OPINION

GJILANI ME RRETHINË NË KRYENGRITJEN E PËRGJITHSHME SHQIPTARE TË VITIT 1912

aliriza   Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani

Pas formimit të Vilajetit të Kosovës më 1877,  me qendër në Prizren (1877-1888),  e mandej në Shkup (1888-1912),  Kazaja (Rrethi) i Gjilanit i takonte Sanxhakut të Prishtinës, dhe ishte ndër rrethet më të mëdha të Vilajetit të Kosovës,  me afro 200 fshatra. Në vitet e fundit të sundimit osman Gjilani me rrethinë kishte mbi 60.000 banorë, prej të cilëve ¾ ishin shqiptarë. Ky rreth përfshinte pjesën jug-lindore të Kosovës, si dhe disa fshatra të komunës së Prishtinës dhe Ferizajt.

Kazaja e Gjilanit që ndër ato vise shqiptare që mori pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare,  veçanërisht në fazën e fundit të saj në 1908-1912,  duke i dhënë kështu një kontribut të çmuar Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në këto anë ndodhen ngjarje të rëndësishme të karakterit kombëtar,  si tubim i mijëra shqiptarëve në Kuvendin e Ferizajt në korrik 1908;beteja e Kaçanikut dhe luftimet në Moravën e Epërme e në Karadak më 1910,  dhe së fundi vendtubimi i mijëra kryengritësve Shqiptarë të Vilajetit të Kosovës para marshimit për Shkup më 1912.

Krahas luftës për çlirimin kombëtar nga sundimi osman,  kjo pjesë e Vilajetit të Kosovës u dallua edhe për aktivitetin e vet kundër qëllimeve imperialiste të Serbisë. Ky rrezik u shtua në veçanti pas  viteve 1877-1878 dhe pas dështimit të përpjekjeve të fundit të deputetëve shqiptarë,  në parlamentin osman, që me marrëveshje të sigurohej autonomia e viseve shqiptare,  në janar të vitit 1912, në “Komplotin e Taksimit” në Stamboll u mor vendimi për fillimin e kryengritjes së përgjithshme, e ajo duhej të fillonte në Kosovë, që me luftën e armatosur do të siguronte autonominë dhe më pas pavarësinë e plotë.

Në këtë kohë si çdokund në Vilajetin e Kosovës, edhe në Rrethin e Gjilanit, pakënaqësia nga sundimi osman,  e sidomos shqetësimi nga rreziku i jashtëm i kishte përfshirë masat e gjera popullore. Prandaj,  që nga fillimi i vitit 1912,  përgatitjet për pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në këtë luftë, nisen të intensifikohen. Veçanërisht aktivë ishin udhëheqësit e këtyre anëve, të Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë. Mirëpo,  gjatë këtyre përgatitjeve,  në mungesë të përkrahjes dhe ndihmës nga vendet tjera,  si problem shumë i rëndësishëm doli furnizimi i kryengritësve më armë e municion. Prandaj,  duke mos patur rrugëdalje tjetër, shqiptarët  e kazasw së Gjilanit si dhe disa viseve të tjera të Kosovës,  u detyruan që për sigurimin e një sasie armësh, të orientohen kah Serbia kontaktet me të u intensifikuan që nga vitit 1910, si dhe me strehimin e shumë kryengritësve në këtë vend. Madje edhe gjatë vitit 1912, Serbia ishte furnizuesja kryesore e ëasp ane me armë e municion. E tërë kjo bëhej në marrëveshje me Hasan Prishtinën, Bajram Currin dhe me udhëheqësit e tjerë të Vilajetit të Kosovës dhe pastaj viheshin kontaktet e krerëve lokal me këtë vend fqinj.

