Gjilan

Haziri nderon figurën e hoxhës Nysret Hajdari, në 21-vjetorin e vrasjes

Gjilan, 13 qershor 2020 – Në kuadër të shënimit të ditëve të lirisë, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Arbër Ismajli dhe drejtoresha e Kulturës Deniza Limani, kanë vizituar fshatin Dobërçan, konkretisht familjen e hoxhës Nysret Hajdari, të cilin regjimi serb me 13 qershor 1999 e kishte ekzekutuar, duke shkaktuar edhe djegien e shtëpive nëpër fshat dhe objekteve të kultit.

Kryetari Lutfi Haziri pas vizitës në familje ka thënë se 13 qershori shënon dhimbje dhe krenari në Dobërçan, për shkak të vrasjes tinëzare të mulla Nysretit që ka shërbyer në xhaminë e këtij fshati.

“Ai ishte lider fetar dhe shërbyes në xhaminë e fshatit për një kohë të gjatë. Përsonaliteti i tij në vete kishte butësinë e një njeriu të mirë dhe shërbim të shkëlqyeshëm si hoxhë. Ai ka qenë shembull i bashkëpunimit edhe në kohën e rezistencës në vitet e ’90-ta në Bashkësinë Islame, ku ai ishte i angazhuar dhe shërbente në xhaminë e Medresesë. Ne e pamë sot familjen e tij dhe këtë fshat për të kujtuar kontributin dhe sakrificën që është dhënë në luftën për liri, sikur edhe ndryshimet e mëdha që janë bërë në liri”, tha mes tjerash kryetari Lutfi Haziri.

15 Qershori është ditë kur në të gjitha lokalitetet e Gjilanit do të bëhet respekti për dëshmorët, heronjtë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë, ka njoftuar kryetari  Haziri nga Dobërçani.

Kryetari i Këshillit të fshatit, Nexhat Ibishi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe respektin që ka për të gjithë ata që dhanë jeten që sot të shohim projekte e zhvillim në një shoqëri të lirë.

Ndërsa në emër të familjes ka folur Xhemile Hajdari, e cila ka qenë falënderuese për vizitën institucionale në familjen e tyre, derisa ka bartur mesazhin e lavdisë për të gjithë dëshmorët, martirët dhe të rënët në luftën për liri, të cilët dhanë jetën e tyre për të jetuar ne të gjallët dhe për t’u zhvilluar.

Kryetari Haziri, pas homazheve që ka bërë, ka vizituar edhe projektet që janë duke u bërë derisa ka falënderuar për angazhimin e bërë në vazhdimësi shoqata “17 Shkurti”.

“Po punojmë maksimalisht për ta zënë hapin që kemi humbur në kohë pandemie. Në kuadër të kësaj përpos investimeve brenda fshatit në rregullimin e shtratit të limit, rrjetit të ujërave të zeza dhe atyre atmosferike, parkut dhe investimeve në arsim dhe sektor të tjerë, shumë shpejtë do të bëhet asfaltimi i rrugës që lidh fshatrat e Karadakut me këtë fshat. Përpos lidhjes me Pogragjën e Stublinën ne jemi zotuar se edhe rrugën në drejtim të fshatit Bukovik ta ndërtojmë, për të ndikuar kështu në zhvillimin e bujqësisë në atë anë”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri tha se angazhimi që po bënë komuniteti dhe shoqata “17 Shkuri”, është shembull edhe për komunat tjera të Kosovës se si është i lidhur komuniteti që jeton këtu dhe mërgata për ta mirëmbajtur si duhet një vendbanim sikur që është në këtë rast Dobërçani.​

You Might Also Like