KRONIKË E ZEZË

Gjykata dënon me mbi 9 vite burgim dhe 11 mijë Euro gjobë tre të akuzuar

 

Gjilan, 03.12.2020 – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj tre të akuzuarve L. I., L. Sh. dhe L. M.

I akuzuari L. I. nga viti 2011 deri më 4 gusht 2015, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me qëllim që t’i shkaktoi dëm personave të tjerë, ka ndërhy në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike të shfrytëzuesve të internetit kryesisht në SHBA përmes kompanisë Yahoo, duke kopjuar, vjedhur të dhëna të ndjeshme si të dhënat për llogari bankare dhe këto të dhëna i ka arkivuar në një server të veçantë, ashtu që ka përdor web faqen e krijuar për shitjen e programeve keqbërëse tek personat e ndryshëm, dhe ka pranuar pagesa nga shtetas të shteteve si Kina, Amerika, Rusia, Ukraina etj., në shumën prej 73.477,18 Euro, në emrin e tij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes.

Të akuzuarit L. Sh. dhe L. M. nga viti 2014 deri në gusht 2015 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me qëllim që t’i shkaktoi dëm personave të tjerë, kanë ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike dhe kanë përdor programe të ndryshme, duke arritur qasje në serverët e shtetasve të huaj dhe nga aty kanë arritur të vjedhin informata të kredit-kartelave dhe më pas këto informata i kanë shfaqur në një ankand online, disa nga këto i kanë tërhequr në Zvicër përmes H. K., ku në pajisjet elektronike të sekuestruara janë gjetur kredenciale – miliona e-mail nga mbarë bota, së bashku me fjalëkalimet, gjë që mundësojnë qasje në këto e-mail pa lejen e pronarit.

Me këto veprime, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprës penale nga neni 13 paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të Ligjit mbi parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë, falsifikim i letrave me vlerë.

Trupi gjykues të akuzuarin L. I. e ka shpall fajtor, duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe gjobë në lartësi prej 5.000 Euro, ndërsa të akuzuarit L. Sh. dhe L. M., i ka gjykuar me nga 3 (tre) vite burgim dhe gjobë në lartësi prej 3.000 Euro, secilin veç e veç.

Gjithashtu të akuzuarve në fjalë, u janë konfiskuar disa llaptop, kompjuter, telefona celular, kartela bankare dhe një shumë e të hollave.

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda ka refuzuar akuzën ndaj L. I., L. Sh. dhe L. M. për veprën penale “shmangie nga tatimi”, dhe ka liruar nga akuza për veprën penale “falsifikimi i letrave me vlerë dhe instrumentet e pagesës”, pasi që nuk është vërtetuar se kanë kryer këto vepra.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

You Might Also Like