Gjilan

Gjilani me strategji për zhvillimin e ndërmarrësisë së udhëhequr nga gratë

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim dhe përkrahje nga ambasada amerikane përmes organizatës implementuese KCBS (Qendra e Kosovës për Mbështetjen e Biznesit), sot ka thëmëluar grupin punues për hartimin e strategjisë për zhvillimin e ndërmarrësisë së udhëhequr nga gratë.

Këtij takimi i ka ofruar mbështetjen edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili ka thënë se strategjia për zhvillimin ekonomik ka politika të qarta edhe për mbështetjen e ndërmarrësisë së udhëhequr nga femrat pronare të bizneseve.

Ai poashtu ka thënë se pa pjesëmarrjen e fuqishme të femrës deri në barazimin e plotë me meshkujt në të gjitha sferat, e posaqërisht në ndërmarrësi nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe konkurrencë lojale në tregun e përgjithshëm.

Jemi të përkushtuar në mbështetje maksimale edhe përmes fondeve dhe subvencionimit të aktiviteteve biznesore të grave në bujqësi dhe programe të tjera zhvillimore, sepse pa barazinë e plotë nuk mund të kemi një shoqëri të drejtë, nëse femrat dhe meshkujt, apo burrat dhe gratë nuk janë të barabartë në të gjitha fushat e organizimit të jetës shoqërore, institucionale dhe zhvillimore”, tha kryetari Haziri mes tjerash në punëtorinë e organizuar sot për hartim të strategjisë.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit të Komunës, ka falënderuar KCBS-në për mbështetjen dhe ka kërkuar nga gratë që të jenë më insistuese dhe më aktive në zhvillim ekonomik, në sprovimin e tyre në biznes, në politikë dhe në fusha të tjera të rëndësishme.

Kurse në emër të KCBS-së ka folur Burim Korça i cili ka falënderuar Komunën e Gjilanit për gatishmërinë që të bëhen ndryshime pozitive në këtë drejtim.​

 

You Might Also Like