Gjilan

Gjilani nis fushatën “Mos ndiz zjarr që shkakton rrezik të përgjithshëm”

Gjilan, 19 qershor 2019 – Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit ka nisur fushatën vetëdijësuese të qytetarëve në parandalimin e zjarreve fushore dhe pyjore me moton “Mos ndiz zjarr që shkakton rrezik të përgjithshëm”.

“Kemi ngritur nivelin e mobilizimit të stafit të Drejtorisë, SHZSH dhe Shërbimit Vullnetar të Zjarrfiksëve, si pasojë e ngritjes së temperaturave. Kemi mbajtur takim me faktorët komunal emergjent si me Policinë e Kosovës, Zyren Operative Emergjente 112, Inspektoratin e Zjarrëfikjes, Shërbim Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit, ku jemi dakorduar në marrjen e masave të duhura dhe me kohë duke bashkëpunuar mes faktorëve komunal ne parandalimin e zjarreve dhe rreziqeve të tjera”, ka thënë drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, në konferencën për media, të mërkurën.

Duke paraqitur punën 6-mujore, Spahiu pohoi se në janar kanë arritur ta sjellin një kamiontë ashtuquajtur sulmues për Shërbimin e Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit si donacion nga Zvicra, me ndihmën e Rotari Klub Gjilani.

Ndërsa, në bashkëpunim me kompaninë Hidromorava, nëpërmjet grupit punues të krijuar nga kryetari Haziri, është arritur të aftësohen shtatë pika furnizuese – hidrantë në qytetin tonë të cilët më herët kanë qenë jashtë funksionit.

“Po ashtu, Njësinë profesionale të Zjarrëfikëseve jemi në procedurën finale për furnizuar me tri pompa shpinore profesionale, ku do të shërbejnë dhe lehtojnë punën zjarrfiksëve për fikjen e zjarreve malore dhe fushore”, tha ai.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, Spahiu njoftoi se ka pasur 267 zjarre dhe 725 intervenime teknike nga ekipet e tyre.

You Might Also Like