ARSIMI, LAJME

Gjilani me kampus të shkollave të mesme

I pari i gjilanasve është ndarë tejet i kënaqur që tashmë po përfundon faza e parë e investimeve, duke thënë se ambienti ka ndryshuar qind për qind.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka inspektuar sot punimet në kampusit të shkollave të mesme të Gjilanit.

“Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, pas takimeve të shumta dhe punëve tjera, ne sot inspektuam punimet e kampusit të shkollave të mesme, e që është i pari në nivel republike. Është njëri prej programeve më të mëdha që e kemi në kuadër të investimeve në arsim. Faza e parë siç po shihet është përfunduar dhe të hënën gjithçka është gati që nxënësit, arsimtarët dhe stafi teknik të vijnë në një ambient krejt të ri me një pamje krejt tjetër. Ambienti këtu ka ndryshuar qind për qind”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

“Investimi është bërë përmes partneritetit publiko-privat dhe Komuna nuk ka kosto buxhetore në këtë rast. E kemi bërë zgjidhjen edhe për qytetarët e “Dardanisë” të cilët hyjnë e dalin, ndërkaq nënkalimet janë ato të cilat e organizojnë jetën e nxënësve. Ajo që është shumë e rëndësishme, nxënësit gjatë procesit edukativo-arsimor do të qëndrojnë brenda. Nuk ka hyrje dalje prej kampusit dhe nuk lejohet asnjë lloj shërbimi që nxënësit mund të rrezikohen, qoftë alkool apo duhan”, ka shtuar Haziri.

Ai ka nënvizuar se shpreson që ky është hapi i parë para fillimit të ndërtimit të kampusit universitar “Kadri Zeka”.

“Unë i uroj nxënësit dhe arsimtarët për këtë vit të ri shkollor dhe besoj që ky është hapi i parë para fillimit të ndërtimit të kampusit universitar “Kadri Zeka”, për të cilin ne po punojmë me ministrin e Arsimit dhe kryeministrin që, po ashtu, në kuptimin formal të bëhet vendimmarrja dhe ndoshta në modelin e njejtë”, përfundoi deklaratën e tij kryetari Haziri, gjatë adresimit para mediave.

Drejtoresha e Arsimit, Shqipe Kastrati Haziri, ka shfaqur gëzimin që punët në kompleksin e shkollave po shkojnë mjaftë mirë, duke rikonfimuar se që janë bërë përgatitjet finale që procesi mësimor të filloj mbarë në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.

Fadil Beqiri, menaxher nga kompania që po i kryen punimet, ka konfirmuar se pjesa e parë e investimeve përfundon të dielën, duke shtuar se investimet do të zgjasin 3 vjet, në tri faza.

 

You Might Also Like