Gjilan

Gjilani organizon mbledhje komemorative në nderim të jetes dhe vepres së simbolit të qëndresës e sakrificës, Fatime Hyseni

Gjilan, 18 shtator 2019 – Me rastin e ndarjes nga jeta të simbolit të qëndresës dhe sakrificës, Fatime Hyseni, nënës së tre dëshmorëve të kombit, Ramadan, Shaban dhe Ilmi Hyseni, është mbajtur mbledhje komemorative, e cila është organizuar nën përkudjesjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në fjalën e rastin, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili ka folur në emër të Lutfi Hazirit, ka deklaruar se Fatime Hyseni është sinonim i nënës fisnike, të njeriut të qëndresës dhe sakrificës, duke i dhënë atdheut tre djem dëshmorë.

“Nëna Fatime nuk është më në mesin tonë, por vepra e saj prej heroine në shërbim të atdheut, do të jetoj për sa të jetë jeta. Është rast i rrallë që një nënë i jep atdheut tre djem dhe qëndron me krenari, dinjitet e vendosmëri deri në frymën e fundit. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe bashkëluftëtarëve të Ramadan, Shaban dhe Ilmi Hysenit”, ka thënë Ismaji.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, theksoi se sot jetojmë të lirë në saje të kultivimit të ndjenjes së lirisë nga nëna Fatime për bijtë e saj.

“Nëna Fatime ka pasur vështirësitë e jetës ashtu si të gjitha nënat e heronjve dhe njerëzve që janë flijuar për vendin tonë. Nuk ka qenë e lehtë për të, për shokët e qytetarët, ajo preiudhë kur armiku donte të shfaroste qenien shqiptare, por që me vetëdije të plotë, djemtë e nënës Fatime u vunë në rrestin e  UÇK’së, që përfundimisht i dhanë goditjen e fundit armikut shekullor. Të rralla janë nënat që i përcjellin djemtë për sakrificën e fundit”, tha Isufi.

Në emër të shoqatava të dala nga lufta e UÇK’së, ka folur Qëndrim Baftiu, ndërkaq në emër të familjes Hyseni ka folur nipi i Fatimes, Eugeni, i cili e ka falënderuar kryetarin Lutfi Haziri për organizimin e kësaj akademie dhe për telegramin e ngushëllimit.

You Might Also Like