Futboll

Gjilani synon të dalë në Evropë

Gentjan Mezani parashikon lajme pozitive nga Flamurtari. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat i Flamurtarit rrëfehet për gjithçka. Ai beson se duke njohur egon e administratorit Idrizi, gjërat do të ndryshojnë.

Mezani tregon edhe arsyen se përse ka afruar te Gjilani i Kosovës lojtarë nga Superiorja.

Sa i përket ofertës së Franc Veliut, trajneri thekson se mbrojtësi vlonjat duhet të vendosë sa më shpejt, pasi nuk do ta presë më gjatë. Si ish-trajner i Luftëtarit, Mezani thotë se duhet të gjendej një zgjidhje që presidenti Tavo të mos largohej.

Flamurtari po kalon një situatë të vështirë, teksa ende nuk ka kryer asnjë lëvizje për kampionatin. Si ndiheni si ish-trajner i vlonjatëve?

Së pari, si ish-trajner i Flamurtarit, por edhe si vlonjat dëshiroj më të mirën për këtë ekip. Dua sa më shpejt që ta shikoj përsëri në pozita sa më të mira. Së dyti, nuk e di situatën aktuale të Flamurtarit, por duke njohur egon e presidentit Idrizi, mendoj se çdo gjë shumë shpejt do të zgjidhet dhe do të kemi lajme pozitive për Flamurtarin.

Presidenti Tavo u largua nga Luftëtari, si e shikoni këtë situatë? Çfarë nuk shkonte në Gjirokastër?

Presidenti Tavo ka dhënë shumë për Luftëtarin dhe unë mendoj se ndoshta duhet të gjendej një zgjidhje për të mos u larguar, pasi për aq sa e njoh, është shumë i pasionuar pas asaj skuadre. Me Tavon president Luftëtari arriti Europën.

Pas largimit nga Luftëtari në atë mënyrë të beftë, a jeni i zhgënjyer?

Futbolli i tillë është dhe ne trajnerët jemi gjithë kohës me çantë në shpinë, pasi është rezultati ai që na mban në punë.

Te Gjilani keni afruar lojtarë nga Superiorja, pse?

Një arsye që kam afruar lojtarë nga Superiorja është sepse nuk pata mundësi për të afruar lojtarët që doja nga Kosova dhe këta lojtarë unë i njoh. Është mirë për një trajner kur ka mundësi që të afrojë në skuadër lojtarët që do.

Si është e vërteta me Veliun, pse ende nuk ka akord?

Veliu ka shumë oferta dhe normale që dhe ne i kemi bërë ofertën tonë. Tani i ngelet atij që të vendosë, pasi dhe koha nuk pret dhe duhet të zgjedhë shumë shpejt nëse do të jetë pjesë e Gjilanit.

Cilët janë objektivat me Gjilanin sezonin e ri?

Objektivat për këtë vit janë Kupat e Europës.

You Might Also Like