LAJME

Haziri: 800 mijë euro të qeverisë janë për përfundimin e lumit “Mirusha”

Gjilan, 4 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli të shoqëruar nga ministry në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për investimin në lumin “Mirusha”, dhe përfundimin e këtij projekti me një dinamikë më të madhe të punëve.

“Sot kishim në një vizitë pune zëvendëskryeministrin Pacolli dhe ministrin në detyrë Matoshi, me të cilin kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi për përfundimin e projektit të lumit “Mirusha” dhe trajtimin e ujërave të zeza në zonën urbane. Me mjetet prej 800 mijë euro që po destinohen nga qeveria e Kosovës për projektin më kapital, sot po dëshmohet edhe për qytetarët se është fjala për përfundimin e projektit”, ka thënë kryetari Haziri.

“Së bashku me zëvendëskryeministrin Pacolli, kemi biseduar edhe për projekte të tjera. Kemi kërkuar nga ai që të ndihmoj Gjilanin në zgjidhjen edhe të disa problemeve të cilat janë me kosto të papërballueshme për buxhetin e Komunës dhe domosdo kërkojnë edhe përkrahjen e qeverisë”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Kurse zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ka thënë se vizita e sotme në Gjilan është për konfirmimin e ministrisë së Mjedisit që Gjilanit nga java e ardhshme do ti jap 400 mijë euro dhe në fillim të vitit 2019 gjithashtu 400 mijë euro të tjera. Gjilani prej vitesh është lënë anash, por do të punojmë në projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe në projekte ndërkomunale. Autostrada, zgjerimi I rrugës së vjetër, lumi “Mirusha”, dhe projekte të tjera do të jenë fushat në të cilat do të punojmë me kryetarin Haziri.

Kurse Fatmir Matoshi, ministër në detyrë në Ministrinë e Ambientit, ka thënë se këto mjete buxhetore dedikohen për ambient dhe kryesisht për investime në fushën e mjedisit. Ai ka konfirmuar se edhe sa I përket impiantit, kolektorëve dhe trajtimit të lumit Morava, do të punohet me shumë kujdes dhe në bashkëpunim me të gjitha komunat nëpër të cilat kalon ky lum.

Pas takimit bashkërisht kanë vizituar punimet që janë bërë në lumin Mirusha dhe rregullimin e shëtitores nëpër qendrën e qytetit.

You Might Also Like