Në fillimin e vitit 1912 kontaktet e disa krerëve e bejlerëve të Kazës së Gjilanit me qeverinë serbe u shpeshtuan dhe se në shumë përpjekje të veçanta diplomacia e saj u përpoq të vihej në korrent edhe me udhëheqësin kryesor të pjesës jug-lindor të të Vilajetit të Kosovës,  Idriz Seferin,  i cili që në vitin 1910. nuk e kishte pranuar ofertën për strehim në Serbi. Gjatë kontakteve dhe bisedimeve të Idrizit e të tjerëve më përfaqësuesit e Serbisë u arrit marrëveshja e sigurimit të një sasie armësh dhe municioni, të cilat filluan të vinin që nga shkurti i vitit 1912. Armët vinin edhe në mënyra të tjera, grup të vogla njerëzish të Gollakut (Gallapit) e viseve tjera, kalonin kufirin dhe shkonin deri në Beograd për pushkë dhe të cilat shpesh i paguanin edhe nga 16-17 lira turke, por duke e dhënë betimin se me to do të luftojnë për pavarësinë e Shqipërisë. Armët vinin edhe përmes kontrabandës, e për këtë qeveria Serbe nuk bënte pengesa. Ajo i kishte planet dhe qëllimet e veta dhe si thoshte diplomati serb Dr.Milovanoviqi, se në interesin tonë është që shqiptarët të shikojnë në Serbinë si në mikun e tyre, kurse përleshjet e tyre me ushtrinë osmane do t’I dobësojë të dy palët, gjë e cila do t’i  lehtësojë operacionet e ushtrisë tonë. Enkas për këtë ishte aktivizuar i tërë aparati diplomatik e informative serb, që konsistonte në përfitimin krerëve të lëvizjes për të vepruar sipas interesave vetanake,  gjë e cila edhe nuk do të mbetej pa efekt,  por jo edhe për udhëheqësit kryesorë dhe të papërkulur. Kështu,  Idriz Seferi çdoherë i bënte me dije emisarët serbë se shqiptarët po luftonin për pavarësi dhe nuk mund të merrte kurrfarë obligimi ndaj këtyre shërbimeve të Serbisë.

Propaganda serbe po vepronte edhe me dërgim e agjentëve të vet,  si dhe po bënte përpjekje për dërgimin e çetave e të komitëve në këto anë.  Midis agjentëve të njohur të Serbisë që kishte vepruar në Moravën e Poshtme ishte kapiten Bozhini,  i cili qëndroi andej pari me muaj gjatë vitit 1912,  duke u paraqitur si “Musliman”dhe duke arritur t’i përfitonte një numër shqiptarësh. Ndërkaq, në muajin prill të vitit 1912 kishte dërguar në Gjilan me rrethinë çetë komitesh, por si thotë konsulli Austro-Hungarez nga Shkupi, shpejt ishte zbuluar nga shqiptarët dhe ishte ndjekur përtej kufirit.

Disponomi antiosman i masave shqiptare në kazanë e Gjilanit shihet edhe në zgjedhjet parlamentare të shpallura pas shpërndarjes së Parlamentit në janar të vitit 1912. Osmanët e rinj për të siguruar fitoren e tyre  zhvilluan një propagandë të dendur në fushatën parazgjedhore,  dhe për këtë qëllim dërguan një komision në viset shqiptare në krye me ministrin e Brendshëm Haxhi Adil Beu,  i cili qëndroi më se tre muaj në këto vise. Misioni itij kishte pësuar disfatë dhe sipas raportit të konsullit të përgjithshëm të Serbisë nga Selaniku,  ai çdokund ishte pritur ftohët dhe me armë nga shqiptarët. Rrjedhimisht nga kjo në Kaza të Gjilanit xhonturqit morën masa  te shumta sigurie për kandidatët e tyre,  ku edhe patën sukses qe t’i përfitoni disa nga agallarët,  për jo edhe masën e gjerë popullore,  siç dhot të konsulli Milojeviq nga Prishtina,  opozita kishte arritur t’i propozonte njerëzit  e shquar dhe me autoritet në popull,  siç ishin Hasan Prishtina,  Nexhip Draga etj.

Të vetëdijshëm për mossuksesin e tyre në zgjedhje osmanët e rinj bënë marrëveshje me organizatat nacionaliste serbe,  duke i favorizuar me më tepër kandidatë  dhe sidomos konsullit austriak nga Mitrovica ,  se e vetmja shpresë për kandidatët e qeverisë në Kaza të Gjilanit kishte mbetur popullsia serbe,  me të cilën kishin shpallur listat e marrëveshjes. Përkundër të gjitha masave të osmanëve të rinj,  zgjedhjet parlamentare po zvarriteshin në shumë vise të Kosovës. Me qëllim të shpejtimit të tyre dhe realizimit të qëllimit, Valiu i Kosovës Masar Beu doli në rrugë agjituese dhe qëndroi rreth një muaj në Kaza të Prishtinës,  Gjilanit dhe Preshevës duke ftuar në bisedime njerëzit më të njohur dhe krerët e kryengritjes të cilëve iu premtoi të holla, lirinë etj.,  por pa sukses.

