Gjilan

Haziri: Komuna dhe Policia e Kosovës po bëjnë që të kemi gjendje jashtëzakonisht të mirë të sigurisë

Gjilan, 12 korrik 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ku janë zotuar për vazhdim të bashkëpunimit në krijim të sigurisë dhe kushteve më të mira për qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë të këtij regjioni.

Në fjalën e tij, kryetari Haziri ka falënderuar drejtorin Qalaj për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe bashkëpunimin në të gjitha projektet e përbashkëta, duke bërë që gjendja e sigurisë në Komunën e Gjilanit në të gjithë parametrat të jetë jashtzakonisht e mirë.

“Para disa ditësh Komuna e Gjilanit ka përfunduar projektin e përbashkët për Stacionin e Gjilanit, që është Qendra e Monitorimit dhe po punojmë për integrimin e shkollave dhe institucioneve të tjera publike në këtë rrjet, në mënyrë që të rritet edhe më shumë siguria. Falë përgjegjësisë së lartë dhe angazhimit maksimal të policisë së shtetit, gjendja e sigurisë në Komunën e Gjilanit është jashtzakonisht e mirë në të gjithë parametrat, jo vetëm në aspektin e sigurisë publike, por edhe rënia e vjedhjeve, aksidentet në trafik dhe problem të tjera që janë në qytetet urbane”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa në fjalën e tij, drejtori Rashit Qalaj, ka thënë se vizita në Gjilan është në kuadër të bashkëpunimit për ngritjen e sigurisë publike dhe njëkohësisht për të konfirmuar partneritetin për mbrojtjen e qytetarëve dhe krijimin e kushteve më të mira për ta.

“Falënderova kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Policisë së Kosovës në dy nivelet e saja në Gjilan. Komuna ka bërë investime infrastrukturore në objektin e stacionit të policisë që ka krijuar kushte dhe mundësi shumë të mira për punë efektive. Bashkërisht do të punojmë shumë që të ofrojmë shërbimet tona për qytetarë, ne në aspektin e sigurisë dhe detyrave që kemi, por edhe komuna nga ana e saj me projekte dhe shërbime sipas përgjegjësisë që e mbulon”, ka thënë Qalaj në fjalën e tij.

You Might Also Like