Gjilan

Gjykata Themelore e Gjilanit është model edhe për gjykatat tjera

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Afrim Shala, sot ka pritur në një takim Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, me të cilën kanë biseduar për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi gjyqësor, llogaridhënia, transparenca dhe një vëmendje e posaçme i është kushtuar çështjes së ndryshimit të ligjeve.

Pas takimit është mbajtur një konferencë për media, me këtë rast Shala, ka kërkuar nga ministrja e Drejtësisë, që gjyqtarëve të i mundësohet pjesëmarrja në grupet punuese me rastin e hartimit të ligjeve që kanë të bëjnë me gjyqësorin.

“E mirëpritem iniciativën e Ministres së Drejtësisë që kur është fjala për ligjet që lidhen me sistemin gjyqësor, atëherë në grupe punuese dhe në komisione përkatëse të marrin sa më tepër gjyqtarë pjesë, për arsye se gjyqtarët janë ata të cilët në mënyrë të drejtpërdrejt i zbatojnë dispozitat ligjore në praktikën tonë gjyqësore, nëse një gjë e tillë nuk është e mundur atëherë kërkuam nga ministrja që së paku gjyqtarëve të i jepet mundësia që komentet e tyre për projektligje të

caktuara që i referohen sistemit gjyqësor të i bëjnë në formë të shkruar”, ka thënë Shala, duke shtuar se kjo kishte me qenë në interes të zbatimit të drejt dhe efektiv të dispozitave ligjore në praktikën gjyqësore.

Nga ana tjetër Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka thënë se do të bëjë përpjekje për përfaqësimin e Gjykatave Themelore në grupet punuese, sidomos në hartimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Kodit Civil, por gjithashtu edhe në procesin e rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit, proces ky që do të filloj me reforma të thella në gjithë sektorin.

Për më tepër ajo ka kërkuar nga gjykatat e tjera që të ndjekin modelin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

“Kemi biseduar edhe mundësitë e rritjes së numrit të gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve profesional, por gjithashtu të ofrojmë një përkrahje të pa rezervë për punën që po bëjnë, sidomos Gjykata Themelore në Gjilan. Është një gjykatë model për rezultatin që ka arritur dhe shpresojmë që të i shohim këto rezultate edhe në gjykatat e tjera, por edhe bashkëpunimin tonë të mëtutjeshëm sidomos për këto procese që i përmendëm” tha Ministrja Hoxha.

Për më tepër ajo ka shtuar se shumë punë e madhe është duke u bërë në gjykata, por disa raste negative po e humbin besimin që qytetarët mund të kenë në drejtësi.

Ministrja ka premtuar që shumë shpejt me ndryshimin e Ligjit mbi gjykata do të hapet Departamenti ekonomik dhe për çështje administrative në secilën Gjykatë Themelore.

You Might Also Like