Përpjekjet e Qeverisë Osmane që me anën e forcës ushtarake e policore të siguronte zgjedhjen e kandidatëve të tyre, ndeshi në rezistencën armatosur të popullsisë shqiptare nëpër shumë fshatra të Kazasë së Gjilanit dhe që përfundoi me ndjekjen e komisioneve zgjedhore dhe ushtrisë e policisë. E gjithë kjo ndikoi në zgjedhjet që të mos kryhen në këto anë edhe pas hapjes së Parlamentit (më 18 prill), dhe si shkruante korrespodenti i “politikës” nga Shkupi, se deri më 15 maj ishin kryer votimet në Gjilan, Prishtinë, Kaçanik gjetkë por kandidatët xhonturq  kaluan shumë keq, sepse opozita fitoi shumicën e votave.

Që nga fillimi i vitit 1912 në shumë vise të Kazasë së Gjilanit po vazhdonin endjet e çetave kryengritëse dhe konfliktet e tyre të kohë pas kohshme me repartet e vogla ushtarake dhe xhandamërinë osmane. Ndërkaq organizatorët e kryengritjes me në krye Idriz Seferin,  duke qenë në lidhje të vazhdueshme me Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë të Vilajetit të Kosovës, po punonin me nxitim rreth organizimit të kryengritjes masive e cila do të ishte në bashkëveprim me të gjitha viset e tjera të tij.

Konfliktet gjithnjë e më të shpeshta dhe përgatitjet për një kryengritje me përmasa sa më të gjera, ndikoi që Perandoria Osmane të dërgonte vazhdimisht përforcime ushtarake në Kosovë, të forconte pikat strategjike e sidomos  Grykën e Kaçanikut, , ku në çdo kohë pritej depërtimi i kryengritësve të anës së Gjilanit e të viseve të tjera. Kështu forcohen rrugët, u siguruan lidhjet telegrafike e telefonike dhe u mbushën depot me armë e municion. Për këtë qëllim në Gjilan ishte ngritur edhe një depo e re ushtarake dhe pas pak të dy depot u mbushën me armë e municion. Konzulli Milojeviq nga Prishtina më 4 maj i njoftonte eprorët e vet se në kazermat ushtarake të Gjilanit, Prishtinës dhe të vendeve të tjera gjendet së paku nga 6000 pushkë automatike.

Kur në fillim të majit 1912 shtabi kryesor në krye me Hasan Prishtinën mori vendimin për fillimin e kryengritjes, edhe në pjesën jug-lindore të Kosovës u intensfikuan aksionet e armatosura dhe si raportonte konsulli i përgjithshëm i Serbisë nga Shkupi, se për shkak të shtimit të konflikteve dhe të trazirave të mëdha të popullsisë, në kazanë e Gjilanit është dërguar edhe një batalion ushtarësh nga Bilaqi, I cili menjëhërë hyri në luftë me kryengritësit. Këtyre ditëve,  shton po ky konsull shumë kryengritës të këasj ane po u shkonin në ndihmë vëllezërve të tyre ne rrethin e Gjakovës dhe të Pejës.

Me qëllim të bashkëveprimit të forcave kryengritëse dhe me një program të përbashkët në shkallë kombëtare, u thirr kuvendi i krerëve dhe udhëheqësve të kryengritjes së Junik prej 21-25 maj 1912, ku nuk morën pjesë edhe përfaqësuesit e Kazasë së Gjilanit. Megjithatë,  ata ishin deklaruar me shkrim se pajtohen me të gjitha vendimet që do të merren atje. Këtu u aprovuan kërkesat prej gjashtë pikash,  të cilat parashihnin autonominë e Shqipërisë dhe si tilla në formë Memorandumi ia dorëzuan Qeverisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha në emër të të gjithë shqiptarëve. Por,  meqë realizimi i kërkesave po zvarritej nga Qeveria Osmane, lufta çlirimtare u intensifikua gjithnjë e më tepër. Ato ditë edhe në Rrethin e Gjilanit kryengritja morri përjetime të gjera, për çka dëshmonte edhe deklarata e një delegacioni shqiptar dhënë gazetës së Sofjes “Reç”, ku midis tjerash thuhej se kryengritja kishte organizim të ri në anën e Gjakovës,  të Pejës dhe të Gjilanit.

