Futboll

Gjilani do Evropën, sërish peshkon në Shqipëri

I fundit futbollist shqiptar që po provohet te Gjilani në Superligën e Kosovës është Jurgen Peqini, sulmuesi që sezonin e kaluar e mbylli me Erzenin e Shijakut në Kategorinë e Parë.

Këtë e konfirmoi edhe trajneri i ‘kuqebardhëve’ Gentjan Mezani, i cili në një prononcim për “Sporteskpress.com” ka folur në lidhje me të ardhmen e Peqinit dhe objektivat e gjilanasve.

“Këto ditë kam në provë Jurgen Peqinin, i cili ka luajtur sezonin e kaluar me Erzenin. Për mua vlerat e tij janë të mira dhe pres që të tregojë cilësitë e tij më të mira si sulmues. Janë vetëm ditët e para dhe nuk mund të jap një konkluzion përfundimtar. Shikoj se deri tani ka gjendje të mirë fizike”, theksoi fillimisht Mezani.

Tekniku vlonjat pret edhe të tjerë futbollistë te kjo skuadër, që në sezonin e kaluar kaloi vështirësi për mbijetesë.

“Gjilani pret të tjerë futbollistë nga Shqipëria. Me drejtuesit kemi si objektiv hyrjen në grupin e skuadrave që synojnë Europën. Te Gjilani janë edhe portieri Shkëlzen Ruçi, mbrojtësit Erlis Frashëri e Oltion Rapa, si dhe mesfushori anësor Bedri Greca”, përfundoi Mezani.

You Might Also Like