zemrës. Në këto pritje e mundime kohësh, poezia shpalos realen përmes meditimit si refleksion dhe depërtim në arteriet e poetit. Vrojtimet e përditshmërisë kanë arritur të prekin pulsin poetik të autorit, me performancën stilistike të dalluar, për t`i dhënë jetëgjatësi artit, brendisë artistike.
Gjithsesi poenta e vargut ka ngulitjet në përzbardhimin e ëndrrës, me të cilën Mirkoja ka medituar në krijimet e veta artistike.
Në këto poezi të shkuara në vitet e fundit të jetës së Mirko Gashit, sikur stigmatizohen vlimet shoqërore, rizgjojnë absurdin dhe ato trokasin në ndërgjegjen e njeriut. Në këto depërtime të botës e të fatit të tij poezia arrin në prekje të duhura, sepse poeti i ka ruajtur lidhjet e gjakut nëpër këto vonesa të pazbërthyeshme për njerëzit e gjakut e të gjuhës, të nëpërkëmbur e të përvuajtur. Marrëdhëniet në kontekst të kohëve në poezinë e Mirko Gashit, aktualizojnë gjurmët e qëndresës së njerëzve, të cilët e bënë historinë. Historia njerëzore ka të bëmat e veta nga më të ndryshmet, e këto ndryshime i kanë edhe veçantitë e tyre, sepse personalitetet e dalluara kanë ruajtur e ndjekur gjenin e tyre.
Në këto evoluime kohësh e personalitetesh poezia e Mirko Gashit me racionalizëm poetik qartëson mospajtimin me dhunën e diktaturës. Mospajtimi me rrethanat e kohës, shprehet përmes figurave të zgjedhura, në realitet figurat poetike në poezinë e tij janë edhe verdikt autonom i tij, sepse vargjet komunikojnë krejtësisht të lirë.

Heu, heu
po m’i mohoni qirinjtë
në namin tim
mjerimi juaj

Kah po fluturon
ai zog
pa grila
(Ai Zog)

Në realitet fluturimi i zogjve në Kosovë, gjithnjë ishte nën mbikëqyrje të diktateve dhe grilat njeriu i ndërgjegjes kombëtare i kishte në të gjitha gjymtyrët e trupit. Mirëpo, mospajtimi dhe fluturimi për shtigje të lira është kërkesë e autorit. Këto frymëmarrje e bartje të përtejme janë qenësore, sepse në universin e tij ka mospranim të diktatit në kohë sundimi. Marrëdhëniet e poetit parashtrojnë tipare të natyrshme me shfaqje të imagjinatës për të konkretizuar e mundur kohën e fatkeqësive të popullit të tij.

Drita shpresëdhënëse

Lutjet në përditshmëri janë dita me dritë e buzëqeshje. Po kush më mirë se poeti di të paralajmërojë këtë dritë në pritje të buzëqeshjes e nën flakën e qirinjve. Po ku e kanë zanafillën këta qirinj?, lashtësia e trungut tonë nëpër lakimet e sunduesve dhe konvertimet e ndarjeve tona. Koha ka krijuar mite e nëpër këto mite kanë kaluar fatet, autori ndezjen e qirinjve e ka ndërtuar si relikt dhe si pasuri e ruajtur nëpër brezni, të cilat në vete kanë brumosur dhe denigruar të kaluarën tonë. Kështu “Kali i Varreve” mund të interpretohet në disa variante të pritjes për flakën dritë-jetë dhe mitin e kalit të Kostandinit. Si produkt i ruajtjes së besës për dashurinë e krijimit të familjes.
Në të vërtetë lirikat e këtij vëllimi të japin shumëkuptimësinë e vetëdijes kolektive nën veprimin e prizmit origjinal, për të pa të padukshmen, e cila qëndron mbi supet e njeriut tonë. Natyra si reliev dhe preokupim determinon nostalgji për njeriun e secilës kohë, kur ai rikthen kohët dhe peshon dashurinë e dhembjet për të afërmit e farefisit apo për ata që kanë ruajtur diçka nga vetja.
Padyshim se këto bredhje, shkoqitje meditimesh nën strehimin e ombrellës së rrebesheve jetësore janë terri dhe drita shpresëdhënëse.
Konspiracioni manifestohet përmes antitezave që paraqet vorbullën e ndodhive jetësore. Kemi të bëjmë me jetën sociale, për të konkretizuar njësitë poetike si tërësi të lidhura me dramën e jetës dhe në bashkëveprim me shkaqet e sinkronizimit, si fenomen i një koordinimi që imponon përmes vijave të padukshme dhe si lodhje e procese psikike.