Kuvendi i Junikut dhe zgjerimi i kryengritjes bëri që të shtohej aktiviteti propagandistik nëpërmjet propagandës së dendur,  me fjalime e tubime të ndryshme,  në të cilat sulmoheshin krerët e lëvizjes,  duke i shpallur si njerëz të shitur. Në ato tubime thuhej se Perandorisë Osmane po i kanosej rreziku me internimin e familjeve të tyre, përmes blerjes së disa njerëzve  me të holla,  me kërcënime me hulumtimin e rrënjëve të lëvizjes etj. Për këto  qëllime ishte dërguar në këto anë edhe ministri i brendshëm Haxhi Adil Beu dhe valiu i Kosovës Masar Beu, të cilëe kontaktuan me disa bejlerë të Kazasë e Gjilanit duke u përpjekur të vinin kontakte edhe me krerët kryesorë por pa sukses. Në këtë propagandë,  si thotë konsulli serb nga Prishtina, ishin karakteristike fjalimet e njëfarë Hakif Efendiut nga fshati Birivojcë i rrethit të Gjilanit,  i cili mes tjerash kishte folur edhe kundër kolonializmit të Fuqive të Mëdha,  si dhe kundër qëllimeve pushtuese të shteteve ballkanike ndaj këtyre viseve. Pasi fjalimi ishte marrë si qëndrim me interes të veçantë politik,  pushteti osman e kishte dërguar që të flasë edhe para qytetarëve të Prishtinës. Mirëpo,  e tërë kjo propagandë nuk pati efekt dhe si thoshte konsulli serb nga Selaniku shqiptarët çdokund po deklarojnë se nuk i besojnë regjimit kushtetuar,  sepse nuk e kishte mbajtur fjalën. Ndërkaq,  për shkak të aktivitetit të tij kundër lëvizjes dhe masave të ashpra,  Kajmekani i Gjilanit ishte gjykuar me vdekje dhe për këtë ishte mbyllur, kurse për këtë më 19 qershor ishte likuiduar Mydyri i Hogoshtit.

Në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut 1912 kryengritja shqiptare nën drejtimin e Shtabit Kryesor në krye me Hasan Prishtinën, i kishte përfshirë të gjitha masat e gjera popullore dhe po hynte në vorbullën e një kryengritjeje të përgjithshme, duke shënuar sukses pas sukses. Në këtë situatë në radhët e ushtarëve e oficerëve osmanë filloi një çrregullim dhe dezertimi i tyre. Kështu, kur më 6 korrik u dha urdhri që të dërgohen njësitë ushtarake për Gjilan e Preshevë, ku gjendja ishte keqësuar, dhe si pushtetit i kanosej rreziku i humbjes së kontrollit të plotë, një batalion refuzoi të shkonte për Gjilan, duke thënë se jemi të gatshëm të luftojmë por jo kundër vëllezërve tanë.

Gjatë gjysmës së parë të korrikut në Kaza të Gjilanit po bëheshin përgatitje rreth intensifikimit të forcave të kryengritjes për operacione më të mëdha, për çka ishin të interesuar edhe udhëheqësit e tjerë kosovar, sepse kjo do të siguronte marrjen e Grykës së Kaçanikut dhe kështu do të ndërpritet ardhja e mëtejme e trupave ushtarake osmane në Kosovë. Dihej se pos kontingjenteve që po vinin, më 14 korrik për në Kosovë ishte nisur edhe divizioni i nëntë nga Selaniku. Këto përgatitje, në të cilat merrnin pjesë edhe Bajram Curri e Isa Boletini, ia shtuan frikën pushteti perandorak, për marshim në drejtim të Kaçanikut e të Shkupit. Prandaj komandanti i garnizonit të Shkupit kishte urdhëruar vënien e topave në pozicione të kthyera me grykë kah Kaçaniku dhe Karadaku.

