Gjilan

Gjilani përuron shtëpinë e radhës për familjen e Ylfete Rafunës

Në fshatin Livoç të Komunës së Gjilanit, sot është përuruar shtëpia e radhës për krye familjaren e Ylfete Rafuna dhe tre fëmijëve të saj, e ndërtuar nga Forumi i Grafe Shqiptare në Botë, me qendër në Suedi, në kuadër të mbrëmjes humanitare “Pak nga ne shumë pë rata” e organizuar nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri në vitin 2014.

Në fjalën e saj kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, që shoqërohej nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët e drejtorive komunale, ka thënë se Komuna e Gjilanit duke falënderuar shpirtin e madh të donatorëve si brenda ashtu edhe nga mërgata shqiptare nëpër botë, ka ndërtuar shtëpi dhe ndihmuar numër jashtëzakonisht të madh të familjeve në nevojë.

“Familjet në nevojë, e posaqërisht jetimët në Gjilan asnjëherë nuk janë jetim. Ata kanë mungesat shpirtërore, por kanë gjithë qytetarët e Gjilanit me vete. Komuna e Gjilanit do të kujdeset vazhdueshëm për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale”, ka thënë kryesuesja Bunjaku- Rexhepi.

Ajo më tej ka thënë se falë nismës së kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, me organizimin e gala mbrëmjes humanitare në vitin 2014, është arritur që në Gjilan tashmë të inaugurohen 45 shtëpi dhe njëkohësisht gjatë ditës së nesërme do të nisë shtëpia e radhës poashtu me mbështetjen e donatorëve. Krahas kësaj janë bërë edhe shumë renovime të shtëpive dhe mbështetje tjetër permanente në aspekte të tjera për familjet në nevojë”, ka potencuar ajo, duke falënderuar  Forumin e gruas shqiptare në botë për ndërtimin e kësaj shtëpie.

Kurse, Afërdita Krasniqi, përfaqësuese e Forumit të Gruas Shqiptare në Botë, me seli në Suedi, ka thënë se të ndihmosh dikë është një ndjenjë e papërshkrueshme dhe gjithnjë shtytëse për ndihmën tjetër në familje tjera.

“Mbështetja e vazhdueshme e grave shqiptare në diasporë është ajo që ka bërë të mundur që kjo familje të ketë sot kulm mbi kokë. Ne gjatë ditëve në vijim do të nisim edhe një shtëpi tjetër për një familje tjetër në Kosovë dhe do të vazhdojmë me misionin tonë për mbështetjen e familjeve në nevojë në fusha të ndryshme, si në ndërtim të shtëpive, poashtu edhe në mbështetje për shërim jashtë vendit”, ka thënë përfaqësuesja Krasniqi.

Nga ana e tij, Milaim Jashari, nga shoqata Feniks, ka thënë se gjithnjë do të jetë bashkëpunëtore dhe mbështetse përmes donatorëve familje të ndryshme në vend, duke potencuar se kjo shtëpi është e 199-ta me radhë në nivel të Kosovës që ndërtohet edhe me angazhimin e shoqatës.

Kurse, Ylfete Rafuna, derisa mbante afër tre fëmijët e saj në këtë moment të veçantë, ka thënë se asnjëherë nuk do të arrij gjatë jetës së saj që ta përshkruaj këtë ndjenjë gëzimi që ka përjetuar me zgjidhjen e problemit të banimit, për fëmijët e saj duke spikatur faktin që më nuk do të bredh rrugëve dhe shtëpive të huaja, por do të ketë shtëpinë e vet dhe vendin ku fëmijët do të krijojnë ardhmërinë e tyre.

You Might Also Like