ARSIMI

GJILANASIT VAZHDOJNË ME SUKSESE NË OLIMPIADËN MATEMATIKE TË KOSOVËS – OMK 2017

festim Shkruan: Festim Shkodra

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK), sot më 04/03/2017 në FSHMN në Prishtinë, shpalli solemnisht rezultatet zyrtare të Olimpiadës Matematike të Kosovës – OMK 2017, të mbajtur më 25/02/2017 në Banullë – Lipjan. Në këtë solemnitet fituesve iu ndanë edhe shpërblimet e siguruara nga organizatori. Edhe sivjet, në këtë olimpiadë gjilanasit vazhdojnë me suksese. Kuptohet këtu duke i llogaritë edhe nxënësit gjilanas që pikënisjen e sukseseve dhe përgatitjes së tyre matematike e kanë nga shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Gjilanit si dhe Olimpiadat Matematike të Gjilanit. Ndërsa tani këta nxënës po vazhdojnë me sukses të lartë shkollimin në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë dhe në Kolegjin ,,Mehmet Akif” në Lipjan.

Kështu nga gjithsejt 12 vende të para në OMK 2017, gjilanasit zunë 3 vende apo 25 % të tyre, ndërsa nga gjithsejt 21 vetë të kualifikuar për të vazhduar më tej garën për përzgjedhjen e reprezentacionit shtetëror, triumfuan 6 gjilanas apo 28.57 % të kualifikuarve për TST. Posaçërisht vlen të permendet gjilanasi Bardh Osmani që zuri vendin e parë në klasat e IX me 91 pikë.

Këtë herë nga ekipi zyrtar i Komunës së Gjilanit, sukses më të madh treguan nxënësit e klasës së IX, ku Bardh Osmani (SHMU ,,Musa Zajmi” – Gjilan) zuri vendin e parë, ndërsa nxënësi tjetër Andi Sejdiu (SHMU ,,Sadullah Brestovci” – Gjilan) zuri vendin e IV. Por edhe nxënësit tjerë gjilanas që nuk arritën të kualifikohen për të vazhduar më tej garën, arritën sukses solid në nivel vendi.

Nxënësit tjerë gjilanas, që u kualifikuan për të vazhduar garën më tej deri në përzgjedhjen e ekipit 6 anëtarësh të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Botërore të Matematikës IMO 2017 që mbahet më 12-23/07/2017 në Brazil, janë: Erion Hamiti (kl. XII – vendi II), Alban Elezi (kl. XII – vendi III ), Ardita Berisha (kl. XII – vendi IV dhe Flutura Shabani (kl. XII – vendi V).

Ju dëshirojmë suksese të mëtejme fituesve!

You Might Also Like