Më qëllim që t’u shmangeshin konflikteve më të mëdha dhe të realizoheshin kërkesat e shqiptarëve, u dërguan telegrame të shumta në Stamboll. Një telegram i tillë ishte dërguar edhe nga krerët  dhe feudalët e kësaj ane, pas mbledhjes më 15 korrik në Gjilan me të cilin ishin sulmuar ashpër osmanët e rinj për qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve, duke i dhënë afat prej tri ditësh për përgjigje. Një telegram i ngjashëm iu ishte dërguar edhe deputetëve shqiptarë në Parlamentin Osman, nga Idriz Seferi për Karadak, Ahmet aga për Moravën e Epërme dhe Bejtullah Beu për Moravën e Poshtme, me anë të cilit kërkohej që sa më parë të  plotësohen kërkesat dhe të marrin fund kryengritjet e 80.000 shqiptarëve.

Përkundër ndryshimeve në kreun e Qeverisë Osmane dhe premtimeve të tyre boshe, më 17 korrik po vazhdonte çlirimi i qyteteve të Kosovës ku ngjarje e veçantë ishte çlirimi i Prishtinës më 21 korrik dhe koncentrimi i rreth 50.000 kryengritësve në Rrafshin e Kosovës midis Prishtinës e Ferizajt.

Para sulmit në Gjilan, më 23 korrik në fshatin Pozhoran ishte mbajtur një tubim i krerëve të Kazasë me Idriz Seferin, Salih Agën, Bejtullah Beun e të tjerë, së bashku me ata të Moravës së Epërme dhe me Mehmet Pashë Derallën e Tetovës e Sahit Beun e Shkupit, ku ishte marrë vendimi për ndërprerjen e lidhjeve telegrafike me Shkupin e Ferizajn dhe të merret qyteti. Pas përgatitjeve të nevojshme, më 26 korrik kryengritësit hynë në Gjilan pa luftë, edhe pse në qytet po qëndronte garnizoni me 600 ushtarë, por duke e pa masën e madhe të kryengritësve ata nuk bënë rezistencë. Në mbrëmje u liruan të burgosurit dhe u thyen depot ushtarake,  ku u furnizua një pjesë e kryengritësve me armë dhe municion. Në ndërkohë Idriz Seferi me një numër kryengritësish zhvilloi disa luftime të suksesshme kundër disa njësive ushtarake të dërguara nga Shkupi e Kumanova dhe më këtë e kishte pastruar këtë anë nga pushteti osman. Pas këtyre suksseve Idriz Seferi në ballë të 2000 kryengritësve, më 28 korrik hyrinë Gjilan, ku u prit në mënyre madhështore dhe nga ky moment i tërë pushteti kaloi në duar të shqiptarëve.

Nga fundi i korrikut dhe në fillim të gushtit Rrethi i Gjilanit,  e veçanërisht Morava e Epërme filloi të shndërrohet në bazë ushtarake të mijëra kryengritësve me udhëheqësit e tyre nga  të gjitha viset e Kosovës, por edhe i një numri të ushtarëve dhe oficerëve të dezertuar osman. Aty mbaheshin mbledhjet e shpeshta, në të cilën po forcohej ideja e pavarësisë dhe po bëheshin përgatitjet operacionet e mëtejme. Duhet përmendur se te kryengritësit eksitonte një disiplinë e fortë dhe respekt i madh ndaj udhëheqësve të tyre.

Para se udhëtonte për Prishtinë, ku do të zhvilloheshin bisedimit me komisionin qeveritar, më 28 korrik u mbajt një tubim i krerëve dhe feudalëve të kazasë së Gjilanit, lidhur me qëndrimin  që do të marrin para komisionit qeveritar osman. Këtu u shfaqën edhe mospajtime, sepse disa çifligarë kënaqeshin vetëm me shpërndarjen e parlamentit dhe kthimin e sheriatit. Kjo zatën do ta vështirësojë punën e patriotëve të vërtet në shtrimin e kërkesave për autonomi e pavarësi.Si midis udhëheqësve më të njohur nuk kishte mospajtime në paraqitjen e kërkesave kryesore, dëshmon edhe nje deklaratë e Idriz Seferit dhënë disa serbëve gjilanas, ku thotë se midis tij dhe udhëheqësve të tjerë kryesorë nuk ka mospajtime për fatin e mëtejmë të shqiptarëve, kurse gazeta “Le Montieur Oriental”, e Stambollit, duke bërë fjalë për vendosmërinë e patriotëve të vërtetë, pos tjerash thotë se Idriz Seferi nuk do negociata, ai kërkon autonominë e Shqipërisë. Udhëheqësit e kryengritjes, paria e qytetit dhe rrethinës, të prirë nga Idriz Seferi dhe të shoqëruar nga 70 burra të armatosur, më 29 korrik nisen për Prishtinë.

