SPORTI

Gjilani organizon Panairin e Sportit me pjesëmarrje të të gjitha ekipeve sportive

Gjilan, 14 shtator 2017 – Komuna e Gjilanit, respektivisht Njësia për Sport, ka organizuar Panairin e Sportit, në të cilin me sukseset dhe vlerat e tyre janë paraqitur të gjitha klubet e Gjilanit nga disiplina të ndryshme sportive, duke përfshirë edhe klubin sportiv të personave me aftësi të kufizuara.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka vlerësuar lartë këtë organizim të kësaj ngjarjeje, e cila tregon për mbështetjen e madhe që Komuna e Gjilanit jep për sportin.

“Panairi i Sportit është një masovizim për të rinjtë që të merren me aktivitete të kësaj natyre. Përmes aktiviteteve sportive mund të arrihet zhvillimi i 25 shkathtësive të reja që të tjerët nuk mund t’i kenë. Sporti është shkollë e jetës, shkollë e ndërtimit dhe zhvillimit. Dikush nga ju në të ardhmen do të jetë në nivelin e rezultatet e Majlinda Kelmendit, por që të arrihet atje, duhet që më herët të punohet në shkolla sportive”, ka thënë mes tjerash Hasani.

Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, tha se Komuna e Gjilanit gjithnjë ka qenë dhe mbetet mbështetësja më e madhe e klubeve sportive të Gjilanit.

Ajo tha se Gjilani me përkushtimin e kryetarit Haziri, ka krijuar standard të sportit dhe tashmë kjo Komunë është një garuese e fuqishme në arenën sportive brenda dhe jashtë kufijve të vendit, me kuadro profesionale që kanë bagazh ndërkombëtar.

Kurse, Malazog Hoxha, përgjegjës për sport, ka falënderuar të gjitha klubet sportive dhe sportdashësit për këtë interesim të jashtëzakonshëm në afirmim dhe ngritje të nivelit të sportit në përgjithësi.

Ndryshe, pos tjerash, sekseset e Gjilanit shiheshin nga trofetë e shumta që kishin marrë klubet sportive nëpër gara të ndryshme komunale, shtetrore, mbarëkombëtare dhe ndërshtetrore.

You Might Also Like