Gjilan

Haziri: KFOR-i turk ishte pjesë e jona dhe do të mbetet edhe më tutje

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim lamtumirës, komandantin e Ekipit Monitorues të Mbikëqyrjes, të KFOR-it turk, Mehmet Kaplan, i cili ka përfunduar detyrën në këtë mision, duke potencuar se bashkëpunimi me njësitet e KFOR-it turk, gjithnjë ka qenë konform interesit të përbashkët për një siguri të përgjithshme të qytetarëve të këtij regjioni.

Haziri në fjalën e tij nga ky takim ka thënë se angazhimi, puna dhe përkushtimi ushtarak e njerzor i ushtarëve të KFOR-it turk është i nivelit të njëjtë sikur që është shërbimi dhe përkushtimi për shtëpinë dhe familjen e tyre.

“Angazhimi juaj, përkushtimi, puna dhe miqësia e krijuar me qytetarët e Gjilanit është një mesazh më i miri i sigurisë. Afërsia e shërbimit tuaj ushtarak është e tillë që përkujdesi juaj ka qenë i njejtë për qytetarët e Gjilanit, sikur të ishte për qytetarët, shtëpitë dhe familjet tuaja. Kurdo që do të ktheheni përsëri, qoftë si një vizitor, por qoftë edhe me detyrë zyrtare, kudo në Ballkan, Gjilanin do ta keni një vend në të cilin do të gjeni miqësinë e madhe në shenjë falënderimi për mbështetjen dhe shërbimin tuaj këtu, për këtë kohë prej rreth 14 muajsh”, ka thënë kryetari Haziri, duke i dorëzuar në shenjë mirënjohjeje, letrën e falënderimit.

E nga ana e tij Mehmet Kaplan, mes tjerash ka pohuar se gjithë shërbimin ushtarak që e ka kryer deri më tani kudo, asnjëherë në asnjë vend tjetër nuk ka qenë më i lumtur dhe me vullnet, se sa në Gjilan. Më tej Kaplan, ka shtuar se edhe atje ku do të shkoj tash e tutje në qytetin e Ankarase, asnjeherë nuk do ta ketë një jetë dhe përshtypje sikur të shërbimit në Gjilan dhe në mes të një qyteti që ka bërë shumë ndryshime të mëdha.

“Me Gjilanin dhe njerëzit e këtij vendi jam lidhur emocionalisht dhe mendimi për ndarjen nga ky vend po më jep emocion dhe po më krijon një zbrazeti të madhe”, ka thënë mes tjerash Kaplan, duke e falënderuar kryetarin Haziri, bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë qytetarët e Gjilanit për bashkëpunimin e treguar me KFOR-in Turk.

You Might Also Like