Gjilan

Gjilani i ka plotësuar kriteret për integrime euroatlantike

Stacioni i Policisë së Kosovës në Gjilan, në Teatrin e qytetit ka publikuar raportin vjetor të punës për vitin 2016, duke potencuar si një vit të qetë me statistika pozitive dhe gjithnjë nën vazhdën e angazhimeve për përmirësim të mëtutjeshëm në bazë të synimit dhe misionit që ka ky institucion i sigurisë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, pas përmbledhjes së raportit të Policisë së Kosovës në Gjilan ka thënë se Gjilani është shembull i mirë i suksesit në shumë fusha, e sidomos në sigurinë publike, për çka kemi raste zero të vrasjeve si pasoj e akteve kriminale.

“Një falënderim i veçantë që do duhej ta japim të gjithë së bashku, është ai për organet e rendit dhe sigurisë së jetës së qytetarit në përgjithësi. Nga shifrat dhe të dhënat zyrtare të prezantuara nga majori Remzi Azemi, këtu para qytetarëve, ne shohim që të gjitha të dhënat janë pozitive sa i përket sigurisë dhe përmirësimit të gjendjes në Komunën e Gjilanit nga viti në vit. Nëse do të duhej të matej Gjilani me barometrin e arritjeve  dhe standarteve për integrim euroatlantike, mund të themi se ne i kemi plotësuar kushtet për ecjen në këtë rrugë që e kemi synim prej vitesh”, ka thënë kryetari Haziri, duke falënderuar edhe qytetarët e Gjilanit për respektimin e ligjeve të Republikës së Kosovës.

Ndërsa në raportin e tij, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Remzi Azemi ka thënë se gjendja në përgjithësi për vitin 2016 ka qenë pozitive në bazë të të gjitha të dhënave zyrtare, por, sipas tij angazhimi për të ardhmen do të jetë edhe më i madh.

“Falë bashkëpunimit me institucionet e ndryshme lokale të qeverisjes, me organet e drejtësisë, me institucionet edukative dhe arsimore, me shoqërinë civile, me bashkësitë fetare, me organizata të ndryshme që veprojnë në Gjilan dhe me një bashkëpunim shumë të mirë që bashkërisht është krijuar me qytetarët e Gjilanit të gjithë parametrat janë pozitiv dhe gjithnjë na paraqesin si stacioni më të qetë në nivel të Republikës”, ka thënë mes tjerash komandanti Azemi.

Ai më tej ka potencuar se këto statistika pozitive të vitit 2016 janë gjithnjë në krahasim me periudhën paraprake, mirëpo sipas tij ka gjithnjë hapësirë dhe vend që të ketë përmirësim të mëtutjeshëm.

Azemi poashtu ka pohuar se vizioni dhe misioni i policisë së Kosovës në qendër të vëmendjes kanë qytetarin, sigurinë e tij, zbatimin e ligjit dhe avancimin drejtë niveleve më të larta të policive bashkëkohore, megjithse sipas tij policia e Kosovës është ndër më modernet në shtetet e rajonit.

E nga ana e saj Elmina Mhmuti, Komandante e Policisë së Kosovës për regjionin e Gjilanit, ka thënë se Polici i Kosovës është në nivelin e detyrës gjatë gjithë kohës, prandaj kur krahasojmë karakteristikat e Gjilanit, ne mund të krahasohemi me qytetet që janë më të zhvilluara në shtete të ndryshme në Evropë.

Ajo ka thënë poashtu se bashkëpunimi i qytetarëve dhe institucioneve me policinë është i mirë por duhet të lëvizim edhe më tutje drejtë sukseseve të përbashkëta edhe më të mira për të mirën e qytetarëve tanë.

You Might Also Like