Gjilan

Gjyqtarët nga komuniteti serb integrohen në sistemin e drejtësisë

Gjilan, 06.11.2017 – Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Afrim Shala së bashku me zëvendësin e tij gjyqtarin, Agim Ademi dhe administratoren, Florina Jerliu kanë pritur në një takim gjyqtarët dhe stafin administrativ nga komuniteti serb, të cilët që nga sot kanë filluar punën në gjykatë.

Me këtë rast i pari i gjykatës, Afrim Shala, ka mirëpritur nisjen e punës nga kolegët serb, duke i ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen logjistike.

Shala ka bërë një prezentim të shkurtër për strukturën e Gjykatës Themelore të Gjilanit, e cila gjykatë ka edhe tre degë të saja, Degën e Gjykatës Themelore në Kamenicë, Viti dhe Novobërdë.

Po ashtu ai ka njoftuar se Gjykata Themelore në Gjilan, në kompetencën e saj ka Departamentin e Krimeve të Rënda, Departamentin për të Mitur dhe Departamentin e Përgjithshëm, ndërsa Degët e Gjykatës në kompetencë kanë vetëm Departamentin e Përgjithshëm.

Edhe gjyqtari Agim Ademi u ka shprehur mirëseardhje kolegëve të rinj, duke iu uruar sukses në punën e tyre.

Nga ana tjetër administratorja Florina Jerliu ka bërë një prezentim të shkurtër për stafin administrativ aktual dhe planin për integrimin e stafit të ri në gjykatë.

Dekretimi i pesë gjyqtarëve dhe angazhimi pesë zyrtarëve administrativ është paraparë me Marrëveshjen për Drejtësi të arritur në Bruksel në vitin 2015.

You Might Also Like