Gjilan

Gjilani vazhdon të ketë problem me mungesë të ujit

Duke e parë sasinë në dispozicion të ujit të pijshëm dhe gjendjen e rëndë të furnizimit me ujë, ku kemi reduktime të thella,  Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ka organizuar një debat që i kushtohet kësaj problematike për të parë alternativet, gjetjet, propozimet, idetë…, rreth sigurimit të ujit të mjaftueshëm për pije.

Në ktë debat që për temë kishte ”A ka bërë zgjidhje Komuna rreth ujit të pijshëm, idetë dhe investimet”, u tha se Task Forca e krijuar për ktë punë nuk ka dhënë rezultate, ndërkohë që drejtuesit e kompanisë Hidromorava, Muhamed Suliqi dhe Mumin Morina kanë dhënë shpjegime për investimet e fundit dhe shpimet e puseve tek FSK-ja dhe hulumtimin e lokacioneve tjera sikurse kanë folur edhe për projektet që synojnë zgjidhjen afatgjate.

Ndërkohë ,  anëtarët e Kuvendit. Riza Abdyli, Isa Agushi, pjesëmarrës në debat, por edhe Shaban Terziu, Kushtrim Kadriu e të tjerë thanë se gjendja në Gjilan është alarmante dhe se komuna e cila nuk po ofron zgjidhje duhet urgjentisht të merret me problemin jetik të qytetarëve gjilanas.

Në këtë debat janë dhënë ide, propozime e alternativa të ndryshme nga drejtuesit e kompanisë “Hidromorava”.

Muhamet Suliqi drejtor ekzekutiv në “Hidromorava” tha se momentalisht ka reduktime nga burimi Penda në Përlepnicë, nga ku furnizohen qytetarët me ujë. Sipas tij niveli i ujit të Penda është në minimale, kurse te burimi tjetër “Baja” po furnizohemi me ujë, po ashtu me reduktime. “Në Velekincë jemi duke punuar me kapacitet të plotë kurse te FSK-ja, janë bërë shpimet në vlerë të 190 mijë eurove, i cili është një investim i ri, është aktivizuar pusi i parë dhe pusi i dytë do të hyjë në funksion së shpejti. Edhe pusi i tretë pritet të aktivizohet, derisa te Fidanishtja ka përfunduar hapja e pusit të parë është punuar sipas standardeve. Duke i parë ankesat e qytetarëve e kemi bërë planin reduktimeve po furnizojmë edhe me cisterna, por po kemi defekte nëpër tuba”, ka thënë ai.

Rreth investimeve afatgjata Suliqi tha Banka Botërore na ka premtuar 15 milion euro për ndërtimin e një pende në Llapushnikë dhe te Shushtë, por akoma nuk kemi studim të fizibilitetit.

Mumin Morina nga Hidromorava tha se prej se është ndërtuar penda ky është viti më i rëndë në historinë e tij. “Gjendja është e rëndë, janë bërë hulumtime nga një organizatë zvicerane dhe ata kanë konstatuar se Gjilani s`ka ujëra nëntokësor” tha Morina.

Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se tek Shushtë ka ujë të mjaftueshëm, por duhet të praktikohen dënimet dhe gjobat ndaj atyre që e keqpërdorin ujin e pijshëm.

Riza Abdyli (PDK), tha se të gjithë duhet të kontribuojmë rreth zgjidhjes së ujit. “Kjo i do dy faza, sepse edhe më herët jemi ballafaquar me mungesë të ujit, alternativat e përkohshme e zgjidhin përkohësisht problemin, edhe pse qeverisja komunale nuk ka politika programore sepse nuk i kanë realizuar premtimet. Gjilanit i mungon projekti i detajizuar për zgjidhjen e ujit, edhe shkollat nuk kanë ujë të pijshëm. Investimi në ujë është i kushtueshëm, s`kemi ditur t`i shfrytëzojmë donatorët, Gjilani ka burime të ujit, kurse Task Forca s`ka funksionuar dhe për ta zgjidhur përfundimisht problemin duhet të ekzistojë edhe një pendë. Luta ka premtuar një rrjet të ri të ujësjellësit, por asnjë metër se ka përfunduar” tha Abdyli.

Isa Agushi (PDK) tha se jemi në një gjendje alarmante, po qeverisja komunale nuk po e sheh këtë situatë, ata s`janë të interesuar të merren me këtë problem, ka reduktime të ashpra të ujit, qeverisja nuk është serioze. “Në shtetet normale të gjithë qohen në këmbë, ndërtesat e larta nuk kanë ujë, duhet të shpallet gjendje alarmante në tërë qytetin. Kryetari jonë po merret me Bruksel e politikë e po e anashkalon qytetin e tij. Ka ende keqpërdorim të ujit, gjendja është alarmante dhe situata mund të dali jashtë kontrollit” tha Agushi.

Fehim Azemi gazetar tha se po shihet se mungojnë investimet në rrjetëzimin e ujit dhe ka pyetur përgjegjësit e “Hidromoravës” se a kanë ekipe dhe profesionist që mund të merren me studime të fizibilitetit.

Duke u përgjigjur në interesimet e qytetarëve Muhamed Suliqi tha se çka më tutje, çka nëse nuk ka reshje. “Zgjidhja më e lehtë është te Shushtë sepse uji vjen me ramje të lirë, por duhet të shikohen edhe alternativat tjera” tha Suliqi.

Në debat me diksutimet e tyre kanë kontribuar edhe Kushtrim Kadriu i cili tha se institucionet e komunës duhet të orientohen kah kjo problematikë e jo të merren me gjëra tjera më pak të rëndësishme.

You Might Also Like