Bisedimet e pasuksesshme me komisionin qeveritar në Prishtinë dhë qëndrimi igjatë forcave të mëdha kryengritëse si dhe qëllimi që t’i shmangen presionit turkoman e itilafist kushtëzoi që më 4 gusht Shtabi i Kryengritjes me në krye Hasan Prishtinën të vendoset në Ferizaj. Kjo u prit me shqetësim të madh në Stamboll, dhe  më 5 gusht u shpërnda Parlamenti dhe me këtë ra edhe qeveria e Gazi Myhtar pashës, e cila u zëvendësua me një tjetër me në krye Qamil Pashën. Elementi i luhatur në radhët e krerëve u mundua që ta shfrytëzonte këtë për shpërndarjen e kryengritësve së Jugut,  për t’i shtruar kërkesat në emër të të gjithë shqiptarëve. Kjo ia lehtësoi punën Hasan Prishtinë për të përpiluar kërkesat me krerët e tjerë në Ferizaj më 6 gusht dhe  që t’ia paraqesin kabinetit të ri një memorandum të njohur me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”. Kërkesat iu dorëzuan Marshal Ibrahim Pashës më 9 gusht në Prishtinë, duke i dhënë afat prej 48 orësh për përgjigje. Në të kundërtën i bëhej me dije se forcat kryengritëse do të marshojnë drejt Shkupit.

Derisa po pritej përgjigje nga Stambolli rreth “14 pikave të Hasan Prishtinës”,  në Kazanë e Gjilanit po vazhdonte koncentrimi i forcave të mëdha kryengritëse, të gatshme që në çdo moment të nisen drejt Shkupit, në shumë drejtime dhe kryesisht nëpër Moravën e Epërme dhe Karadak. Pasi që Qeveria Osmane nuk dha përgjigje deri në afatin e caktuar, nisi marshi i kryengritësve shqiptarë drejt Shkupit në shumë drejtime. Pos grupeve më të vogla në mbrëmjen 11 gushtit u nis grupi kryesor i kryengritësve në dy kolona nëpër Moravën e Epërme, nën udhëheqjen e Bajram Currit, Idriz Sefert, Isa Boletinint e të tjerëve, te cilët më 12 gusht hyr në Shkup pa rezistencë.

Derisa po marshonin grupe të shumta kryengritësish në drejtim të Shkupit, në ndërkohë grupi prej 1000 kryengritësish të anës së Gjilanit, Preshevës e të Bujanocit, të prirë nga Salih Aga i Gjilanit e të tjerë, më 14 gusht hyn në Kumanovë pa ndeshur në rezistencë, duke e thyer burgun dhe duke liruar të burgosurit. Kurse të nesërmen të shtuar në disa mijëra vetë të anës së Gjilanit, Kumanovës, Preshevës e Bujanocit, me tren e në këmbë hynë në Shkup. Përkundër numrit shumë të madh të kryengritësve, një numër i të cilëve ishin vendosur edhe në fshatra të rrethinës së Shkupit, rendi e qetësia ishin në nivelin e duhur. Ndërkaq, kur dy muaj më vonë erdhi në këto vise ushtria pushtuese serbe kjo bëri masakra të papara ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, turke etj.

Pranimi i kërkesave të shqiptarëve nga Qeveria Osmane më 18 gusht, shpejtoi aktivitetin e Aleancës Ballkanike për sulm të planifikuar kundër kryengritësve shqiptarë. Prandaj kjo ndikoi në tërheqjen e shpejtë të udhëheqësve të tyre për në krahinat e veta. Atje me shpejtë u vendos pushteti shqiptar, duke larguar kudo nëpunësit e papërshtatshëm osmanë e duke i zëvendësuar ata me nëpunës shqiptarë. Si organe urgjente u formuan”Komisionet”, që në fakt prezantonin pushtetin popullor, dhe ku merrnin pjesë njerëzit më të dalluar të Kazasë. Atje debatohej për shumë çështje, e në rend të parë në përkujdesjen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë së përgjithshme. Në krye të “Komisionit” në Gjilan ishte Idriz Seferi.