Unë mbjell elb
e më del qelb

Shumë e shumë gënjeshtra
na futën në eshtra

Halë në sy
tërë kohën
(Kalvari)

Brenda këtyre përjetimeve e tmerreve poezia e Mirko Gashit ka ruajtur edhe vlerën njerëzore, si pasuri dhe njohje për kultivim të aspiratave që konkretizohen përmes tekstit poetik.
Duke i peshuar idetë, veprat në motivim të lidhjes së kohëve me faktorizim të ruajtjes së identitetit kulturor e kombëtar si dhe për të ndërtuar të ardhmen në fisnikërim të krijimit të traditës dhe fjalës së bukur artistike janë edhe poezitë: “Gandiana e Përsëritur”,”Atë Gjegj Fishta”, “Tek Syla”, Kaçaniku”, ”Baritorçe”.
Këto poezi shprehin vlera shpirtërore të poetit, me të cilat është ballafaquar në vitet e fundit të jetës së tij. Vargjet e këtyre poezive kanë veçantitë identifikuese me një trajtim e mesazh ndryshe nga poezitë përkushtuese, të cilat po krijohen në këto dy dekadat e fundit. Poezitë e Mirko Gashit, me këtë tematikë brenda rrezatojnë ngrohtësi dhe artikulojnë vlerën estetike.
Poezia në kuptimin artistik krijon të vërtetën që autori bashkëjeton me të; ai kërkon të realizojë atë siç e përjeton në shpirtin e tij.
Në sheshimin e kërkuar flaka e zbulimit të figurës së kërkuar është kulmore, për të jetuar poezia dhe vetë jeta e shkrimtarit Mirko Gashi.
Në këto kurorëzime, vargu baraspeshon idetë, mesazhet si dhe krijon klimën e kërkuar për lexuesin që ai të bashkëjetojë me poezitë. Me këmbëngulje e goditje të kapshme radhiten vargjet për të papushtueshmen luftë të Homerit me protagonistin e njohur sa origjinal nga gjeni i tij ,po aq edhe i kërkuar, i diskutuar nëpër shekuj.

Thembër e Akilit
m’është dashuria e fëmijëve
(Indet)

Në të gjitha vargjet e poezisë krijohet uniteti i kërkesave të autorit për të mundur kohën antikohë. Me figuracionin emërtues të kavallit, autori krijon mundësi afirmimi për njeriun e tij, duke e larguar të keqen e këtij vendi. Me shprehjet sa racionale po aq kuptimplote, mesazhet e poezive që në fillim dhe mbarim lidhin tërësinë e kompleksitetit të shekujve, sepse “bira e fundit e kavallit” edhe si sintezë, brenda vetes ka akumulim të largimit të kësaj të keqeje robëruese. Kështu, në poezinë “Pritja”, gjakimi i poetit kurorëzon kumbimin e brendshëm, si himn e triumf i kërkesave të tij jetësore. Ai mbështet fjalën artistike në ngazëllimin e zotërimit të murosur në murin artistik, me gurin e latuar për shkëlqim e rrezatim nëpër kohë. Dhe padyshim, se kjo vepër” Blegërimë resh” e Mirko Gashit edhe pas tri dekadave të jep lirinë e përjetimit për të bukurën.
Veprat e konsoliduara në trajtim dhe shtjellim, në të gjitha kohët të japim diçka që njeriut i ka munguar, kjo diçka e munguar domosdoshmërish kuptohet e përjetohet pas leximit të kësaj vepre, e cila në vete ka filozofi të thellë në shpalosjet e kohëve, protagonistëve, të cilët në vepër përfaqësojnë identitete të figurave sa mitologjike, po aq edhe personalitete të kohës.
Në këto vlera artistike me shije e koordinatat harmonizuara brenda shpirtit të poetit veprës ” Blegërimë resh” i japin jetëgjatësi në lexim, përjetim dhe vend të rëndësishëm në botën e letrave shqipe.

Korrik 2020

You Might Also Like