Gjilan

Gjilani qytet i tolerancës ndëretnike dhe mirëkuptimit qytetar

Komiteti për Komunitete, njëzëri e ka vlerësuar të kënaqshme situatën e sigurisë në komunën e Gjilanit, ku pos shqiptarëve, jetojnë edhe serbë, turq, romë dhe të tjerë. Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka kërkuar prej secilit anëtar të kësaj trupe komunale që të deklarohet në lidhje me gjendjen e sigurisë dhe askush prej tyre nuk ka pasur ankesa sa i përket sigurisë dhe lëvizjes së lirë.

Zvonimir Tasiqi ka thënë se Gjilani është një fotografi e mirë sa i përket raporteve ndëretnike. Këtu, njerëzit lëvizin, tregtojnë dhe i kryejnë punët e tyre pa asnjë problem, ka thënë ai.

Edhe Tomisllav Naskoviq ka thënë se në Gjilan ekziston një bashkëpunim i mirë i komuniteteve me policinë e Kosovë, me institucionet komunale, me ushtarët e KFOR-it si dhe me të gjithë të tjerët.

Fadil Demiroviq ka thënë se komuniteti rom është i kënaqur sa i përket bashkëpunimit me policinë, duke thënë se ]do rast eventual që mund të kenë, e zgjidhim bashkërisht.

Agim Brestovci (PDK), duke i marrë për bazë raportet e policisë si dhe deklaratat e përfaqësuesve të komuniteteve, ka thënë se është evidente që në Gjilan ekziston një rehati e përgjithshme.

Ibish Ibishi (AAK), ka thënë se falë kësaj klime të mirë, në Gjilan, askush nuk ka nevojë të shkojë nëpër institucione me përcjellje të policisë. “Këtë shtet të ri duhet ta pranojmë të gjithë kështu siç është“, ka thënë ai.

Si shqetësime të përgjithshme, Ibishi ka paraqitur problemin e pengesave të ndryshme nëpër trotuare e rrugë dhe ka kërkuar nga policia që t`i ketë parasysh këto gjera, sepse ka qytetarë që, për të ruajtur pronën private, drutë i shkarkojnë dhe shkurtojnë nëpër trotuare, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve.

Edhe nga aspekti policor, gjendja e sigurisë është vlerësuar e mirë.  Bajram Hasani  nga Policia e Kosovës, ka thënë se policët kujdesen për largimin e veturave nga trotuaret, ndërkaq për gjësendet tjera, që nuk janë në përgjegjësinë e tyre, i njoftojnë inspektorët komunalë.

Sipas tij, një problem tjetër, që po ashtu përbën shqetësim për qytetarët, janë qentë endacakë. Hasani ka thënë se policia i ka njoftuar zyrtarët komunalë për ankesat e qytetarëve dhe u mbetet atyre që t`i ndërmarrin masat e duhura për largimin nga rruga të qenve pa përkujdesje.

Në një rast që ka ndodhur në fshatin Ponesh, ku një qytetar është kafshuar nga qeni, pronarit i është bërë kallëzim penal, ka thënë Hasani.

Përndryshe, Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, ka thënë se Gjilani njihet si qytet i tolerancës ndëretnike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion dhe për këtë, meritat më të mëdha i ka adresuar tek qytetarët.

You Might Also Like