Në periudhën prej rreth dy muajsh Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare dhe fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, si në viset e tjera shqiptare edhe në Kaza të Gjilanit situata politike ishte mjaft e ndërlikuar, ku mbretëronte frika për shkak të rrezikut nga shtetet fqinje. Kjo ndikoi që një pjesë e luftëtarëve të mos i lëshonte armët nga dora dhe të përcillej çdo lëvizje në Serbi,  e posaçërisht binin në sy tubimet e shumta të protestës të organizuara nga Qeveria e Serbe.  Ato tubime kishin për qëllim të shtonin disponimin antishqiptar të popullit serb, si përgatitje për masakrat e ardhshme në këto anë.

Përkundër vërejtjeve me kohë të Austro-Hungarisë për planet e Aleancës-Ballkanike, Perandoria Osmane nuk ndërmori hapa serioz rreth përgatitjeve për mbrojtje,  por edhe më tej përpiqej të rekrutonte rinin shqiptare në viset Aziatike të Perandorisë. Vetëm kur nisi sulmi, u shpall mobilizimi i shqiptarëve ku u caktuan vendtubimet në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj e vende tjera dhe u formuan batalionet e redifëve.

Kur më 9 tetor 1912 Mali i Zi filloi luftën pritej sulmi i vendeve të tjera ballkanike,  me iniciativën e Hasan Prishtinës më 14 tetor u thirr mbledhja urgjente e Komitetit “Shpëtimi” dhe e organizatës “Shoqëria e zezë për shpëtim” në Shkup. Aty  u lëshua një proklamatë,  e cila iu dërgua Fuqive të Mëdha, ku bëhej e ditur se populli shqiptar i kapi armët jo për ta mbrojtur sundimin osman në Ballkan, por për t’iu dalur zot tokave të veta.

Me iniciativën e Idriz Seferit një mbledhje e ngjashme u mbajt edhe në Gjilan, pas së cilës filloi grumbullimi i vullnetarëve në të gjitha viset e kazasë dhe iu drejtuan disa pikave kufitare me Serbinë. Grupi prej mijëra vetësh nën udhëheqjen e Idriz Seferit e të tjerëve u drejtuan në rajonin e Svircës, Velegllavës e rrethinës, ku me popullatën e këasj ane do të organizohet rezistencë kundër njësive të Armatës së Tretë serbe. Ndërkaq grupi tjetër i vullnetarëve në krye me Salih Agën e të tjerë i kishin dalur ndesh Armatës së Parë serbe në kufirn afër Bujanocit, ku përleshjet e para kishin filluar që nga 14 tetori. Grupe tjera më të vogla vullnatarësh u shpërndanë për t’i mbrojtur pikat më kyçe të kazasë. Përkundër armatimit të dobët dhe municionit të kufizuar vullnetarët shqiptarë i përballuan për disa ditë sulmet e armatave serbe, por edhe gjatë tërheqjes vazhduan rezistencën e kohë pas kohshme në Tërnoc, Rahovicë, Preshevë dhe vende të tjera, e sidomos në Grykë të Konçulit, të cilën më 21 tetor e pushtoi ushtria serbe dhe siguroi depërtimin kah Gjilani,  ku hyri më 24 tetor pa hasur në rezistencë. Idiz Seferi me disa të tjerë ishte tërhequr në Karadak, ku në gjysmën e parë të nëntorit u zu rob dhe së bashku me 13 udhëheqës të tjerë,  në mesin e të cilëve ishin edhe Hasan Prishtina e Nexhip Draga dërgohen në Beograd prej nga u liruan më 13 prill 1913.

Pas disfatës së ushtrisë dhe vullnetarëve shqiptarë ushtria serbe,  gjatë depërtimit në viset shqiptare,  vazhdoi me djegien e fshatrave dhe me vrasjet e papara të popullsisë së pambrojtur,  e cila po ikte nga trojet e veta, duke mos ditur se kah po shkonte.

 

 

 

 

You Might Also Like